MILOSAO

Amaneti i papërmbushur i prof. Norbert Joklit -Në përkujtim të 75-vjetorit të humbjes –

11:20 - 25.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Agron Alibali*




Në vjeshtën e vitit 1943, në mes të Luftës II Botërore, një grup studiuesish të Universitetit të Harvardit përgatiti një skedë për profesorin e njohur Norbert Jokl.
Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kishin themeluar Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS), pararendëse e CIA-s, mëndjet më të ndritura të botës akademike amerikane ishin ftuar të ndihmonin. Pjesë e kësaj përpjekjeje ishte edhe nisma American Defense, Harvard Group, e përbërë nga profesorë të atij universiteti të shquar, e ngritur mbi baza kryesisht vullnetare qysh më 1940.

1. Skeda biografike e Joklit
Një ndër qëllimet ishte hartimi i listave të njerëzve të shquar të shkencës, të rrezikuar nga zezona naziste edhe për shkak të prejardhjes së tyre hebreje. Ndër ta ishte edhe Norbert Jokli.
Skeda për Joklin –  e shkruar në kohën e tashme gramatikore – ishte përmbledhje biografike e jetës dhe karrierës së tij. Aty theksohej se Jokli ishte një nga ekspertët më të shquar në fushë të gjuhëve indo-gjermane dhe sllave; ai ishte “autor i një fjalori ende të pabotuar në gjuhën shqipe”, si dhe linguist me famë botërore e profesor i filologjisë, deri sa u përjashtua nga nazistët në mars 1938.
Skeda e OSS mbante datën 5 nëntor 1943. Shtohet aty edhe kjo e dhënë për Joklin: “Punësimi i tashëm i panjohur; adresa e mundshme Vjena”. Mirëpo, mjerisht, Prof. Jokli kishte humbur jetën mëse një vit më parë. Dhe amerikanët ende nuk e kishin mësuar fatin e tij të zi.

2. Beteja për shpëtimin e Joklit
E pra përpjekjet nga elita shqiptare për shpëtimin e Joklit kishin qenë të hershme dhe të shumëfishta. Ato ishin nisur në SHBA qysh në vitin 1938. “Sed frustra”, [nga latinishta, “por më kot”] do t’i shkruante Konica Nolit me hidhërim kur përpjekja e parë e tyre kishte dështuar. Dy vjet më vonë të dy i kishin kërkuar Konsullatës Italiane në Nju Jork që të ndërhynte tek autoritetet naziste në Austri “për të ndihmuar Profesorin Jokl”.
Ndërkohë Jokli ishte pushuar nga puna në Universitetin e Vjenës. Keqësimi i situatës, i kishte nxitur edhe Carlo Tagliavinin dhe Eqrem Çabej, miq dhe kolegët të ngushtë në Itali, të vazhdonin ethshëm përpjekjet për shpëtimin e tij. Ato arritën kulmin me aktin institucional të qeverisë kolaboracioniste të Mustafa Krujës, vendimin Nr. II28, datë 3 shtatorit 1941, ku Joklit i ofrohej punësim në Shqipëri si “organizatuer i bibliotekave të Shqipërisë me rrogë mujore prej fr shq 600 (gjashtëqind)”. Letra zyrtare i lutej profesorit të shquar që “posa ta merrte këtë shkresë, të kryente formalitetet e udhëtimit dhe të nisej sa ma parë për në Tiranë”.
Sipas dëshmisë së Hito Sadikut, nismëtar i përpjekeve vigane për shpëtimin e Joklit ishte Fan S. Noli, dora vetë.  “E vërteta është – i shkruante ai Nolit më 1946 – se, nga interesimi Juaj, njerëzit që ishin ahera në fuqi, muar vendimin duke emëruar Profesorin Jokl si drejtor biblioteke..” [Letër e Hito Sadik për Nolin, Nr. 149, Bari dt. 30.01.1946, N. Jorgaqi, Letërkëmbimi i Fan Nolit,
Erik, Tiranë, 2013, f. 264]. Kurse shkresa përkatëse e Koliqit përmban edhe një element të pashembullt: kontrata e ofruar hynte në fuqi tre muaj para datës së vendimit. Mesazhi për Joklin, pra, ishte i qartë: “Hajde sa më parë në Shqipëri. Për të tjerat mendojmë ne. Nëse ke vështirësi financiare, paradhënien e ke të garantuar.”
Sikurse e kemi shprehur tjetërkund, përjekjet për shpëtimin e jetës së Joklit ishin më shumë se gjest fisnik e humanitar ndaj një studiuesi të shquar dhe miku të ngushtë e të kahershëm të shqiptarëve. Ato mbështeteshin në thelb tek ndorja, apo instituti i lashtë i së drejtës dokësore shqiptare që garantonte jetën dhe sigurinë e personit në rrezik. Risija këtu ishte se ndorja bashkonte përpjekjet e miqve të Joklit në dy kontinente e katër kryeqytete, dhe se ai institut i çmuar, madje, ngrihej përmbi rrafshin e jus non scriptum (së drejtës së pashkruar). Ndorja tashmë përcillej jo vetëm si institut i së drejtës dokësore, por edhe si akt juridik i së drejtës pozitive shqiptare.

3. Një jetë për librat…
Ndërkaq prof. Çabej në Romë po përpiqej “të zinte një odë” për të pritur profesorin dhe mikun e tij gjatë rrugës për Shqipëri. E megjithatë, Jokli nuk u nis kurrë për Tiranë. Përse vallë?
Shkaku i pashembullt lidhej me librat! Profesor Jokli kishte ngritur gjatë vitesh një bibliotekë shumë të pasur, e cila madje krahasohej me pasurinë bubliotekare të një instituti të tërë kërkimor-shkencor. E pra, ky shkencëtar i madh nuk mund të shkonte në Shqipëri pa bibliotekën dhe arkivën. Jokli nuk mund të ndahej nga librat dhe letrat e tij.
Mjerisht, Dekani i Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Vjenës dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Austrisë ndërhynë tek autoritetet naziste që Joklit t’i ndalohej marrja e bibliotekës me vete. Në pritje të vendimit përfundimtar, rreth shkurtit 1942 Prof. Joklin e vizitoi miku i tij, Prof. Carlo Tagliavini. Në atmosferën e zymtë dhe gati të pashpresë të asaj kohe të zezë, Jokli do t’i përcillte Tagliavinit: “nëse më ndodh gjë, librat dhe arkivën time ia dhuroj popullit shqiptar”. Me t’u kthyer në Itali, Tagliavini ia kumtoi Çabejit mesazhin e mikut të përbashkët.
Shpresa vdes e fundit. Megjithatë, pak më vonë dëshira e Joklit u shndërrua në amanet…Një mëngjez marsi 1942 profesori i shquar arrestohet nga Gestapo. Jokli do të eliminohej dy muaj më vonë në kampin e shfarosjes në Maly Trostenets në Bjellorusi.
Nuk dimë që Jokli të kishte trashëgimtarë. Sot Jokli nuk ka as varr. Veprat, bIblioteka dhe arkiva e tij janë monumenti i fundit që na ka mbetur.


4. Amaneti: “Librat ia lë popullit shqiptar”
Por ç’ndodhi me bibliotekën e Prof. Norbert Joklit? Sipas faqes zyrtare të Universitetit të Vjenës, fill pas dërgimit në kampin e shfarosjes Biblioteka e Joklit “u konfiskua dhe u ‘arianizua’. Po atë vit, koleksioni shumë i pasur iu dorëzua “në huazim” Bibliotekës Kombëtare të Austrisë. Kurse në vitin 1946 librat dhe letrat u konfiskuan zyrtarisht, duke u bërë pronë e saj.
Mirëpo Biblioteka e Joklit duhet të vinte në Shqipëri, në pëputhje me amanetin e profesorit të madh. Jokli ishte diplomuar së pari si jurist, dhe e kishte të qartë rëndësinë e dokumentit të shkruar. Pavarêsisht se provën testamentare ende nuk e kemi gjetur, Hito Sadik përsëri na jep një të dhënë shumë të çmuar: “Kam dëgjuar – i shkruante ai Nolit në letrën e sipërcituar – se Jokli, nj’a pesë a gjashtë vjet më parë, pat bërë një testament me anën e të cilit bibliotekën e tij të pasur j’a fal Shtetit shqipëtar, po bibliotekën më pastaj j’a konfeskuan Gjermanët.”
Natyrisht që i takonte institucioneve zyrtare të shtetit shqiptar që të interesoheshin e të ndërmerrnin hapat e nevojshme. Për arsye të ndryshme kthimi u la pas dore për një kohë të gjatë. Mirëpo, prof. Çabej, miku, studenti dhe dishepulli i Joklit, dikur bëri diçka të pashembullt. Në një fletë me format A4, Çabej përcolli në letër dëshminë e Tagliavinit për amanetin e Joklit… Dhe kjo letër befas u shndërrua në amanet të amanetit.
Pas vdekjes së Çabejit ky dokument historik i mbeti familjes. Ajo dëshmi ishte thirrje, në mos sfidë, për brezat pasardhës që të bënin diçka. Me qëllim nxitjen e institucioneve zyrtare që të angazhoheshin për sjelljen e bibliotekës së Joklit në Shqipëri, e bija e Prof. Çabejit ndërmorri hapin e parë thelbësor në këtë drejtim. Në prill 2008, me rastin e Ditës Botërore të Librit, Brikena Çabej ia dhuroi me fisnikëri të rrallë amanetin e amanetit Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Hapi i dytë dhe më i fundit për njëmendësimin e amanetit të Prof. Joklit u ndërmorr marsin e këtij viti nga një grup shtetasish amerikanë me prejardhje hebraike dhe shqiptare. Nisma private dhe e pavarur, për të cilën mund të flasim tjetër herë, mbështetet tek Marrëveshja midis SHBA-së dhe Shqipërisë për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Disa Objekteve të Trashëgimisë Kulturore, e 12 korrikut 2004. Kuptohet se rruga është e gjatë dhe aspak e lehtë. Megjithatë, përpjekjet e nisura nuk do të reshtin deri sa dëshira e fundit e Norbert Joklit të realizohet. Ajo bibliotekë, që në njëfarë sensi, u bë shkas për humbjen e jetës së Joklit të madh, duhet kthyer pikërisht aty ku ajo jetë e dëshironte: në gjirin e popullit shqiptar. Vetëm kësisoj ato libra do të rijetësohen mirëfilli, duke nderuar kësisoj përjetësisht kujtimin paharruar të prof. Norbert Jokl.

* Autor i librit “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Tiranë, 2016


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.