MILOSAO

Poezi nga Hekuran Koka

08:49 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Hekuran Koka

Kam nisë të plakem
Kam nisë të plakem,
tash e parë ndonjë dhimbje
më kujton se vitet vrapojnë
ashtu siç vrapoja unë fëmijë,
këmbëzbathur fushës,
pa e ditë se ku do ndalem.

Artritet,
nga sëmundje të shkuara të pahetuara,
plagët që tashmë janë të vjetra,
blanat e ditëve të lumtura,
më përmendin
habitem me
fytyrat që janë harruar,
me emrat që kanë ngjyrim familjar,
po s’ngjisin
me frikën,
frikën nga vitet që ikin,
nga gungat e çuditshme në trup.

Kam nisë të plakem,
nuk kam vullnetin me lexu si dikur;
dëshira me ndryshu botën
asht daravitë
si mjegulla grykës së Çajës,
mjekra do heqë ditë për ditë,
se ndryshe si bjeshkët e mia
egërtohet.

S’kam pasë asnjëherë mjaftueshëm para
për të ndjekur ndonjë ëndërr,
deri në fund, e
prapë më akuzojnë se di të shoh vetëm ëndrra…

E unë kam nisë të plakem,
andrra e zhgjandrra e makthi më përzihen,
më përzihet edhe stomaku nga pijet
e cigarja
që kam nisë ti pi më shpesh;
edhe këmbët më dridhen nga peshat e rënda
të kujtimeve,
dëshirave e ëndrrave
që s’kanë fuqi të mbahen vetë,
e të më mbajnë
si vajza ime që do të fluturojë
drejt çdo zhurme,
çdo ngjyre
a çdo zëri.

Kam nisë të plakem,
tash,
po kuptoj se jam vetëm,
a se kam më shumë nevojë për njerëz,
ngaqë asnjëherë s’kam pasë
mjaftueshëm kohë për ledhatime,
a mjaftueshëm njerëz me m’përkëdhelë,
e strukem përditë e më shumë
në prehrin e atyre që kam pranë,
që s’kanë kohë të
merren me kokën time të madhe,
a u duket vetja të mëdhenj për ledha.
(Ime bijë do të lozë me mjëkrën time,
do ta puth njëmijë herë
të më puthë njëmijë herë,
në ballë, në sy, në gushë
e unë kam frikë
t’i fal kaq shumë dashuri,
kam frikë
se edhe ajo do nisë të plaket një ditë.)

Kam nisë të plakem,
edhe të flas me vete,
e me veten të mos di të merrem vesh.

I zënë peng.
Kam mbetë peng
në fëmijëri,
as pijen se mbaj,
as pasionin se shmang.

Pasha Zotin,
një ditë do të rritem edhe unë se s’ka më kuptim.

Të gjithë përreth meje janë rritur,
veç unë kam mbetur fëmijë.
Përditë
zihem me timë bijë
për lodrat,
zihem me time shoqe
për hallet,
zihem me shokët
për idetë,
përditë zihem
me shumëkënd
dhe pajtohem prapë
si fëmijë.

Nuk resht
së gëzuari
për vendin tim,
për ujvarat që maleve varen,
për plazhet që pastrohen për një ditë,
për rrugët,
për pemët që kanë shpëtuar
mbushem me lumturi
për pyjet në pranverë,
për lumenjtë kur tërbohen
për vajzat lozonjare
e djemtë që nuk dinë të rriten.

Tash,
në një tavolinë burrash më bënë të pij,
si burrat,
po unë pijen se mbaj,
dhe nuk më interesojnë
muhabetet e burrave të mëdhenj,
për politikë,
grusht shteti,
e filozofi.
Dua më shumë
të më ledhatojë dikush
e ndaj ik larg,
po s’di ku me ikë…
Të gjithë janë rritë.
Të gjithë refuzojnë fëmijërinë time.

E unë,
kam nevojë të loz.
Kam mbetë peng
në fëmijëri
e as pijen se mbaj
dhe kam nevojë për shumë,
shumë dashuri…

Te shpia, në pranverë
Kishin çelë trëndafilat
e gonxheve të vogla,
nuk u’a shqisja dot sytë.
as flutura e madhe e zezë nuk më bënte përshtypje,
varë në muret e shtëpisë që ti ngrite.

Eh, sa vështirë është me e ngritë një shtëpi:
themelet shpesh nuk mbajnë,
muret krisen nga koha e shamata,
çatia pikon tash e parë
mbas çdo shiu e loti.

Duhet me ditë cilët trëndafila me mbjellë në kopësht
e çfarë lloj rrushi bën për pjergull.
Asht vështirë!
Trëndafilat i kam ndjekë ditë për ditë,
ulë në verandën ku rrinim bashkë
tek rriteshin e vyshkeshin,
e në grykë më mblidheshin fjalët që kisha me t’thanë
një nga një.
Po trëndafilat e kanë jetën e shkurtër,
as një stinë;
e fjalët e duhani në grykë mu bënë lëmsh!

Mbesa jote nuk ta ka thirrë asnjëherë emrin;
sikur e dinte se nganjëherë fjalët janë të rënda,
disa herë është ndalë para fotografisë tande
e disa herë
asht habitë mbas fluturave të shumta e trëndafilave.
Nganjëherë me gjysmë zëri më ka pyetë:
Ku ka ikë gjyshi?
Po fluturat e mëdha a të hanë?
Masandej më ka puthë,
masandej i ka zbritë shkallët një nga një
e me dorën e vockël ka marrë një trëndafil,
atë që ende s’ishte vyshkë,
për mua!

O natë, sosu!
Nevoja për ty më ngjitet
Fytit.
E këta kujtojnë se kam etje,
Malli
Po më mbyt,
Zemra blana-blana
Më dhemb
E kam nevojë me qa.
Kam nevojë me qa.
E lotët më kanë ngelë
Në fyt,
Kam nevojë për dikë
Me pa andrrat në sytë e mi,
Kam nevojë për ty,
Për ty!
Për ty!
Kam nevojë për një palë gishta
Flokëve të mi
Kam nevojë me fjetë,
Kam nevojë me m‘dashtë,
Me dashtë pak veten!
Malli po më mbyt.
Lotët e shëllirtë
Më japin etje,
E nuk po di me qa,
As etjen si me e shu,
O natë, sosu!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.