Intervista

“Shkeli çdo ligj”, Paloka: Pas 25 prillit, Rama do të përballet me drejtësinë

14:05 - 21.12.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Edi Paloka, nënkryetar i PD-së, flet për “pikën që derdhi kupën”, revoltën e të rinjve për vrasjen e Klodian Rashës, të cilën nuk e konsideron të shuar. Përkundrazi, Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare”, se është një zemërim që rritet çdo ditë ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Sipas tij, dhuna e përdorur nga policia e Ramës gjatë këtyre ditëve, vetëm e zgjeroi këtë zemërim, që pret vetëm momentin për shpërthimin e madh. Edi Paloka shprehet se opozita e sotme, është praktikisht e vetmja shpresë që kanë shqiptarët për të ndryshuar këtë situatë të vështirë për shkak të keqqeverisjes. Funksionari i lartë i PD-së tregon se opozita e bashkuar po punon intensivisht për t’i çuar shqiptarët drejt ndryshimit të madh më 25 prill. Z. Paloka përmend se kryeministri nuk mund të jetë më “rezistent”, pasi shqiptarëve u ka sosur durimi.
Paloka i kujton kryeministrit aktual se ka në dorë të zgjedhë mënyrën se si do të largohet, teksa i kujton se i ngjan Ramiz Alisë para se të largohej nga pushteti, duke tentuar me “ligje represive, dhunë policore, kërcënime…”.




Z. Paloka, situata në vend vazhdon të jetë e tensionuar, nisur edhe nga vrasja e të riut Klodian Rasha dhe protestat që çuan në largimin e Sandër Lleshajt dhe zëvendësimin e tij me Bledi Çuçin. Pse kaq i vështirë rikthimi në normalitet?
Revolta e të rinjve këto ditë shpërtheu pas vrasjes nga kriminelë me uniformë të një bashkëmoshatari të tyre. Në fakt, vrasja e Klodianit ishte vetëm pika që derdhi kupën, sepse është e qartë për këdo se ai shpërthim ishte si rezultat i një urrejtjeje të grumbulluar prej kohësh ndaj një kryeministri bandit e arrogant, ndaj një qeverie që vetëm vjedh e grabit dhe ndaj një policie të ngritur qëllimisht me banditë, militantë partie që jo vetëm nuk i mbrojnë qytetarët, por përkundrazi, i dhunojnë dhe i shkelin çdo ditë. Një polici që është ndërtuar për të mbrojtur jo interesat e qytetarëve, por pushtetin dhe paratë e pushtetarëve. Edhe sot, megjithëse duket sikur revolta u mbyll e u shua, vetëm miopët politikë e kokëtrashët nuk e kuptojnë se zemërimi dhe urrejtja nuk janë shuar, po thjesht janë rikthyer edhe një herë në vatrat e tyre, që janë lagjet dhe shtëpitë e atyre të rinjve dhe familjeve të tyre. Atje zemërimi dhe urrejtja rriten çdo ditë, ashtu si presioni i një vullkani që mblidhet e rritet pa u dukur, derisa shpërthen e zhduk e mbulon gjithçka të vjetër. Shqiptarët janë sot më të varfrit e Evropës, janë një popull që grabitet e në të njëjtën kohë dhunohet e tallet nga ata që e grabisin. Prandaj dhe zemërimi vetëm rritet çdo ditë në vatrat e tij.
Dhuna e përdorur nga policia e Ramës gjatë këtyre ditëve, vetëm e ka rritur e zgjeruar këtë zemërim, që pret vetëm momentin për shpërthimin e madh.
Por, pavarësisht se të gjithë janë kundër Edi Ramës, në gjykimin tuaj, çfarë po e bën atë rezistues?
Sot më shumë se kurrë Rama ka arsye që, siç shpreheni ju, “të rezistojë”. Me zullumet dhe të këqijat që u ka bërë shqiptarëve dhe me krimet, skandalet, vjedhjet, dhunimet e gjithanshme, Rama e di që ikja nga pushteti do e përplasë si me urrejtjen popullore, ashtu edhe me drejtësinë. Në fakt, “rezistenca” e Ramës sot ngjan si dy pika uji me atë të Ramiz Alisë, pak muaj përpara se të largohej nga pushteti. Ligje represive, dhunë policore, kërcënime… Fundi dihet!
Unë e kam thënë edhe herë tjetër, Rama ka në dorë të zgjedhë vetëm se si do largohet. “Rezistenca” me këto forma, thjesht rrit urrejtjen ndaj tij dhe zullumet, me të cilat duhet të përballet nesër edhe me drejtësinë.
Në një situatë të tillë, opozitës i duhet votëbesimi i shqiptarëve; a kanë një strategji specifike PD-ja dhe aleatët për të mundësuar ndryshimin e madh?
Opozita e sotme është praktikisht e vetmja shpresë që kanë shqiptarët për të ndryshuar këtë situatë. Tanimë shumica absolute e njerëzve e kanë evidentuar Ramën si të keqen e këtij vendi dhe kanë kuptuar se vetëm largimi i tij, largimi i së keqes, do ta kthente vendin në normalitet dhe do të rikthente shpresën, që duket sot më se e venitur.
Rama, që e di edhe vetë se sot është personifikimi i së keqes, të gjitha përpjekjet dhe propagandën e tij e ka përqendruar pikërisht në zhdukjen e kësaj shprese të venitur, duke përhapur ide se “të gjithë jemi njësoj”, se “ata që kërkojnë të vijnë, kanë qenë në pushtet dhe nuk janë më të mirë se unë”, se nga ky vend është “më mirë të ikësh” sesa të shpresosh për ndryshim… Me pak fjalë, hajde të lëmë Ramën dhe hajnat e tij në pushtet që të vazhdojnë të vjedhin e të tallen me shqiptarët. Kush nuk e duron këtë, le të ikë…! Në fakt ka vetëm një gjë që duhet bërë: të largojmë shkaktarin e kësaj gjendjeje e t’i japim fund së keqes.

Dhe cila është mënyra?

Ka vetëm një mënyrë: bashkimi me PD-në dhe me opozitën e sotme. Gjithë të tjerët që propagandojnë ndryshe, që ofrojnë gjoja alternativa të reja, nuk bëjnë gjë tjetër veçse synojnë mbajtjen e Edi Ramës në pushtet. Zgjedhja këtë herë është shumë e thjeshtë: kush nuk do vazhdimin e kësaj situate, kush nuk do që Rama të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, më 25 prill del dhe voton vetëm për frontin opozitar. Ata që nuk e duan këtë ndryshim, janë në krahun tjetër.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur se “kushdo që i bën opozitë Edi Ramës dhe përpiqet ta rrëzojë nga pushteti, është i mirëpritur në frontin opozitar”. Janë të mirëpritur edhe Topalli, Patozi dhe Hajdari me partitë e tyre?
Besoj se shprehja e kryetarit Basha është shumë e qartë; ka folur për këdo që kërkon largimin e Edi Ramës, jo për ata që janë në shërbim të Ramës dhe po përdoren me shpresën se do të mund t’i heqin ca vota opozitës, që Rama të vazhdojë të mbetet në pushtet. E përsëris se, kush kërkon të largojë Ramën dhe të rikthejë shpresën, ka vetëm një rrugë: të votojë PD-në dhe frontin opozitar. Kush qëndron në shtëpi apo, ca më keq, e hedh votën për grupime të tjera që shfaqen gjoja dhe si opozitarë, ka votuar për qëndrimin e Edi Ramës në pushtet.
A përbëjnë shqetësim për PD-në partitë e reja që janë regjistruar në Gjykatë pak muaj para zgjedhjeve parlamentare? A besoni se ato do të rreshtohen përkrah opozitës para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit?
Për mua do ishin shqetësim në aspektin e ngushtë partiak, nëse ato vërtet do ishin shfaqur si alternativa të reja opozitare. Në një rast të tillë, si drejtues i PD-së, unë do shqetësohesha se mund të merrnin vota të PD-së. Por realiteti është krejt ndryshe. Çdo njeri me sy në ballë e me mend në kokë, që ka ndjekur mënyrën se si janë formuar dhe kur janë formuar këto grupime, e kupton se qëllimi i tyre është vetëm të ndihmojnë Ramën të qëndrojë në pushtet. Në këto kushte, nuk besoj se ato grupime do të marrin vota që do t’i shkonin PD-së në asnjë rast, përkundrazi!
A mund të bashkohet opozita në çdo qendër votimi më 25 prill?
Opozita është e bashkuar në çdo pjesë të strukturave të saj dhe e tillë do të funksionojë deri në fund, jo vetëm ditën e zgjedhjeve, në çdo qendër votimi, po në të gjithë periudhën deri në zgjedhje e më pas, në qeverisjen e vendit.
Çfarë vendi do të kenë në PD, figurat e reja që do vijnë përmes procesit të përzgjedhjes së kandidatëve nga anëtarësia e partisë?
Për mua, do të kenë dhe duhet të kenë atë vend që do t’i bëjnë vetes. Unë kam qenë dhe mbetem i bindur se karriera në politikë duhet të ndjekë disa hapa të domosdoshëm, ku gjithsecili vendin e tij e bën në sajë të vlerave dhe kontributeve. Sigurisht që, në këtë rast, vlerësimi i qytetarëve dhe anëtarëve brenda një partie, mbetet treguesi kryesor për gjithsecilin.
Përse opozita po vonon përcaktimin e formulës së koalicioneve se si do të shkojë në zgjedhjet e 25 prillit 2021?
Ju e dini që Rama shkeli çdo parim, çdo rregull, çdo ligj të shkruar e të pashkruar, me ndryshimet që i bëri Kodit dhe Kushtetutës pa konsensusin e opozitës (që sot përfaqësohet nga pothuajse gjithë partitë me elektorat në Shqipëri) vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve. Në këto kushte, sigurisht që ne do të marrim masat tona që asnjë votë e qytetarëve, asnjë votë e opozitës, të mos humbasë, pasi ndryshimet e Ramës synojnë pikërisht këtë. Për këtë arsye është dashur një kohë studimi për të gjetur formulën më optimale. Shumë shpejt, besoj kjo formulë do bëhet publike.
Komisioni i Venecias konfirmoi se ndryshimet ligjore të ndërmarra nga Kuvendi për sa i takon hapjes së listave zgjedhore, si dhe formulës së koalicioneve, janë në përputhje me standardet më të mira zgjedhore. Kjo nënkupton që opozita nuk mund të ketë më ‘justifikime’ për zgjedhjet e 25 prillit?

Komisioni i Venecias bëri të qartë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë, pa konsensusin e opozitës dhe vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve, janë të papranueshme. Këtë ka thënë në vazhdimësi edhe opozita, por dhe gjithë partnerët e Shqipërisë. Rama shkeli mbi të gjitha këto qëndrime dhe, mesa duket, ka vazhduar me mënyrat e tij, duke u përpjekur të korruptojë aty-këtu nëpunës apo diplomatë që njohin më shumë paratë e Evropës sesa parimet e saj. Të paktën këtë ka zbuluar edhe së fundmi një media pranë BE-së. Sa për pyetjen tuaj, opozita nuk ka kërkuar ndonjëherë “justifikime” për zgjedhjet. Akuzat e opozitës për manipulime janë faktuar. Këtë e vërtetoi madje dhe prokuroria e Ramës, me aktin e fundit qesharak për dosjen “184”, ku pranonte se votat ishin manipuluar, por fajtorët nuk mund të dënoheshin për shkak të tejkalimit të afateve. Denoncimet e opozitës nuk bëhen për “justifikim”, në këtë rast ne po u heqim justifikimet për nesër atyre që do guxojnë të manipulojnë. Kur ne denoncojmë faktin që qeveria po ndryshon adresat e votuesve, iu bëjmë të qartë atyre se po shkelin ligjin me vetëdije dhe nesër, kur të jenë përpara hekurave të burgut, të mos kenë mundësinë të justifikohen me padijen e tyre.
Nga se janë të rrezikuara zgjedhjet, si do t’i mbrojë votat opozita e bashkuar?

Që nga pyetja juaj, nënkuptohet që ne shkojmë në zgjedhje jo normale, me një qeveri që si të vetmen shpresë sheh vjedhjen dhe manipulimin e votave. Tanimë është e provuar me fakte se Edvin Rama, nuk ka zhvilluar kurrë zgjedhje të lira e të ndershme që kur ka marrë pushtetin në dorë. Edhe këtë herë, gjithë përpjekjet e tij janë përqendruar në mënyrat për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Ajo që ndodhi me dosjen “184”, përveçse tregon që e ashtuquajtura ‘drejtësi e re’, është thjesht një drejtësi e kapur, tregon dhe qëndrimin e Ramës për zgjedhjet që po vijnë. Me këtë akt të prokurorisë, Rama kërkon t’iu japë guxim hajdutëve e blerësve të votës, duke iu thënë që ‘drejtësia nuk ju prek sa të jem unë’. Kjo është e vërtetë në një farë mënyre, por manipulatorët duhet t’i bëjnë llogaritë me faktin që pas 25 prillit, nuk do ketë kush t’i mbrojë më.
Sigurisht që opozita ka marrë dhe do marrë masat e saj, të cilat nuk kemi pse i bëjmë publike. Por ajo që është më se e qartë, ka të bëjë me rezultatin. Rama mund “t’i fitojë” këto zgjedhje vetëm nëse do votohet e do numërohen votat në bunkerin e Surrelit. Asnjë shans tjetër nuk ka, sado të përpiqet deri në fund! Ndaj ne kemi bërë e do bëjmë denoncimet e manipulimeve. Mënyrën se si do ta mbrojmë votën nuk ka arsye pse t’ua tregojmë manipulatorëve. Atyre do iu tregojmë derën e burgut pas 25 prillit, kur PD-ja të jetë në pushtet.

A është presidenti më afër këtij rreziku, d.m.th. manipulimit të votës, të cilin po ua bën prezent shqiptarëve në mënyrë të përsëritur, ndërkohë që opozita vazhdon të jetë e sigurt se do të jetë fituesja e 25 prillit?

Denoncimet e Presidentit dhe opozitës për tentativat që Rama bën për të manipuluar, nuk janë shprehje e frikës, përkundrazi. Ne po iu dalim borxhit atyre që Edi Rama ka ndërmend t’i përdorë edhe një herë. Rama është mësuar t’i përdorë e t’i shesë bashkëpunëtorët në krim. Ne thjesht po i paralajmërojmë për këtë, nëse dikë e gënjen mendja se do të mund të kryejë prapë krime zgjedhore e t’ia hedhë pa lagur.

Sa mandate synon opozita, ndërkohë që PS-ja synon një mandat të tretë qeverisës?

Opozita do të fitojë me një mazhorancë të tillë sa t’u japë mundësinë shqiptarëve të rikthehen në rrugën e normalitetit dhe të shpresës. PS-ja, e cila sot përfaqësohet vetëm nga një sekt hajdutësh, do të marrë rezultatin më të ulët historik të saj. Për këtë nuk ka nevojë t’ju përmend rezultate sondazhesh, mjafton të shihni “rezultatin” e 30 qershorit, ku Rama përdori dhe kreu të gjitha format dhe mënyrat e manipulimit e represionit, për të nxjerrë shqiptarët në votim. Nuk nxori dot as socialistet, sepse edhe ata e urrejnë sektin që ai drejton.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.