Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, vrasjet, djegiet, shpërthimet e depove sollën një situatë surreale në Shqipëri, marsin e vitit 1997. Në situatën e një lufte civile, “Gazeta Shqiptare” dhe gazetat e tjera e pezulluan përkohësisht botimin.
Në pamundësi pra, për t’ju sjellë si çdo ditë “GSH”-në e 20 viteve më parë, do të botojmë (përsëri, përkohësisht) në këtë rubrikë foto dhe video të marsit ’97 për të njohur ose kujtuar çmendurinë kolektive që na përfshiu 2 dekada më parë.
Si sot në vitin 1997 15 mars
Në ekranin e TVSH shfaqet gjithë ditën thirrja ATDHEU NE RREZIK!.
Franz Vranitski emërohet për të zgjidhur krizën shqiptare. Ambasadorja amerikane del në ekranin e TVSH ku deklaron se misioni diplomatik i SHBA nuk do të largohet. Ajo gjithashtu deklaron se populli amerikan është me popullin shqiptar në këto momente të vështira.
Në Tiranë fillon çarmatimi i popullsisë. Sulmohet një plantacion duhani me vlerë 10 milion $ amerikanë. Sulmohet fabrika e Coca-Cola, nga të paktat investime shumëkombëshe në Shqipëri. Jep dorëheqjen shefi i SHIK, Bashkim Gazidede.
Rebelët pushtojnë portin e Durrësit. 6000 armë merren nga depot në Ersekë.