KULTURË

Rikthehet misteriozja Elena Ferrante, “Histori arratie e qëndrese”

11:02 - 10.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




E dashuronte, po, si në filma – dhe e respektonte. … I kish thënë se ditë e natë mendonte për Lilën, dhe jo me dëshirën normale, por me një dëshirë krejt të panjohur edhe për të. Në të vërtetë nuk e donte. Domethënë, nuk e donte siç i donte ai femrat në përgjithësi, për t’i ndier nën vete, për t’i rrotulluar sipas qejfit, për t’i hapur, thyer, shkelur me këmbë dhe shkalafitur. Nuk e donte për ta shtënë në dorë dhe harruar. E donte për delikatesën e kokës plot ide. E donte për shpirtin krijues. Dhe e donte pa e prishur, për ta pasur gjatë. E donte jo për ta palluar, ajo fjalë e zbatuar mbi Lilën e turbullonte. E donte për ta puthur e ledhatuar. E donte që ajo ta ledhatonte, ta ndihmonte, t’i printe udhë, ta komandonte. E donte për të parë si ndryshonte me kalimin e kohës, si plakej. E donte për të arsyetuar dhe për t’u ndihmuar në arsyetim”.
Autorja misterioze, identiteti i vërtetë i së cilës nuk dihet, por ndërkohë, ka shitura qindra mijëra kopje në tërë botën rivjen në shqip, me pjesën e tretë të sagës napolitane që ka bërë për vete shumë lexues duke mbajtur frymën pezull për vijimin e historisë. Romani “Histori arratie e qëndrese”, përkthyer nga Agim Doksani nën logon e Botimeve “Pegi” është botuar këto ditë dhe do jetë edhe në Panairin e Librit- jo vetëm si histori grash, e rrëfyer me shumë vërtetësi; por edhe më tepër se një vëzhgim, si jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë.
“Histori arratie e qëndrese” është vëllimi i tretë i sagës napolitane, pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”. Elena vazhdon të rrëfejë historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës. Ato janë tashmë gra: Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagjja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksesshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane. Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma.
“Të mirë a të këqij qofshin, të gjithë burrat mendojnë se pas çdo bëme duhet t’i ngresh në altar si Shën Gjergji që vret dragoin”, shkruan autorja,  duke shënuar më tutje se “Kjo hedhje e shkujdesur fare e meshkujve të trallisur nga kënaqësia! Na pllenojnë të rrëmbyer nga orgazma e tyre. Shfaqen brenda nesh dhe sprapsen duke na lënë, të fshehur në mish, fantazmën e tyre si një send të humbur”.
“Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç’mendon se duhet të ishim, se ç’jemi të bindur se jemi. E megjithatë, arratia qëndron gjithmonë në imagjinatën kolektive si një nga zgjidhjet, ndoshta më e mira, e një sërë të këqijave të pakurueshme, si varfëria, injoranca dhe dhuna të nakatosura thellë në shoqëri. Askush nuk arrin të arratiset vërtet, por të gjithë mundohemi, qoftë edhe një herë të vetme, të arratisemi nga lagjja, nga qyteti, nga vendi apo thjesht vetja jonë. Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur rreth tre milionë kopje.
Elena Ferrante është pseudonimi i autores së dhjetë veprave letrare, ndër të cilat edhe saga napolitane, e konsideruar si kryevepra e saj, nga pikëpamja e kritikës letrare, por edhe falë suksesit të jashtëzakonshme me lexuesit. Emri i vërtetë i autores mbetet ende zyrtarisht i pakonfirmuar. Në 2011 u botua kapitulli i parë i sagës napolitane, “Mikesha gjeniale” (i botuar në shqip në nëntor 2016), i ndjekur nga libri i dytë, “Mbiemri i ri” (i botuar në shqip në korrik 2017), nga ky vëllim i tretë, i sapobotuar “Histori arratie e qëndrese”, dhe nga libri i katërt dhe i fundit, “Storia della bambina perduta”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.