Intervista

Elidon Kotorri, i dënuari për vrasje flet nga qelia: Çfarë kërkoj nga presidenti Nishani

09:26 - 17.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Rezarta DELISULA

 

“Kam kryer 21 vite burg e kërkoj që ato vite që më kanë mbetur t’i kryej në një burg të sigurisë së ulët”. Kështu shprehet Elidon Kotorri për “Gazeta Shqiptare”, një nga të burgosurit që gjysmën e jetës e ka kaluar në qeli nën kushte të rrepta sigurie. “Nuk po kërkoj favor, absolutisht, por kërkoj atë që më takon me ligj, me rregullore”, shton i burgosuri në burgun e sigurisë së Lartë në Fushë-Krujë. Elidon Kotorri është dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e Andi Hasanit, njeriut që i vrau shokun e tij të ngushtë, Elton Zajmin. Ngjarja ka ndodhur 13 muaj pas humbjes së mikut të tij. Edhe pse ka kryer më shumë se ¾ e dënimit, Elidon Kotorri, sot 42-vjeçar, u kërkon presidentit, ministrit të Drejtësisë dhe kryeprokurorit të merret parasysh kërkesa e tij për uljen e masës së sigurisë.

Ju vuani dënimin në burgun e sigurisë së lartë për vrasje; sa vjet keni kryer?

Kam kryer 21 vjet burg, nga 25 që jam dënuar.

Prokuroria kërkoi burg përjetë, ndërsa ju jeni dënuar me 25 vite burg; kush jua uli dënimin?

Ishte Gjykata e Strasburgut ku unë ankimova dënimin tim. Kjo gjykatë europiane e ktheu dosjen pasi vërejti shkelje të rënda. Shkalla e parë dhe Apeli më kanë dënuar me 25 vjet burg ndërsa çështja vazhdon ende në Gjykatën e Lartë.

Ju keni bërë disa kërkesa për kalimin tuaj nga një burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së ulët; pse?

Sipas ligjit më takon kjo e drejtë, pasi unë kam plotësuar të gjitha kushtet.

Çfarë favoresh do të keni ju në një burg me siguri më të ulët?

Unë kam zbatuar rregulla të ashpra të sigurisë së lartë prej 21 vjetësh dhe sipas ligjit e rregullores më takon të kërkoj zhvendosjen në një burg të sigurisë së ulët. Unë kaq po kërkoj, e kjo më takon me ligj.

Pse nuk janë marrë parasysh kërkesat tuaja nga gjykata?

Pasi iu duket vetja “zotni”. Pasi nuk duan t’ia dinë për ligj, Kod Penal e Kushtetutë, dhe e di mirë se sot do të marr vendimin e radhës; Shko të të gjykojë Kruja, që do të thotë 2 vjet sorollatje, e vazhdo sorollatu. Prandaj u lutem presidentit, ministrit të Drejtësisë dhe kryeprokurorit që kërkesat e mia të merren parasysh, sepse jam konform ligjit dhe mbetem me shpresë në dorën e tyre që këto varavingot e mia të marrin fund një herë e mirë.

Çështja juaj gjykohet sërish sot, çfarë kërkoni?

Unë jam duke bërë gjyqin e kushtit, kurse gjykatat lozin me jetën time e të familjarëve të mi.

 

 

Kush është Elidon Kotorri, i riu që u hakmor pasi i vranë shokun

Më datë 14 dhjetor 1998, në ambientet e jashtme të klubit sportiv “Partizani” u vra me armë zjarri Elton Zajmi. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Tiranës akuzoi Andi Hasanin. 13 muaj më vonë, në një atentat te stacioni i fundit i Tiranës së Re, gjeti vdekjen Andi Hasani, i cili ishte në makinën e tij tip “Volvo”, së bashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani. Sipas prokurorisë, Kotorri iu vu pas vrasësit të shokut dhe te “Vasil Shanto”, ka qëlluar me armë zjarri kundrejt tyre. Nga të shtënat mbetën të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli, ndërsa Gregor Stefani mbeti i plagosur.

Po sipas dosjes së dorëzuar nga prokuroria, Kotorri është kthyer me motor në vendngjarje për të mësuar faktin nëse kishte vdekur apo jo Andi Hasani. Nga këqyrja e saj rezulton se janë gjetur dy armë automatike kallashnikov, një mitraloz i lehtë, dy maska të trikotuara, me vrima te sytë, një pallto, një pardesy, dorashka, kapele sintetike dhe 38 copë gëzhoja. Sipas aktit të ekspertimit balistik, nga 67 gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje, 28 gëzhojat janë qitur prej automatikut nr. 2006909 dhe 39 gëzhoja janë qitur nga mitralozi i lehtë me nr. 904603 të sekuestruara në vendngjarje. Për ngjarjen u akuzua dhe dënua Elidon Kotorri dhe shoku i tij Koçiu.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.