SPORT

Lacio, shtatë “të shtëna”, Interi turpërohet sërish

09:50 - 08.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Jeton SELIMI

Lacio blindon vendin e katërt në Serinë A me një fitore me goleadë ndaj Sampdorias në “Olimpico”. 7-3 përfundoi ky takim, ku në listën e golashënuesve të Lacios u përfshinë plot 6 lojtarë, ndërsa Imobile realizoi dopietë. Titullar në portën e bardhekaltërve u aktivizua Thomas Strakosha, që edhe pse pësoi 3 gola bëri një paraqitje pozitive. Keita Balde shënoi që në minutën e dytë, pas infiltrimit të Milinkovic-Savic. Kartoni i kuq ndaj Milan Skriniar, që shkaktoi 11-metërsh, kushtëzoi vazhdimësinë e ndeshjes.

Nga pika e bardhë e penalltisë nuk gaboi Çiro Imobile për golin e 2-0. Lineti në të 32-ën ngushtoi diferencën në 2-1, ndërsa në fund të pjesës së parë, skuadra e Simone Inzaghit gjeti edhe tri herë të tjera rrugën e rrjetës me Hoedt, Anderson me 11 metërsh dhe De Vrij. Në pjesën e dytë Lacio e thelloi në 7-1 diferencën me Luliç dhe Imobilen, ndërsa Kuajliarela realizoi dy golësh për Sampdorian, në një rast me 11-metërsh, për rezultatin përfundimtar 7-3.

Tjetër zhgënjim për Interin, që u mposht 1-0 në “Luiggi Ferraris” nga Xhenoa. Goli i një ishi zikaltër si Goran Pandev, pas traversës së Velosos vendosi këtë takim, me skuadrën e Piolit që pësoi humbjen e pestë në 6 ndeshjet e fundit. 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Candreva humbi një 11 metërsh, ndërsa Kondogbia pak minuta më vonë u ndëshkua me karton të kuq. Fiorentina arriti të barazonte 2-2 në fushën e Sasuolos në minutën e katërt shtesë, ndërsa nga minuta e 72-të luajti me një lojtar më pak pasi Rodriguez mori karton të kuq. Në të 33-tën Kaliniç humbi një 11 metërsh për Fiorentinën, gjithsesi, katër minuta më pas Kieza i dha avantazhin skuadrës vjollcë. Penalltinë e shkaktuar nga Rodriguez në të 72-ën e shndërroi në gol Politano, ndërsa Imelo realizoi me kokë të dytin në të 86-ën. Edhe pse në inferioritet numerik Fiorentina gjeti forca për të shmangur humbjen duke barazuar me Bernardeschin në limitet e shtesës.

Sfida e “Friulit” mes Udinezes dhe Atalantas u mbyll në barazim 1-1. Në pjesën e parë shënoi Kristante për bregamaskët, por në Periça në të 53-ën arriti ta mposhtte Etrit Berishën vetëm në tentativën e dytë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.