Intervista

Babai i të kërkuarit për rrëmbim: Nëse e ka bërë djali im, të dënohet përjetë

22:00 - 19.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




(Sadik Ogiçi, i ati i Adrian Ogiçit)

 

Xhensila KODRA

 

Ndërsa po bëhen dy vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e Ridvan Lamajt në qytetin e Sarandës, familjarët e tij vazhdojnë të enden sallave të gjyqeve me shpresën se një ditë do të mundin t’i gjejnë eshtrat. Pak ditë më parë, Asqeri Lamaj, babai i 37-vjeçarit tha për “Gazeta Shqiptare” se nuk kërkon as dënimini e autorëve, thjesht të gjejë trupin e të atit.

Aktualisht, prapa hekurave ndodhet 30-vjeçari Vitor Islami, lindur në Pukë, (intervistën e tij nga qelia mund ta lexoni KETU) ndërsa Adrian Ogiçi nga Saranda vijon të jetë në arrati. Të dy këta persona akuzohen për veprat penale “Rrëmbim personi” dhe “Trafikim i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Sadik Ogiçi, babai i Adrianit që është në kërkim nga policia për rrëmbimin e Ridvan Lamajt në Sarandë thotë se i biri ka frikë të vetëdorëzohet, sepse do të dënohet për diçka që nuk e ka bërë ai. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 58-vjeçari rrëfen se i biri është larguar drejt Holandës vetëm një ditë pasi pretendohet të jetë rrëmbyer Ridvani dhe se biletën e kishte prerë ditë më parë. “Djali më ka thënë se Ridvanin dhe Vitorin i ka çuar deri afër kufirit grek dhe më pas është kthyer”, thotë 58-vjeçari. Ai i bën thirrje gjykatës që ta shohë me imtësi dosjen dhe të gjendet autori i pengmarrjes. “Nëse djali im ka gisht në ngjarje, le të dënohet me burgim të përjetshëm dhe të marrë dënimin e merituar”, pohon Sadik Ogiçi. Për Ardian Ogiçin, organ i akuzës ka kërkuar dënimin me 20 vjet heqje lirie për rrëmbim personi. Po për të njëjtën akuzë, prokuroria ka kërkuar dënimin me 19 vjet burg për mikun e tij, Vitor Islamin, i cili që prej një viti ndodhet pas hekurave. Pak ditë më parë, Asqeri Lamaj, baba i Ridvanit tha për “GSH” se vijon kërkimet për eshtrat e të birit.

Zoti Sadik, djali juaj Adriani akuzohet se ka gisht në rrëmbimin e Ridvan Lamajt në qytetin e Sarandës. Cili është reagimi juaj si prind?

Djali im ka pasur shumë shoqëri me Ridvanin. Nuk di të kenë pasur ndonjë konflikt me njëri-tjetrin. Për këtë gjë kam pyetur edhe vëllezërit e Ridvanit dhe më kanë thënë se nuk kanë pasur asnjë konflikt. Nuk besoj se e ka bërë djali im këtë gjë, sepse nuk ka pasur asnjë lloj arsye. Para një jave djali im i kishte dhënë Ridvanit 150 euro borxh. Këtë gjë ma ka thënë vëllai i tij. Jam i sigurt se djali im nuk do të zihej kurrë jo me Ridvanin, por me asnjë person tjetër që e konsideronte si shok për kaq para.

Ju ka treguar Adriani për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur me Ridvanin?

Jo nuk më ka thënë asgjë. Dhe nuk besoj se ata kanë pasur ndonjë konflikt. Ata hanin e pinin çdo ditë bashkë. Nëse do të ishin zënë do merrej vesh se qytet i vogël është dhe në mos njëri, tjetri do të më thoshte.

Keni biseduar me djalin, ku ndodhet djali juaj?

Kam biseduar. Ndodhet në Holandë. Kur kam biseduar me djalin më ka thënë se Ridvanin dhe Vitorin i kishte çuar deri afër kufirit grek dhe më pas ishte kthyer dhe që nga ai moment nuk ka pasur dijeni ç’është bërë me të.

Kur është larguar nga Shqipëria?

Ka ikur një ditë pasi pretendohet të jetë bërë rrëmbimi i Ridvanit. Djali im kishte ditë që e kishte prerë biletën. Menjëherë pasi po flitej se djali im kishte lidhje me ngjarjen kam biseduar me të dhe i kam thënë se çfarë po thuhej. Adriani më kërkoi numrin e shefit të komisariatit të Sarandës që të bisedonte me të.

(27-vjeçari i zhdukur që nga shtator 2015, Ridvan Lamaj)

Çfarë ju ka thënë Adriani?

Nuk ka lidhje me ngjarjen. “Unë kam ngrënë e kam pirë me të”, më ka thënë “dhe s’mund t’ia bëja atij këtë gjë”. Pas disa ditësh më kanë marrë edhe mua në polici dhe më kanë bërë presion që të tregoja çfarë dija. I kam thënë se nuk di asgjë, sepse kështu është e vërteta.

E keni pyetur djalin pse nuk kthehet e të vetëdorëzohet në polici?

Nuk kthehet, sepse kur u dorëzua vetë Vitori që po e akuzojnë po për të njëjtën gjë dhe po kërkojnë ta dënojnë, është frika që e mban duke qenë se ai nuk ka asnjë gisht në ngjarje.

Pas ngjarjes policia tha se Adriani dhe Vitori kanë pasur një konflikt me Ridvanin për një transport lëndësh narkotike drejt Greqisë. Keni pasur dijeni për këtë gjë?

Kjo gjë është aq e vërtetë saqë prokuroria e pushoi si çështje. Nëse kjo akuzë do të ishte e vërtetë siç u tha në fillim, çështja do të vazhdonte. Ka pasur shumë dëshmitarë që ndryshe kanë thënë në polici e ndryshe janë shprehur në sallën e gjyqit. Dhe për këtë gjë unë mendoj se këta dëshmitarët kanë pasur presion nga i vëllai i Ridvanit. Di që njëri prej vëllezërve të tij është polic dhe dëshmitarët janë pyetur në prani të tij. Kjo gjë është e jashtëligjshme.

Prokuroria ka kërkuar 20 vjet burg për djalin tuaj, kërkesë kjo e bërë në mungesë. Nëse gjykata i jep këtë vendim, do ta ndiqni çështjen?

Patjetër që po. Do ta ndjek hap pas hapi deri në Gjykatën e Lartë e deri te Kushtetuesja. Unë jam i gatshëm të kontribuoj me familjarët e Ridvanit për ta gjetur atë. Ata kanë plotësisht të drejtë dhe unë e kuptoj shumë mirë këtë gjë, sepse jam prind vetë. Unë uroj që Ridvani të jetë gjallë, sepse ka persona që largohen nga familja dhe kthehen pas disa vitesh. Do jem unë më i lumtur se familjarët e tij që ai të kthehet, sepse për zhdukjen e tij po akuzohet djali im që po rri larg tre fëmijëve të tij dhe unë që nuk po e shoh me sy. Unë jam i gatshëm në çdo moment të takohem me familjarët e Ridvanit dhe së bashku me ta të kërkojmë për Ridvanin, sepse faji i ka rënë djalit tim.

Një thirrje ndaj autoriteteve shqiptare që ju keni?

Hetuesit ta shikojnë me përparësi këtë çështje dhe nëse im bir ka dorë në këtë ngjarje le ta dënojnë jo me 20 vjet, por me burgim të përjetshëm. Nëse ka një fakt apo një provë sado më të vogël, le të dënohet përjetësisht dhe fëmijët e tij do t’i rris unë. Nëse ka dorë djali im le të dënohet për vrasje dhe jo për pengmarrje. Hetuesit të gjejnë se kush është autori i pengmarrjes.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.