KULTURË

Festivali / Jeta e ‘fshehtë’ e baronit Franc Nopcsa në një dokumentar Lidhja e tij me shqiptarin dhe fundi tragjik

11:58 - 09.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Doda – The life and adventures of Franz Baron Nopcsa’. Është ky titulli i dokumentarit që u shfaq mbrëmë në Teatrin e Kukullave në Tiranë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, TIFF 2017. Realizimi i filmit ka nisur vite më parë, kur regjisori e skenaristi Visar Vishka, pa krejt rastësisht një fotografi të Bayazid Elmas Dodës dhe Franz Baron Nopcsës. Nisi prej atij imazhi një hulumtim i gjatë për të mësuar historinë që fshihej pas tij. Kush ishin ata dy burra dhe çfarë i lidhte? Kërkimet për Bayazid Elmas Dodën dhe baronin Nopcsa, çoi në një skenar që u bë baza e një filmi dokumentar 107-minutësh. I shfaqur së pari në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër – ‘DokuFest’, ai njohu mbrëmë një tjetër audiencë.
Filmi nis me rrëfimin e jetës së aristokratit e shkencëtarit hungarez, Franz Nopcsa, që me kohën, kish krijuar një lidhje shumë të fortë me shqiptarët. Gjithçka pat nisur për hir të vizitave e studimeve të tija. “Dijetari vjenez që për pak po bëhej Mbreti i Shqipërisë! James Bond, Indiana Jones, Lawrencei Arabisë të gjithë bashkë, i frymëzuar nga Karl May. Franz Baron Nopcsa shkroi 180 libra dhe artikuj dhe arriti të publikojë rreth 150. Shkencë e pastër nga disa fusha. Një politikan, një spiun, një ushtarak, që bënte punë në Rumani, Maqedoni, Shqipëri… ashtu sikur kishte thënë një shkencëtar italian për Nopcsan: ‘Ai ishte si kometë, lëvizte shumë shpejt dhe sillte dritë për të tjerët’. Ky dokumentar është për jetën dhe aventurat e tij, bashkë me partneren dhe sekretaren, Bayazid Elmas Doda”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, filmi ka në fakt në fokus dhe në titull pikërisht bashkudhëtari, sekretarin dhe partnerin e Nopcsës – Bayazid Elmas Dodën, të cilin e mori pas vetes edhe atëherë kur vendosi t’i japë fund jetës së tij. Aventurë pas aventure pasqyrohet në 107 minuta nga studiues e albanologë të tjerë jeta e Nopcsës. Në dokumentar, është i përfshirë edhe rrëfimi i Robert Elsie, albanologu i njohur që u nda nga jeta muajin e kaluar.
Dokumentari nuk ndalet vetëm te jeta e dy të dashuruarve që ishin çift, që nuk e lanë asnjëherë njëri-tjetrin vetëm, por janë përfshirë në të edhe figura si Ismail Qemali.
Visar Vishka ka bërë me dije se këtij filmi i ka kushtuar pesë vite, e se shkak për këtë ka qenë edhe mungesa e buxhetit. Regjisori e skenaristi ka deklaruar se ka mundur të gjejë edhe varrin e Nopcsës dhe Dodës. Aventurat e Dodës dhe Nopcsës, përfunduan atëherë kur Nopcsa, shkroi një letër ku tregoi vetëvrajsen dhe vrasjen e Dodës. Nopcsa për pak edhe mund të bëhej Mbret i Shqipërisë. “E bëra këtë vrasje, pasi Doda nuk do të kishte mundur të jetonte pa mua. Do t’i dhimbte shumë”, thuhej në letrën e Nopcsës, kanë shkruar mediat. Hipotezat për vrasjen e vetëvrasjes janë disa, e mes tyre nuk mungon xhelozia e tradhtia.
KUSH ISHTE NOPCSA
Sipas Robert Elsiesë, albanologu i njohur hungarez, baroni Franc Nopça nga Felshësilvashi [1877-1933], ishte një ndër studiuesit më të spikatur të kohës. Ai ishte lindur në një familje aristokratike hungareze më 3 maj 1877. Me rekomandimin e ungjit dhe kumbarit të tij, Franc von Nopcsa, kryemjeshtër i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta të Austrisë, Nopça mbaroi maturën në liceun vjenez MariaTheresianum. Franc Nopcsa udhëtoi gjerësisht në Ballkanin jugperëndimor dhe jetoi për një kohë në fillim të shekullit të njëzetë në Shkodër. Në vitet e mëvonshme ai u bë i njohur gjithashtu si një ndër albanologët kryesorë të kohës së tij. Botimet e tij albanologjike nga vitet 1907 deri në 1932 u përqëndruan kryesisht në fusha të tilla si: parahistoria dhe historia e lashtë, etnologjia, gjeografia, historia e re dhe e drejta zakonore shqiptare, d.m.th. kanuni. Lista e botimeve të Nopcsës përmban më shumë se 186 tituj, kryesisht nga fushat e paleontologjisë, të gjeologjisë dhe të albanologjisë. 54 botime janë për Shqipërinë. Ndër veprat më interesante të Nopcsës janë kujtimet e tij, të botuara gjermanisht në vëllimin [Udhëtime në Ballkan: kujtimet e baronit Franc Nopcsa].

Regjia & Produksioni:
Visar Vishka
Kinematografia:
Filip Kondovski
Montazhi:
Zoran Chanevski
Animacioni:
Aleksandar Stojanovski


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.