Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, vrasjet, djegiet, shpërthimet e depove sollën një situatë surreale në Shqipëri, marsin e vitit 1997. Në situatën e një lufte civile, “Gazeta Shqiptare” dhe gazetat e tjera e pezulluan përkohësisht botimin.
Në pamundësi pra, për t’ju sjellë si çdo ditë “GSH”-në e 20 viteve më parë, do të botojmë (përsëri, përkohësisht) në këtë rubrikë foto dhe video të marsit ’97 për të njohur ose kujtuar çmendurinë kolektive që na përfshiu 2 dekada më parë.
Si sot në 27 Mars 1997
Në Parlament shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede nëpërmjet një deklarate përpiqet t’u veshë revoltave anti-qeveritare në jug skenare konspirative greke. Ndërkohë një masakër e rëndë ndodh në rrugën Tiranë – Elbasan. Një bandë e armatosur merr peng një autobuz linje duke vrarë një fëmijë 6 vjeç dhe duke plagosur 7 të tjerë.
Trazirat e marsit 1997, në Shqipëri, ishin një komplot ndërkombëtar për ndarjen e vendit, ku morën pjesë shovinistët grekë, lobet e tyre në SHBA, këshilltarë të administratës së z. Klinton. Këtë përfundim nxirrte interpelanca e Bashkim Gazidedes, në Parlament. Ndonëse ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti, pas krijimit të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Gazidede vijonte të ishte kryetar i SHIK-ut, derisa të shqyrtohej çështja e dorëheqjes.