AKTUALITET

Skuterat elektrikë po na vrasin

17:24 - 24.11.22 E.D
GSH APP Get it on Google Play

Disa ditë më parë, afër Tajvanit, Tiranë, një i ri përplasi me skuterin e tij 3 gra.




Pak ditë më pas, Ismet Beqiraj, anëtar i Komisionit të veprimtarisë prodhuese ngriti problemin e përdorimit të skuterave elektrikë duke thënë se kolegia e tij kishte shpëtuar për pak nga përplasja me një person që përdorte skuter. Të njëjtin shqetësim e kishte edhe kryetari i Komisionit, Arben Pëllumbi i cili jo më larg se një ditë më parë kishte shpëtuar nga përplasja me një person që përdor skuter.

Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore thotë për Gazetasi.al se prej 2 vitesh, që kur skuterat filluan të përdoren gjatë pandemisë, janë kthyer në një burim rreziku për aksidente.

“Padyshim përbëjnë një burim të shtuar rreziku për aksidente. Ato drejtohen nga njerëz që nuk respektojnë asnjë rregull të qarkullimit rrugor dhe shumë vende në botë po i heqin nga qarkullimi”, thotë Qibini i cili shton se për shkak të gjithë problemeve që kanë sjellë, po diskutohet se kush duhet t’i drejtojë, mosha dhe çfarë leje drejtimi duhet të ketë.

“Po diskutohet edhe vendi se ku duhet të qarkullojnë në rrugë. Unë mendoj se duhet të lëvizin tek korsitë e biçikletave, jo korsitë e automjeteve”, thotë Qibini.

Ky mjet nuk furnizohet me lëndë djegëse por me energji elektrike, është komod dhe shpejtësia e tij arrin 20 kilometër për orë deri në 70 kilometër për orë. Shpejtësi e cila mund të përbëjë rrezik për përdoruesit e saj apo kalimtarët rastësorë.

A “i njeh” kodi rrugor skuterat?

Blendi Gonxhe, drejtori i DPSHTRR ka thënë për Gazetasi.al se qarkullimi i tyre është i rregulluar me VKM 153, “rregullorja e Kodit Rrugor”, e shkeljet kryesore që bëjnë personat që i drejtojnë janë:

Mosvendosja e kaskos, mos bërja të dallueshëm natën, mungesa e dritave para dhe mbrapa, tejkalimi i shpejtësisë, mos sinjalizim krahu në kthesa, mos respektim semaforësh etj.

Përderisa ka ligje që mund të ndëshkojë drejtuesit që po shkaktojnë aksidente, pse nuk zbatohet?

“Moszbatimi, vështirësia në zbatim apo pamundësitë janë hall më vete, por rregullat bazë janë në fuqi. Mjafton ta nisim me to”, thotë Gonxhe.

Por, Altin Qato, drejtor i policisë rrugore tha në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, tregtinë dhe mjedisin se policia rrugore i ka kapacitetet rrugore por nuk janë kapacitetet administrative për të monitoruar shkeljet nga përdoruesit e skuterave.

“Duke qenë se nuk kanë një dokumentacion për përdorimin e tyre, është e pamundur të ndëshkohen. Duke mos patur leje drejtimi apo targim të tyre, krijohen hapësirat për abuzimet që po bëhen”, tha Qato duke shtuar se edhe këshillimi i drejtuesve të këtyre mjeteve është e pamundur pasi angazhimi i policisë rrugore është i madh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.