MILOSAO

Shkrimtari i angazhuar

10:22 - 03.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Arian Leka

Fjalët e Theodor Adorno-s mbi shkrimin e poezisë pas Holokaustit dhe Auschwitz-it1 dhe angazhimin e autorit në çështjet jashtëletrare, kryesisht në ato politike, citohen më shpesh pas vdekjes së Adorno-s sesa kur ai ishte në këtë jetë.  Është barbare, nënvizoi atëherë Adorno, është gati një depersonalizim, që të shkruhet sërish poezi pas Auschwitz-it. Por një nga shkaqet e rikthimit drejt mendimit të Adorno-s mund të jetë periudha në të cilën jetuam, por edhe rijetimi i disa ngjarjeve, që vunë sërish përballë sfida të ngjashme me ato të 70 viteve të shkuara.
Idetë e ekstremit të djathtë u rikthyen me forcë, madje ishin shumë pranë fitores në disa shtete perëndimore me demokraci të konsoliduar. U rikthye radikalizmi dhe populizmi. U rikthye kanosja përmes fjalëve dhe u shfaqën armët shfarosjes në masë. Rifilluan emigrimet masive nëpër Mesdhe dhe populizmi. Në ekranet televizive u rishfaqën deportimet me trena, u rishfaqën kampet për të dëbuarit. U artikulua haptazi terrorizmi dhe, jo në pak shtete të Europës, terrorizmi goditi fort.
Europës së bashkuar filluan t’i bien yjet e kurorës, ndërkohë që qytetarët europianë nuk u shfaqën solidarë jo vetëm ndaj çështjes të së ardhmes së përbashkët, por edhe ndaj çështjeve të përditshme, të tilla si trajtimi i refugjatëve, mbyllja apo zgjerimi i BE ndaj shteteve ish-komuniste të Europës Juglindore, që mbetën të fundit në anëtarësimin në BE dhe që ndihen të humbur dhe të izoluar brenda kontinentit të tyre. Ndërkaq, në Europën Juglindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria, populistët, radikalët etnofobë dhe fanatikët fetarë shfrytëzuan frikën nga rikthimi i së kaluarës dhe pasigurinë ndaj të sotmes për të ardhur në pushtet apo për të mbajtur pushtetin.
Qytetarët e Europës, ata që kishin marrë pjesë në shembjen e Murit të Berlinit, filluan të ndërtojnë pas 30 vjetësh mure telash me gjembash, duke theksuar mbi çdo gjë arrogancën, cinizmin dhe frikën. Për shkak të këtyre ndodhive, togfjalëshi “shkrimtar i angazhuar” dëgjohet gjithnjë e më fort dhe, ndonëse fjala “politikisht” nuk përmendet, për këtë lloj angazhimi bëhet fjalë më së shumti.
Përfytyrimi i “shkrimtarit të angazhuar” të çon drejt modelit të atij që mendimet i shpreh jo drejtpërsëdrejti në publik, por i shfaq të artikuluara vetëm përmes anëtarësimit apo përkatësimit në një parti politike. Enkas për ta krijohen mjediseve të tilla si studio televizive, foltore, forume, katedra, çadra, kuti votimi, salla të mbyllura e sheshe të hapura apo çdo mjedis tjetër që, saje politikës, merr funksione heterotopike2 dhe, nga sfera të hapësirës publike, shndërrohen në hapësira të privatizuara për pseudo-kritikë që përdorin fjalor të vonuar disidence, të cilët i kundërvihen vetëm folësit përballë, por jo thelbit të sistemeve, duke zhgënjyer mes të tjerash edhe shkrimtarin hungarez György Konrád, kur shkruan se njerëzit më të talentuar duhet të jenë parashikues, parandalues dhe jo thjesht zyrtarë qeveritarë. Ky shërbim i tyre dallohet lehtë, sidomos tek ata shkrimtarë dhe njerëz të artit, të cilët nuk i ka parë dhe nuk i ka dëgjuar kush të artikulojnë në hapësira publike, përveç rasteve kur i rekrutojnë për të hedhur në shesh mendimin e tyre të pavarur, që përputhet simetrikisht me sloganet e partisë që i ka ftuar për t’i dhënë vizion të deformuar lirisë dhe për të shumëfishuar jo zërat ndryshe, por frazat metaforike.
Siç edhe i kemi vërejtur, që nga fillimi e deri më së fundi, mendimet e tyre, më shumë se liri, shprehin bindje, nënshtrim ndaj kupolave që i manipulojnë dhe që i përdorin deri në shpërdorim. Me këtë rast edhe zëri i shkrimtarit të pavarur akordohet, siç kurdiset një instrument dhe shkon në unison me zërat e militantëve, me stafin drejtues, me lidershipin dhe me mediat përkrah tyre, që prodhojnë vrer ndaj kundërshtarëve dhe industrializojnë mashtrimin kolektiv3.
Ai, që duhet të ishte momenti i ndarjes, bëhet moment i shndërrimit të shkrimtarit të angazhuar ndaj çështjeve me dobi publike, në shkrimtar mirëfilli politik. Shkrimtari i angazhuar politikisht qorton butë apo kundërshton me maturi. Ky shkrimtar nuk e kundërshton partinë e tij, siç bënte dikur Saramago. Në vend të prozës dhe poezive, shkrimtari i angazhuar i realitetit shqiptar shndërrohet në duartrokitës dhe në hartues fjalimesh, që për ironi, edhe pse të shquar për nga stili nuk do e mbajnë kurrë autorësinë e tij.


Ky model përfytyrimi i shkrimtarit të angazhuar ndaj strukturave, mbivlerëson rolin e partive politike, si të vetmet që mund të sjellin ndryshim. Nga ana tjetër, ai zvogëlon apo zhduk çdo alternativë për ekzistencën e modelit të shkrimtarit të pavarur dhe të angazhuar në kauza ku fituese nuk është vetëm një palë apo vetëm një pjesë e atyre që përbëjnë shoqërinë.
Në këtë pikë, fjalët e Adorno-s lidhur me poezinë pas Auschwitz-it, më tepër se vetë poezisë apo teksteve të autorëve si Primo Levi, Curzio Malaparte, Paul Celan, De Lillo, Mailer, Sebald-it apo Boris Pahor-it, u drejtohen si poetizimeve të shkëputura nga çdo kontekst politik e social, ashtu edhe rreshtimit të shkrimtarëve përkrah ideologjive. Ato fjalë u drejtohen heshtjes solide që e klasifikoi indiferencën tek ndjesitë humane dhe që i trajtoi ekzekutorët dhe soditësit e verbër si të ngjashëm. Vendin kryesor mes tyre e zë gjithmonë ai që mungon më shumë: heroizmi. Heroizmi që mungoi në kohën e duhur. Guximi për të thënë jo thjesht të vërtetën e një pale, por të drejtën e paanshme. Aftësia për të kuptuar se duhet ndenjur jo përkrah, përbri apo përballë një grupi, por për të ndenjur përmbi të gjithë. Por sot ideologjitë, siç me të drejtë vëren Holly Case, Profesore e Historisë, bashkë me sistemet, aparatet burokratikë, me gjuhën artificiale që përdorin si dhe me parullat e tyre politike, kanë mbledhur rreth vetes një fuqi të panatyrshme që ka çrregulluar në mënyrë moderne në botën e sotme, duke krijuar shtypje mbi individët, pavarësisht se ku jetojnë ata, duke i privuar nga sundimi i ndërgjegjes së tyre. Paradoksi krijohet se edhe “fjalori disident”, ai i kritikës dhe i herezisë  politike artikulohet jo nga njerëzit e lirë, por nga politikanët, nga ata që në një mënyrë a në një tjetër ushqehen apo sponsorizohen nga politika. Madje kjo lloj “antipolitike” i bën këta t’i shtrojnë admiruesit dhe të mbeten pjesë e modës politike. Kudo në Europë, vërehet një përfshirje dhe shprehje më e gjerë e shkrimtarëve ndaj kauzave politike e sociale, por në Shqipëri, ku idetë dhe kauzat mbërrijnë vonë dhe largohen me vonesë, duke nisur si doktrina e principe dhe duke përfunduar në demagogji, prej shkrimtarit nuk kërkohet angazhim. Sa herë që ai është shfaqur në publik, shfaqja ka pasur jo pak elementë teatralë, roli është luajtur me njëanshmëri dhe procesi i ka ngjasuar thirrjes nën armë, rekrutimit.
Ndaj ky rreshtim i tyre brenda politikës aktive ka tingëlluar gjithmonë i panatyrshëm, qoftë për militantët, që ia dalin të rrinë përherë mbi çdo dallgë, qoftë për shtiranikët e stërvitur dhe naivët që mblidhen si fluturat rreth dritës iluministe. Pasi zgjidhen krizat dhe tejkalohen tensionet, ata ftohen të festojnë mbi gërmadhat e shoqërisë dhe të kulturës së deformuar prej shërbimit të tyre. Janë po ata, që marrin ftesa nga funksionarët e lartë të qeverisë dhe të shtetit, që udhëtojnë bashkë me ta, që shpërblehen me medalje jo vetëm ngaqë heshtën, por ngaqë thanë të vërtetën e njërës palë dhe nuk i ofruan asgjë së drejtës.

Këto muajt e fundit, duke lexuar poezi të Ghayath Almadhoun, (lindur në kampin e refugjatëve në Damask, si fëmijë me baba palestinez dhe nënë siriane), kam pikasur sërish tekste të një shkrimtari të angazhuar.
Në tekstin këto tekste gjen pohimin se ka shitur ditët e tij të bardha në tregun e zi dhe me to bleu një shtëpi me pamje nga lufta. Asokohe ne e ndoqëm luftën nga ekranet led dhe versionet online të gazetave.
Që nga koha kur filloi kriza e vitit 2008, kriza humanitare e botës arabe dhe zhvendosja e Afrikës veriore drejt Mesdheut, ëndrra europiane për të pasur një shtëpi me dritare nga deti u përmbush. Ishin të shumtë njerëzit e Perëndimit që e kishin më në fund një shtëpi me pamje nga lufta, një shtëpi me fytyrë nga eksodet, nga emigrimet dhe nga mbytjet masive. Njerëzit e “kërcënuar me lumturi”, siç quhen europiano-perëndimorët, por edhe ata me ethen e eksportimit të modelit më të mirë demokratik, e kanë më në fund shtëpinë me mure high definition, prej nga lufta reale u shfaq më e realizuar se në filmat me luftë. Mes tyre ishin të shumtë ata që e këqyrën, por pak ata që u përfshinë dhe që e trajtuan si të vetën këtë tragjedi.
Por një nga problemet e luftës, siç tashmë dihet, janë jo viktimat, por ata që mbeten gjallë. Ata dëshmojnë për fëmijët, për burrat dhe gratë, për qytetet arabe të kthyera në pluhur, për kryeqytetet europiane, që pranojnë turistë e muxhahedinë dhe për qytetet tona që, një herë në dy vjet njohin vetëm një formë jete – jetën politike. Një ditë, herët a vonë, çdo luftë, luftërat me armë apo luftërat për pushtet,  mbyllen, siç mbyllet çdo plagë. Pas kësaj fillon lufta e kujtesave. Si e mbajmë mend luftën tonë? Kush do të tregojë mbi atë që ndodhi? Si na mbajnë mend pasardhësit? A do të jenë të besueshme ato që rrëfejmë dhe shkruajnë gazetat mbi heroizmin dhe heronjtë, mbi fitimtarët dhe të mundurit?
Poeti polak Cezs³aw Mi³osz ishte ndër të parët që vuri re se në pjesën më të madhe të asaj që shkruhej, publikohej, që lexohej, që përkthehej dhe promovohej, nuk përshtatej fare me jetën dhe me botën, kur bota ishte në mes luftërave, të kulmin e diktaturave dhe të dhunës. Si çdo gjë tjetër, edhe poezia duhet vënë në provë. Çfarë poezie shkruhet në kohë të ngjashme me kohën që ndërmend Adorno?
Fjala “shkrimtar i angazhuar”, sigurisht që shqiptarëve u kujton llojin e shkrimtarit që trashëguam nga realizmi socialist, atij që i këndoi flladit, tek përkund kallëzat e fushës me grurë, por jo të njëjtit fllad që përkundi edhe poetët e varur, atij që nuk bëri dallim mes vrimave që hapën plumbat në gjoks dhe vrimave që hapën dekoratat dhe medaljet mbi xhaketë.
Masakra ka vend për të gjithë, gjendet e shkruar në vargjet e Ghayath Almadhoun. Ka vend edhe për vëzhgues me dritare të kthyera nga e ardhmja e nostalgjisë4, nga fushat, nga puthjet, nga përqafimet e ngrohta dhe nga ai trishtim që bora apo sythet e parë lanë pas, por ka vend edhe për klithma, vrasje dhe varre masive, trupa të djegur, mbytje në det, thonj, plumb, thikë, gjak, flokë të pluhurosur me kundërmim pluhuri dhe tymi, si në poezinë “Fuga e vdekjes” të Paul Celan-it.
Sërish te Adorno mbi shkrimin e poezive pas tragjedisë, kur auschwitzët përsëriten brenda një shoqërie ku barazia, që shpallet në nivelin e vlerave, kontraston me pabarazitë në qasjen ndaj pushtetit dhe të mirave materiale. Kjo dikotomi, siç shfaqet në teorinë mbi mimetizmin të René Girard…,5 krijon tension në rritje midis dëshirave mimetike, rivalitetit mimetik shumë konkurrues dhe rritjes së pabarazive sociale6.
Poetët ndiqen nga njerëzit e humbur, shkruhet në njërin prej librave të shenjtë, ndaj mendimi i Adormo-s se mbetet barbare të soditësh i vetëkënaqur e ndan sërish shkrimtarët më dysh: shkrimtarë të angazhuar ndaj humanizmit, që shpesh u bashkohen të humburve dhe shkrimtarë të thirrur politikisht nën armë, që janë përherë me (për)fituesit.

Shënime
7 Theodor W. Adorno; Cultural Criticism and Society, Prisms 34, 1949. Trans. Samuel and Shierry Weber. (Cambridge, MA: MIT Press 1981).
8 Michiel Dehaene, Lieven De Cauter; Heterotopia and the City – public space in a postcivil society; London ; New York : Routledge, (2008), f. 3 – 9.
9 Andrew J. McKenna; Violence and Difference: Girard, Derrida, and Deconstruction; University of Illynois (1992) f. 139.
10 Svetlana Boym; The Future of Nostalgia. Basic Books; (2002): The Angel of History: Nostalgia and Modernity; f. 19-32. Nostalgia and Post-Communist Memory; f. 57-77.
11 Rene Girard; Mimesis and Violence: Perspectives in Cultural Criticism.  Berkshire Review 14 (1979): f. 9-19.
12 Stefano Tomelleri: Ressentiment: Reflections on Mimetic Desire and Society ;  Michigan State University Press; (2015); f. 51-74.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.