Aktualitet

Rama: Jemi në një fazë shumë delikatë, ua ndjej të gjithëve dhimbjen

19:47 - 13.04.20 gsh

Kryeministri Edi Rama po prezanton këtë mbrëmje paketën e zgjeruar ekonomike, që do iu vijë në ndihmë bizneseve, në këtë periudhë të vështirë të përhapjes së koronavirusit.



Në komunikimin live në “Facebook”, Rama iu drejtua të gjithë shqiptarëve, duke iu thënë se ua ndjen dhimbjen deri në palcë, që po përballen me këtë situatë kaotike izolimi, por sipas tij, një gjë e tillë duhet të vazhdojë, në mënyrë që të mos bëhemi si shumë shtete të fuqishme, që po përballen me numër të madh viktimash nga COVID-19.

“Të gjithë jemi në hall, çdo familje, çdo ndërmarrje, qeveria. Luftërat nuk vijnë për të na i zgjidhur hallet, por për të na i shtuar. Në këtë luftë të hatashme askush nuk e ka një zgjidhje, askush nuk e di me siguri ku është fundi, as në vendet më të fuqishme e më të ditura. Ne shqiptarët që kemi një vend të vogël dhe jo me pak halle, e me këtë luftë, nuk duhet të harrojmë për asnjë cast gjënë më të qartë të kësaj lufte, sot halli i hallit që na bashkon të gjithëve është mbrojtja e jetës dhe mbrojtja e Shqipërisë nga një katastrofë.

Deri këtu armiku i padukshëm ka bërë kërdi lart e poshtë në botë. Sot jam shumë në merak, sepse e lexoj, e dëgjoj, e ndjej, që shumë nga ju po kujtojnë gabimisht se ja hodhën. Hapi rrugët, punët, se po vdesim, po plasim, po thonë disa. Ca të tjerë lëshojnë edhe sharje pa fund. E vërteta është se në fakt ne kemi hyrë në një fazë, që është shumë delicate, ku rreziku jemi më shumë ne vetë tani, se armiku që po luftojmë. Ne sot jemi në rrezik potencial. Armiku nuk na i mbushi spitalet me të plagosur, por shumë prej nesh nga humbja e durimit mund të bëhemi pa dashje aleat i tij. Unë e vuaj ditë e natë dhimbjen tuaj, të familjeve, të prindërve, të atyre që kanë mbetur matanë kufijve dhe që nuk kthehen.

E ndjej deri në palcë dhimbjen e gjithkujtë prej jush, që nuk ja del dot të qetësohet, ndërkohë që dita bëhet gjithnjë e më e gjatë. Por, unë di dhe tjetrën, që detyra ime në këtë kohë është të mbyll veshët dhe të mos dëgjoj sirenat joshëse, që më thonë hajde dalim pa u trembur, të sfidojmë armikun. E provuan disa të tjerë, shumë më të fuqishëm se ne që ranë pre e atyre sirenave, dhe sot janë zhytur në një numër vdekjesh dhe s’po nxjerrin dot kokën. Ne nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë, por shohim përditë kurbën që mbahet nën kontroll”, tha Rama.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.