Opinion-Komente

Vaksinat dhe COVID-19/ Ballkani Perëndimor ndihet i përjashtuar

08:28 - 26.01.21 Francesco Martino

Më 27 dhjetor 2020, pas një pritjeje të gjatë, plot ankth dhe me shumë shpresa, Bashkimi Evropian nisi fushatën e vaksinimit kundër COVID-19, me dozat e para të vaksinës Pfizer/BioNTech, që u shpërndanë njëkohësisht në të gjitha vendet e BE-së.



Të nesërmen, Komisioni Evropian miratoi një paketë mbështetëse prej 70 milionë eurosh (përmes instrumentit të fondeve të para-anëtarësimit IPA-II) për Ballkanin Perëndimor, për t’i ndihmuar shtetet e rajonit të vaksinojnë segmentet më të rrezikuara të popullsisë.

Më 19 janar, burime brenda Brukselit njoftuan se BE-ja po punon mbi një plan për të ndarë dozat e tepërta me fqinjët e saj “të varfër”, si vendet afrikane dhe ato fqinje, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor. Por nismat e Unionit janë lënë në hije nga shqetësimet dhe pakënaqësitë e shumë vendeve në rajon, të cilat ndihen të lëna pas dore në garën për vaksinat, dhe po përpiqen ende të sigurojnë dozat e nevojshme për të filluar fushatat e tyre të vaksinimit.

Një nga zërat më kritikë ishte ai i kryeministrit shqiptar Edi Rama. “BE na ftoi të investojmë ekskluzivisht në sistemin COVAX. Por nëse do të ndiqnim vetëm udhëzimet e Brukselit, do të na duhej të prisnim për një kohë të pacaktuar”, tha Rama më 11 janar, pasi mori dozën e parë të vaksinës Pfizer, pjesë e një donacioni modest nga Gjermania.

Dhe nëse debati mbi rolin e BE-së – egoiste apo altruiste – ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë, një gjë është e sigurt: vonesat në blerjen e vaksinave dhe organizimin e fushatave të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor janë një fakt. Me gjithë kritikat e Ramës, Shqipëria – së bashku me Serbinë – është një nga dy vendet në Ballkanin Perëndimor që tashmë ka arritur të fillojë vaksinimin.

Në fillim të janarit, qeveria e Tiranës njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e 500.000 dozave të vaksinës Pfizer/ BioNTech, nga të cilat 10.000 kanë mbërritur tashmë në vend. Megjithatë, Rama refuzoi ta bënte marrëveshjen publike, duke përmendur “sekretin tregtar”. Fushata e vaksinimit do të mbulojë në fillim afro 23.000 punonjës në sektorin e kujdesit shëndetësor, së bashku me personat mbi 75 vjeç.

Por sipas medias lokale, rruga e kësaj fushate vaksinimi do të jetë e gjatë: parashikimet më optimiste flasin për të paktën 14 muaj, ndoshta deri në 2 vjet. Situata në Serbi është më dinamike. Beogradi arriti të nisë në mënyrë simbolike vaksinimet që më 24 dhjetor, kur kryeministrja Ana Brnabic ishte ndër të parat që mori dozën e parë të vaksinës (Pfizer/BioNTech, dërgesa e parë 5.000 doza).

Serbia e bëri të qartë se dëshironte të shihte të gjitha opsionet e mundshme, për të siguruar sa më shpejt sasi të konsiderueshme të vaksinave. Më 6 janar, mbërritën në Beograd dozat e para të vaksinës “Sputnik V” të zhvilluara në Federatën Ruse. Qeveria serbe ka blerë në total 2 milionë doza nga kjo vaksinë, nga të cilat 250.000 do të mbërrijnë këto ditë.

Disa ditë më parë, më 16 janar, në aeroportin e Beogradit mbërriti një ngarkesë tjetër me 1 milion doza të vaksinës kineze “Sinopharm”, ndërsa qeveria njoftoi blerjen e mëtejshme të 8.000 dozave të vaksinës së Oxford/AstraZeneca, falë një marrëveshjeje dypalëshe me Poloninë.

Kësisoj, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që është sot i aftë të nisë vaksinimin në masë. Për këtë arsye, është krijuar një sistem regjistrash online në faqen e qeverisjes elektronike të qeverisë serbe. Dhe deri më 20 janar ishin regjistruar zyrtarisht 436.000 njerëz, kryesisht mbi 50 vjeç.

Vaksinimi parashikohet të fillojë në shkurt, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Kosovë. Që të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje me Pfizer/BioNTech, por shpërndarja e dozave të para do të duhet të presë edhe disa javë.

Për momentin, Shkupi ka njoftuar se ka siguruar 800.000 doza të kësaj vaksine deri në fundin e vitit 2021. Data e parë e vaksinimit mbetet ende të përcaktohet, por vaksinat e para do të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut falë një donacioni nga ana e Serbisë, që do t’i japë së shpejti rreth 8.000 vaksina.

Më 6 janar, edhe Kosova deklaroi se i pret në shkurt vaksinat e para. Në total, Prishtina ka siguruar blerjen e 535.000 dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech përmes një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë me kompaninë farmaceutike, dhe 600.000 të tjera falë një marrëveshjeje dypalëshe me qeverinë austriake (plus 720.000 doza nga sistemi COVAX).

Ndërkohë, një sasi simbolike e vaksinave pritet të mbërrijë nga Shqipëria, siç njoftoi së fundmi Edi Rama. Por çështja e vaksinave në Kosovë, ka shkaktuar një debat serioz. Më 24 dhjetor 2020, kur qeveria serbe njoftoi shpërndarjen e disa dozave në veri të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbët, institucionet kosovare reaguan ashpër dhe presidentja e përkohshme Vjosa Osmani foli për një “shkelje flagrante të marrëveshjeve të Brukselit”.

Homologu serb Aleksandar Vucic reagoi shpejt: “Ne nuk dërguam atje artileri apo tanke, por ilaçe”, tha ai, duke shtuar se ishte i gatshëm të ndihmonte edhe popullatën shqiptare. Në një klimë mosbesimi të vazhdueshme, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për përdorimin e çështjes për qëllime politike.

Në garën e vaksinave në Ballkanin Perëndimor, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi aktualisht kanë mbetur prapa. Për arsye të ndryshme, të dyja vendet nuk kanë arritur ende të sigurojnë vaksinat dhe fati i fushatave të tyre të vaksinimit mbetet për momentin pa perspektiva konkrete.

Deri më tani, Podgorica është përqendruar vetëm në mekanizmin COVAX, i cili për momentin nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Kjo ka nxitur polemika të ashpra mbi qeverinë aktuale të Kryeministrit Krivokapic, i cili kohët e fundit mori detyrën, duke akuzuar qeverinë e mëparshme, të dominuar nga figura e presidentit “të përjetshëm” Milo Dukanovic, për dështimin për të menaxhuar çështjen delikate.

Duke ndjekur shembullin e Serbisë fqinje, Mali i Zi nuk përjashton asnjë mundësi, përfshirë furnizimet me vaksina nga Federata Ruse ose Kina. Shpresa e qeverisë është që dozat e para mund të mbërrijnë në fund të janarit, por mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë.

Edhe Bosnja shpreson të marrë dozat e para deri në fund të këtij muaji. Por sa i përket Malit të Zi, nuk ka ende asgjë të sigurt. Qeveria qendrore ka porositur blerjen e 1.2 milionë dozave përmes mekanizmit COVAX. Ndarjet politike, kanë sabotuar çdo përpjekje për të eksploruar rrugë alternative për blerjen e vaksinave./ “Balcani Caucaso”

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.