Aktualitet

Debat mes PS dhe PD në komision për inceneratorët, Felaj: Përgjigjet kanë ardhur, të vijojë hetimi! Boçi: Mungojnë dokumentet nga banka

14:35 - 07.12.21 Gazeta Shqiptare

Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Hetimor mbi Inceneratorët pati diskutime mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës në lidhje me ardhjen e përgjigjeve nga institucionet që kanë dijeni në lidhje me objektin e hetimit.



Ishte përfaqësuesja e Partisë Socialiste në Komision, Ermonela Felaj, ajo që kërkoi që të vijonte hetimi, pasi sipas saj dokumentet kryesore në lidhje me kontratat koncesionare kanë ardhur dhe komisioni duhet të vijojë punën më tej me thirrjen e dëshmitarëve dhe procedurat e tjera.

Por, kërkesa e socialistëve hasi në kundërshtimin e opozitës, ku deputeti Luçiano Boçi deklaroi se mungesa e informacioneve nga banka dhe institucione të tjera publikë bën që hetimi të mos jetë i plotë dhe i rregullt. Sipas tij mungesa e kthim-përgjigjes nga disa institucione është tregues i frikës që ka kapur aktorët politik dhe privat të përfshirë në këtë çështje.

Pjesë nga diskutimi:

Ermonela Felaj: Në fakt për korrektësi unë e kam ngritur edhe në mbledhjen e fundit, do të duhet që administrimi të bëhet shkresë më shkresë. Nuk po kërkoj që kjo të përsëritet pasi tabela na bën të kuptojmë informacionet për institucionet që kanë kthyer përgjigje, sidoqoftë nuk e zëvendëson aktin e leximit të çdo shkrese

Kanë ardhur në Kuvend të treja kontratat koncesionare, Fieri, Elbasani dhe Tirana janë në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkesa thelbësore e gjërave ka ardhur dhe ne mund të operojmë më tej. Përderisa objekti i hetimit janë procedurat e ndjekura për ndërtimin e impianteve do të thotë që dokumentet janë dhe ne mund të procedojmë me to. Gjykoj që dokumentacionin e kemi dhe mund të vijojmë më tej në avancimin e hetimit të këtij komisioni.

Luçiano Boçi: Ajo që është pjesa më qesharake është që kërkesat e maxhorancës në shumicën e tyre janë plotësuar ndërsa kërkesat tona nuk janë sjellë, qoftë nga institucionet shtetërore, ashtu edhe bankat.

Unë shoh që ka një lloj panikimi dhe për këtë më vjen mirë. Që në këtë hisori të gjithë ata që po hetohen dhe janë akuzuar politikisht janë të frikësuar, kanë një tendencë për të bllokuar dhënien e informacionit përballë këtij komisioni. Por ka dhe një anë qesharake, në diferencën e dhënies së përgjigjes, ku maxhorancës po i njëjti institucion, po marr inceneratorin e Elbasanit, bashkia Elbasan ka pasur kohë që maxhorancës t’i japë përgjigje, ndërsa opozitës për kërkesën e saj nuk ka gjetur kohë. Diferencimi që bëjnë në kthimin e përgjigjes flet qartë për mënyrën e qëndrimit të tyre, por është edhe tregues i frikës.

Ne nuk mund të klasifikojmë të dhënat, që këto janë kryesore dhe të vazhdojmë dhe këto të tjerat janë dytësore. Të gjitha informacionet të cilat kemi kërkuar ne janë shumë kryesore dhe pa të cilat nuk mund të vazhdohet një hetim i plotë dhe i rregullt. Dihet shumë mirë se duhet të ndjekësh paranë për të gjetur gjurmët e krimit dhe autorët që kanë ekzekutuar krimin dhe ne për këtë po kërkojmë dhe do të insistojmë në këtë gjë.

 

 

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.