OPINION

Sfidat globale: Fundi apo fillimi i historisë!

16:12 - 26.11.22 ARBEN PAPA
GSH APP Get it on Google Play

NGA ARBEN PAPA




Zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare kanë sjellë në vëmendje pyetjen e shtruar më se 30 vjet më parë, nëse përfundimi i Luftës së Ftohtë do të sillte apo jo fundin e historisë së luftërave e të betejave ideologjike dhe fillimin e një epoke të begatë në të gjitha drejtimet.

Pas Luftës së Ftohtë, një optimizëm i arsyeshëm lindi te shumë teoricienë të politikës e diplomacisë mbi triumfin dhe zgjerimin e pandalshëm të demokracisë. Dhe kjo jo pa baza. Rënia e komunizmit si sistem politik, ekonomik e shoqëror, afro 50 vjet pas disfatës së fashizmit u duk se i zgjidhi debatet e mëdha ideologjike të kohës.

Studiuesi i njohur amerikan, Francis Fukuyama, predikoi në atë kohë “fundin e historisë” së konflikteve globale dhe universalizmin e demokracisë liberale perëndimore. Sipas tij, këtej e tutje mund të ndodhin vetëm konflikte etnike apo sektare dhe diskutimet tanimë do ishin më tepër për çështje të inovacionit teknologjik, të ambientet, plotësimit sa më mirë të kërkesave në rritje të konsumatorëve dhe zgjerimit të të drejtave të njeriut në mbarë botën. Teoricieni tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Samuel P. Huntington, shkoi më tej kur u orvat të argumentonte se pas Luftës së Ftohtë do të ketë vetëm përplasje apo konflikte mes qytetërimeve, që kanë në themel kultura dhe fe të ndryshme. Sipas tij, konflikte mund të ketë vetëm mes shteteve me qytetërime të ndryshme. Megjithatë, ai konkludoi me një dozë optimizmi se e ardhmja e paqes në botë do të varet nga mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i udhëheqësve politikë e shpirtërorë të qytetërimeve më të mëdha të botës.

Në fakt, gjithnjë e më tepër ka një opinion të gjerë studiuesish që argumentojnë se jemi ende në fillim të historisë. Në kundërshtim me fundin e historisë dhe lulëzimin e një epoke të re “posthistorike”, vrojtues dhe analistë të çështjeve ndërkombëtare kanë vënë në dukje atë që quhet potenciali i njerëzimit për të asgjësuar vetveten, që nuk ka ndryshuar.

Në agim të Luftës së Ftohtë, në 1946 pas shpikjes së bombës bërthamore, shtetari i madh britanik Winston Churchill, u shpreh pa doreza se “epoka e gurit mund të kthehet”, se përparimi i shkencës mund të sjellë “shkatërrim total të njerëzimit”. Ky rrezik mbetet aktual në ditët e sotme. Nuk është vetëm rreziku i përdorimit të armëve nukleare, sasia e të cilave mund ta shkatërrojë mijëra herë planetin, por janë edhe rreziqe të tjera kërcënuese për njerëzimin, si pandemitë, armët e nanoteknologjisë, dëmtimi i ambientet e ndryshimet klimaterike apo deri tek Inteligjenca Artificiale e pakontrolluar. Ndonjë shkencëtar i kohës sonë e percepton akoma më të zymtë situatën, kur mendon se shanset e njerëzimit për mbijetesë në shekullin e 21 janë në përqindje 50 me 50.

Për shembull, progresi në bioteknologji mund të sjellë përfitime të mëdha në shëndetësi, në terapinë e gjeneve ndaj sëmundjeve të ndryshme deri në ato të pashërueshme, por krijimi i viruseve të modifikuara gjenetikisht bën që ndonjë laborator mund të kthehet nga pakujdesia në një “armë” biologjike nëse patogjene e viruse të rrezikshme dalin jashtë kontrollit dhe sjellin pandemi të tilla si ajo e Covid-19. Ose Inteligjenca Artificiale mund të jetë shpikje e madhe për drejtimin e teknologjive të reja, robotëve etj., por nëse kjo lloj teknologjie del jashtë kontrollit mund të ketë pasoja katastrofike për njerëzimin. Më tej akoma, për shkak të rritjes së efektit serë dhe ngrohjes globale veçanërisht për arsye njerëzore, në një kohë jo shumë të largët do të bëhej e pamundur mbijetesa në tokë dhe njerëzit do kërkonin të banonin në një planet tjetër.

Rendi botëror ndodhet sot nën një kërcënim serioz, çka Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë i SHBA, Richard Haass, e cilëson si dekadë e rrezikshme. Këtë e dëshmon qartë agresioni brutal rus ndaj Ukrainës fqinje, që ka sjellë një krizë në përmasa globale. Shtojmë këtu rritjen e toneve agresive të Kinës për pushtimin dhe aneksimin e Tajvanit, provokimet deri në kërcënim bërthamor të Koresë së Veriut ndaj Koresë së Jugut etj.

Në skenën ndërkombëtare po rigjallërohen aspekte të gjeopolitikës tradicionale. Rusia e Putinit me forcën e armëve i është kthyer rivendikimeve tokësore ndaj fqinjëve të vet, duke shkelur rëndë normat themelore ndërkombëtare. Sulmi ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe luftimet e ashpra atje, mund të sjellin përdorimin nga Rusia të armëve taktike bërthamore. Kjo mund të çonte në një përhapje të gjerë të konfliktit deri në Luftë të tretë Botërore, me përmasa apokaliptike për njerëzimin dhe “rifillim” të historisë njerëzore.

Me një logjikë të ftohtë jemi në një dekadë të rrezikshme. Por ndonjë kokë e nxehtë kryeshtetari autokrat e luftënxitës mund të prodhojë ngjarje dramatike e tragjike brenda javësh apo ditësh. Atë që sjell sahati nuk e sjell moti, thotë populli ynë për çdolloj ngjarje. Edhe kur bëjmë fjalë për situatën ndërkombëtare, natyra e kërcënimit dhe mjetet për t’u përballur me të mund të ndryshojë brenda natës apo brenda orësh.

Lufta Rusi-Ukrainë ka sjellë tronditje të gjithanshme në gjeopolitikën ndërkombëtare, me pasoja të mëdha politike, ekonomike e sociale në gjithë globin. Natyrisht, vuajtja më e madhe është për popullin ukrainas, për të vrarët e plagosurit e shumtë, djegiet e shkatërrimet e mëdha, zhvendosjet dhe emigrimet masive, lënia pa ujë dhe energji elektrike, për shkak të bombardimeve të qëllimshme ruse, të milionave banorëve ukrainas, të cilët luftojnë në të drejtën e tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial te vendit te vet.

Dramë më vete është pafuqia e diplomacisë dy dhe shumëpalëshe si për ta parandaluar ashtu dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte që po mbush muajin e 9 të saj. Diskutimet, për shembull, se kush i hodhi dy raketa në fshatin kufitar polak, me dashje apo pa dashje, aksidentale apo jo, etj. kanë rëndësinë e tyre për të mos sjellë deri në konflikt luftarak Rusi-NATO. Megjithatë, mbetet themelore çështja se si do ulen palët ruse dhe ukrainase në negociata të nivelit të lartë për përfundimin e luftës dhe arritjen e paqes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.