SHËNDET

Vlera Lekaj: Si të luftoni gripin dhe të ftohurën, masat parandaluese

12:00 - 12.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Numri i pacientëve të prekur nga gripi apo virozat, që drejtohen në qendrat shëndetësore, ka arritur në 23 mijë brenda një jave.




Fluksi i lartë tregon që Shqipëria ndodhet në situatën e një epidemie gripale, që më së shumti po prek fëmijët e të moshuarit.

Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare mjekja patologe,

Vlera Lekaj tregon se me shfaqjen e simptomave, zgjidhja më e mirë është konsultimi me mjekun e mosmarrja e medikamenteve të gabuara që mund të shkaktojnë edhe dëme. Mjekja e familjes më tej liston të gjitha simptomat që bëjnë të mundur dallimin e gripit nga e ftohura.

Si paraqiten shifrat e pacientëve të prekur nga gripi?
Është sezoni i virozave dhe pacientë të shumtë në numër paraqiten pranë mjekut të familjes, për të realizuar vizita mjekësore, sepse përballen me shenjat e gripit. Faktikisht është një zgjedhje e duhur për këdo që përballet me probleme shëndetësore të saposhfaqura t’i drejtohet mjekut. E veçanërisht në sezonin e virozave, ku dhe shumë pacientë tentojnë të vetëmjekohen duke marrë shpesh herë dhe një mjekim të gabuar, i cili mund t’i dëmtojë.

Cilat janë kategoritë më të rriskuara?
Shenjat e gripit kanë një manifestim të ngjashëm tek të gjithë, por në varësi të moshës, mbivendosjes së sëmundjeve të tjera, imunitetit mund të shfaqen më të rënduara. Tek fëmijët dhe të moshuarit sigurisht që vëmendja është më e madhe sepse virozat tentojnë të jenë më agresive dhe shpesh here komplikohen me Bronkit akut apo Bronkopneumoni.

Si mund t’i njohim shenjat e gripit dhe të mos i ngatërrojmë ato me një ftohje apo me një gjendje tjetër shëndetësore?
Gripi përgjithësisht shfaqet me simptoma klasike, të cilat janë: dhimbje koke, dhimbje fyti, rrufë, temperaturë e lartë, ethe, dhimbje muskulare. Te e ftohura, mbizotërojnë më tepër shenjat e dhimbjes së fytit dhe teshtitjes së shpeshtë, hundëve të bllokuara, si dhe kolla me sputum (kollë me gëlbazë), e cila është më e zakonshme në të ftohurën sesa tek gripi, i cili karakterizohet nga një kollë më e thatë. Temperatura dhe ethet nuk janë të zakonshme me të ftohurën, ato shkojnë më tepër me gjendjen gripale.

Çfarë rekomandoni ju si mjekë në këto raste, a mund të bëhet trajtimi me antibiotikë?
Në të dyja këto rrethana, pra si të gjendjes gripale dhe të ftohurës nuk rekomandohet përdorimi i antibiotikëve. Antibiotikët luftojnë infeksione me karakter bakterial, dhe asnjë nga këto situata nuk kanë agjent bakterial, si shkakësi, por atë viral. Kështu që antibiotiku nuk do japë efekt, përkundrazi do të shkaktojë efekte anësore.

Efektet anësore më të dëmshme të antibiotikëve janë pikërisht çrregullimi i florës së traktit tretës, duke dhënë shqetësime të shumta gastrointestinale dhe genitiale (sidomos tek femrat), të cilat zgjasin në kohë. Dëmtimi i mukozës së stomakut që vjen si pasojë e përdorimit pa kriter të antibiotikut, bëhet dhe shkak për sëmundje të mëvonshme të stomakut si Gastrit apo Ulçer.

Cilat janë këshillat tuaja për kurimin e gripit?
Konsumoni lëngje në formë çajrash bimorë, fruta, të cilat janë të pasura me vitaminë C siç është portokalli. Përdorni paracetamol për temperaturën si dhe shurup për kollën.

Çfarë komplikacionesh mund të shkaktojë gripi?
Disa nga komplikacionet më të shpeshta të gripit, siç u përmendën pak dhe më lart, të ndeshura në punën e përditshme të mjekut të familjes janë: Sinuzitet, Bronkitet acute e deri në Bronkopneumoni. Janë pikërisht këto raste të cilat kërkojnë më shumë vëmendje nga ana e mjekut, për t’u diagnostikuar saktë dhe për të ndërhyrë më terapinë e duhur medikamentoze. Sinuzitet karakterizohen nga dhimbja e kokës, e cila është më specifike tek pjesa e ballit, vetullat, kocka e mollëzave e deri tek ndjesia e dhimbjes së dhëmbëve.

Cilat janë simptomat e bronko-pneumonisë?
Rastet me Bronkit apo Bronko-pneumoni përveç vizitës tek mjeku i familjes rekomandohet dhe skopia e pulmoneve. Të sëmurët ankohen për kollë me sputum, i cili nuk përmirësohet mbas gripit, temperaturë të lartë(por jo në të gjitha rastet), djersitje të shtuar si dhe dobësi trupore, këputje, paaftësi për punë. Në të gjithë këto raste komplikacionesh janë pikërisht të sugjeruar për t’u përdorur antibiotikët, ku në varësi të rastit, përcaktohet dhe lloji i antibiotikut, shoqërimi me shurup për kollën, si dhe terapia me vitamina për forcimin e imunitetit.

Çfarë ushqimesh duhet të konsumojnë të sëmurët?
Sigurisht që dieta ushqimore ka rëndësinë e saj në përmirësimin e gjendjes shëndetësore, ku një regjim i pasur me zarzavate, lëng mishi, fruta, mjaltë, çajra ndihmojnë në përballimin e sëmundjes dhe në forcimin e imunitetit.

A kanë besim pacientët te mjeku i familjes, apo drejtohen në QSUT?
Gjatë muajit janar janë kryer pranë mjekut të familjes mbi 500 vizita, nga të cilat kanë rezultuar me virozë rreth tyre dhe komplikimet e saj rreth 1/4, ose konkretisht 100 raste të përmbledhura me virozën e stinës, sinuzite, bronkite e bronkopneumoni. U sugjerojmë të gjithë pacientëve të shkojnë të vizitohen pranë qendrave shëndetësore, të marrin këshillat dhe mjekimin e duhur në rast përballje me virozën e stinës apo komplikacionet e saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.