Kronikë

Përplasja me armë në Korçë, të afërmit e Hoxhallarit: Nuk kishte konflikte me autorin

16:03 - 02.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ina Allkanjari-Disa ditë pas ngjarjes së ndodhur në qytetin e Korçës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 38-vjeçari Erion Haxhallari, të tjera detaje dalin në dritë. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, e afërmja e Hoxhallarit, shtetësja Vjollca Muka hedh poshtë dyshimet e ngritura lidhur me shkakun e përplasjes.




Pas publikimeve se 38- vjeçarri kishte konflikte të mëparshme me autorin Gazmend Agolli dhe se i detyrohej këtij të fundit shuma monetare, e afërmja e Hoxhallarit thekson se i riu ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes dhe se nuk i detyrohej asgjë Agollit. “Hedh poshtë dyshimet e ngritura lidhur me Erion Hoxhallarin përsa i përket ngjarjes së ndodhur pasditen e 27 korrikut. Ditën kur ndodhi përplasja, Erioni bashkë me të birin po shkonin për në Pogradec dhe ndodheshin rastësisht në vendin ku ndodhi sulmi. Ai s’ka pasur konflikte të mëparshme me autorin dhe nuk i detyrohej asgjë”, shprehet Muka, e afërmja e 39- vjeçarit Hoxhallari.

Më tej ajo thekson se në momentin kur autori ka nxjerr armë, Hoxhallari ka tentuar ta ndalojë. “Erioni ka tentuar të ndalojë autorin që të mos të qëllojë me armë, duke u përpjekur t’i ulë armën që plumbat mos të kapin persona të tjerë, pasi zona ishte e populluar, në këtë mënyrë mbeti vetë i plagosur”, u shpreh Muka.

Në lidhje me këtë ngjarje policia vuri në pranga dy autorët e dyshuar, Gazmend Agolli, 49 vjeç dhe Daniel Morava, 43 vjeç, banues në Korçë. Uniformat blu bënë me dije se gjatë veprimeve hetimore të kryera u bë edhe arrestimi i shtetasit të plagosur Erion Hoxhallarit, 38 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Moskallëzimi i krimit” lidhur me këtë ngjarje. Ndërkohë, dy ditë më parë gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 48-vjeçarin Gazmend Agolli, ndërsa për personin tjetër të përfshirë në konflikt, Daniel Morava, gjykata sipas kërkesës së prokurorisë, caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje. E njëjta masë sigurimi personal u dha edhe për Erjon Hoxhallarin, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat e Gazmend Agollit.

NGJARJA
Një 38-vjeçar është plagosur me armë zjarri në qendër të qytetit të Korçës pasditen e së shtunës shumë pranë bashkisë, në lagjen numër 7, që është edhe një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, ku ndodhen dhe shumë biznese. Konkretisht, një ish punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri mbi 38- vjeçarin Erion Hoxhallari, ndërsa ka tentuar të qëllojë edhe një person tjetër me iniciale A.Q., por ky i fundit iu ka shpëtuar plumbave. Policia e Korçës ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka vënë në pranga 49-vjeçarin Gazmend Agolli.

Bëhet me dije se pas plagosjes, autori ka hedhur armën dhe është larguar me shpejtësi, ndërsa për të fshehur provat, shtetasi Daniel Morava ka larguar armën nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar nga policia. “Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen nr. 7, në rrugën ‘Floresha Myteveli’, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Gazmend Agolli ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin Erion H., i cili ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën. Arma e zjarrit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale shtetasit Daniel Morava”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, në pranga përfundoi edhe i plagosuri Erion Hoxhallari ndaj të cilit rëndon akuza e moskallëzimit të krimit. Sakaq, policia ka proceduar në gjendje të lirë edhe 4 shtetas të tjerë të përfshirë në ngjarje, shtetasit me iniciale E.S., M.A., A.Q dhe E.T.. Me vendim gjykate pas hekurave mbeti vetëm Gazmend Agolli, ndërsa u vendos masa “detyrim paraqitje” për Daniel Moravën dhe Erion Hoxhallarin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.