BLUETOOTH

Hapa drejt suksesit, Rexhina Çuko pranohet në “Global Dance Directory”, ja përjetimet e balerinës

11:50 - 23.01.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Rexhina Çuko është balerina e njohur e ekranit, e cila ka qenë pjesë e trupës së baletit në TV Klan dhe ishte pikërisht ajo eksperiencë që e bëri të nisë një rrugëtim ndryshe. Ajo ka çelur akademinë e saj të kërcimit, ku edhe ka pasur shumë sukses. Realizoi një prej ëndrrave të saj më të mëdha por edhe u bë vendi i preferuar i të apasionuarve pas kërcimit. Bukuroshja ndan me ne lajmin e pranimit në “Global Dance Directory”.




Prej sa kohësh merresh me kërcim?
Po, baletin dhe dansin sportiv e kam nisur që në moshën 6 vjeçare, pra kam shumë vite që merrem me këtë fushë.

Pse fillove të merreshe me këtë fushë arti?
Sepse ky është pasioni dhe profesioni im që me jep jetë dhe më ushqen shpirtin.

Kur të shkoi ndër mend të hapësh një akademi kërcimi?
Gjithmonë kam pasur dëshirë që të kem një akademi timen, por iniciativa u mor nga ana ime pas eksperiencës në trupën e baletit në TV Klan.

Kam parë që fton emra të njohur në fushën e kërcimit si Albi Nako dhe Ilir Shaqiri, më trego pak çfarë bëhet në sallë kur janë këta balerinë aty?
Salla mbushet me energji pozitive dhe dije pa fund për baletin, pasi secili prej tyre në atë sallë ka konceptin dhe interpreton zhanre të ndryshme, gjë e cila të pasuron në art. Më të dy emrat që përmende kam punuar dhe janë fantastikë në profesionin e tyre.

Cilët nga koreografët shqiptarë ke si model, po si balerinë?
Tek koreografët Ilir Shaqirin, ndërsa tek balerinët, në zhanrin tim modern- latin nuk kam ndonjë balerin model, por i duartrokas të gjithë për performancat e tyre

A mendon se të qenit balerinë është një profesion me pak hapësira në Shqipëri? A mund të jetohet me këtë profesion?
Hapësira është e kufizuar, por jo e pamundur. Vullneti, përkushtimi dhe të parit me vizion këtë profesion mund të jetohet dhe shumë mirë.
Cili është orientimi yt profesional për të ardhmen. Do qëndrosh si balerinë, koreografe, mësuese apo te treja?
Të treja, por më shumë synimi im është të ndërtoj një shkollë baleti moderne private, ku të gjithë të kenë mundësi ta shikojnë me seriozitet këtë profesion.

Cila ka qenë eksperienca më e bukur në këto gjini të profesionit tuaj?
Të fituarit e çmimeve, përqafimi i ngrohtë i fëmijëve dhe hyrja në Ceo.

Ndërkohë je pranuar zyrtarisht në “Global Dance Directory”. Çfarë do të thotë kjo për ty?
Kur më erdhi emaili i konfirmimit të pranimit zyrtar në këtë akademi globale po themi nuk mund të besoja dhe e kam lexuar e rilexuar. Është fat te jem pjesë e “Global Dance Directory”, por sigurisht edhe një vlerësim i madh për punën time.

Në cilat disiplina përqendrohet puna jote?
Te klasiket në bazat e saj, moderne, jazz, latine, teknikë kompetitive, popullore, musikal, aktrim.

Zakonisht në çfarë ore e fillon punën tënde?
Mësimi fillon në orën 16:00 dhe mbaron në orën 20:00 çdo ditë

Ke dikë që kujdeset për gjërat e tua për sa i përket kërcimit?
Po, gjatë orës së mësimit kam dy vajza asistente që më ndihmojnë, por më e rëndësishmja është mamaja ime, e cila merret edhe me menaxhimin e sallës.

Përveç të kërcyerit bukur ka të bëjë dhe paraqitja e jashtme në këtë profesion, kostumet, detajet?
Sigurisht, veshja është bukuria e syrit që qëndis dhe lidh bukur mesazhin e kërcimit.

Keni dhënë shfaqje në Shqipëri ose jashtë saj? Në çfarë vendesh jeni ngjitur në skenë për të performuar?
Po, çdo vit kemi aktivitete. Mund të përmend aktivitetet e organizuara në Tiranë, në bashkinë Elbasan, Prizren dhe Itali ku fituam edhe dy çmime të para.

Pas shumë vitesh në qoftë se do të kishe një vajzë, do doje që të bëhej kërcimtare si ty?
Të ketë shëndet se balerinë e bën mami, nëse do zgjedhë një profesion të tillë sigurisht. (qesh)

A ke ndonjë këshillë për vajzat që kanë dëshirë të merren me këtë fushë arti?
Këshilla ime do të shkonte më shumë për prindërit që t’i udhëheqin drejt ëndrrave të tyre, t’i mbështesin në ato që fëmijët kanë pasion. Ndërsa për vajzat që tashmë e kanë zgjedhur si profesion duhet shumë djersë, vullnet, durim dhe pasion. Sakrifiko dhe puno fort që të shpërblehesh!

Deri kur mendon se do e bësh këtë profesion?
Deri sa të kem frymë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.