Aktualitet

Ndryshon buxheti në fund të vitit/ Jepen para për shpërblimin e pensionistëve, rindërtimin dhe borxhin e bashkive

16:00 - 07.12.21 Gazeta Shqiptare

Qeveria ka ndryshuar për të gjashtën herë me akt normativ, buxhetin e vitit 2021.



Financat kanë vënë në dispozicion fondin për bonusin e pensionistëve prej 3.5 miliardë lekë, ku tashmë rreth 638 mijë pensionistë do të përfitojnë shpërblimin prej 5 mijë lekë.

Sipas aktit normativ të botuar në Fletoren Zyrtare, shpenzimet buxhetore me këto ndryshime rriten me 18.2 miliardë lekë duke e çuar totalin e tyre në 610 miliardë lekë.

Veç bonusit të pensionistëve, një pjesë e konsiderueshme ka shkuar shtesë për rindërtimin duke e çuar në 35 miliardëve lekë fondin, nga 28 miliardë lekë që ishte planifikuar më herë.

Po ashtu qeveria ka alokuar dhe 500 milionë lekë si transfertë specifike për 61 bashkitë e vendit për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, një nga shqetësimet kryesore të pushtetit vendor.

Ndër të tjera, me rialokimet e fundit 600 milionë lekë fonde të pashfrytëzuara brenda dikasterit të bujqësisë kanë shkuar si mbështetje direkte për blegtorët dhe bletarët.

Financat kanë rritur pritshmëritë edhe për të ardhurat buxhetore duke e çuar totalin e tyre në 507.7 miliardë lekë në fund të vitit, në rritje me rreth 18.2 miliardë lekë më shumë se akti i parafundit normativ i buxhetit.
Teksa të ardhurat dhe shpenzimet janë prekur, defiçiti buxhetor ka mbetur i pandryshuar dhe planifikohet në vlerën e 120.5 miliardë lekëve në fund të këtij viti.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.