OPINION

Libri që sfidon dy shtete…

07:40 - 04.05.18 Pano Hallko
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para pak ditësh në faqet e kësaj gazete u botua shkrimi i mendimtarit dhe kulturologut më të madh që kemi ne të Tiranës, prof. Moikom Zeqo me titull “Për një moral të ri dhe politikë të re”.




Shkrim që pasqyron realitetin e zi shqiptar të politikëbërjes, qeverisjes dhe (keq)administrimit të halleve të shumta të këtij vendi.

 

Por që pasqyron, siç vetëm Moikomi di ta sjellë, përvojën pozitive të njerëzimit, mendjet e ndritura në rrafshin e filozofisë së mendimit teorik dhe politik, kuptohet, duke iu vënë gjithë këtyre, një emërues të përbashkët:-thënien Migjeniane: – “Kështu njeriu kalon në shekuj. Në vend që të naltësohet ndër sfera të kullueta e të shkasi nga ylli në yll me hapa përparimi, njeriu poshtërohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, me ia vu maskën e derrit. Qashtu njeriu ja luajti lojën… kujt? Vetvetes! Ah, vetvetes, bërtet morali prej mërgimit”.

 

BËRTET MORALI PREJ MËRGIMIT

 

Qashtu njeriu ja luajti lojën… kujt? Vetvetes! Ah, vetvetes, bërtet morali prej mërgimit”.

Pikërisht këtë shprehje të fundit të këtij paragrafi Migjenian, e gjen të shtrirë në të gjithë librin e profesor Shaban Muratit me titull: “Çështja e paqenë e detit; intrigë diplomatike greke, apo shqiptare?”

Më së pari, duhet thënë se personalitete të tilla si prof. Shaban Murati, (të cilët për fat të keq tonin i kemi të paktë), janë shembulli më i mirë se si duhet të jetë nëpunësi i shtetit e me çfarë morali duhet të veprojë ai, kudo ku punon dhe jeton. Autori i këtij libri ka vite që nuk është më nëpunës, ai tanimë është në pension. Por tek pak njerëz, shumë pak njerëz, pensioni është thjesht një veprim administrativ i administratës shtetërore, bazuar në një ligj të posaçëm si në çdo shtet të botës, që ndërpret marrëdhëniet me punën (e shtetit, apo të privatit).

Meqenëse autori i këtij libri, kurrë në jetën e tij, nuk ka qenë një nëpunës i shtetit dhe aq, ai ka një jetë që flet dhe shkruan si burrë shtetbërës, si një personalitet që e do shumë vendin e tij, e që i dhimbset shteti i tij.

Dhimbja që ndien për shtetin e tij nuk e katandis në rolin e vajtuesit, por e ngre në nivelin e njeriut që i tregon rrugën e drejtë e të vërtetë nga duhet të kalojë ai, në realizimin e misionit të vet, e më së pari, në ruajtjen dhe garantimin e tërësisë territoriale të vendit, diplomaci të zhdërvjelltë e me profil kombëtar, si dhe politikë të ndershme brenda vendit, me shtetasit e vet. Kaq pak i kërkon Prof. Shaban Murati shtetit të tij, e shteti, jo rrallë i ka pas “vesht` e randë”. Për të zezën e tij (pra shtetit), por edhe të të gjithë neve, shtetasve, që ndërsa dëshirojmë të krenohemi me shtetin që kemi, në shumë pak raste na jepet mundësia “ta shijojmë këtë fatlumëri”…

Shkruesi i këtyre radhëve ka pasur kënaqësinë dhe nderin të marrë pjesë në përurimet e shumë librave të profesorit. Në të gjitha rastet, akademikë që kanë marrë fjalën, por edhe diplomatë të njohur tanët, aty nga fundi i fjalës së tyre, kanë pasur një fjali-standarde: – “Ky është libri më i mirë i profesor Muratit”. Kështu u tha nga folësit e shumëditur, edhe në përurimin e librit të sipërshënuar….

Megjithatë, mendoj se më i miri nuk ka ardhur ende. Ndoshta ky libër, do të jetë libri i jetës i profesorit. Po përse libri i jetës? Për vetë faktin që shprehet në titull. Sepse ky libër sfidon dy shtete. Dhe sfida që u hedh autori të dy shteteve, nuk është:-“Kështu më pëlqen mua, apo kështu e di unë!”. Libri është një zbërthim dhe skanim i marrëdhënieve mes dy shteteve, një përmbledhje e koncentruar e traktateve dhe legjislacionit ndërkombëtar, një sintezë dhe ekspertizë diplomatike e nivelit më të lartë të mundshëm. E një njeriu, i cili për pesëdhjetë vite rresht ka lëvruar me kompetencë çështjet ndërkombëtare… “Çështja e kufijve shtetërorë të Shqipërisë, tokësorë dhe detarë, është një çështje e vulosur dhe e mbyllur nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 dhe me Protokollin e vitit 1925, për të marrë formën e prerë të sanksionimit ligjor ndërkombëtar dhe të pranimit, në vitin 1926. As Greqia e as Shqipëria nuk mbetën në atë kohë të kënaqura nga harta që u imponoi atyre vullneti i fuqive të mëdha, të cilat kishin vendimmarrjen përfundimtare dhe detyruese” (Libri, fq. 20).

 

NJËRI SHTET, DUHET T’I PËRGJIGJET…

Të dyja shtetet njëherazi nuk munden t’i përgjigjen autorit të librit. Sepse nuk mund të ndodhë, as teorikisht. Sepse bëhet fjalë për interesa strategjike që duhet të ketë secili shtet (për njërin e dimë që i ka), të pashpallura në rreshtat e marrëveshjes. Pastaj, edhe profesori, nga njëri e kërkon përgjigjen, e jo nga të dy.

Si shtetar i moralshëm që nuk bën pazar me shpirtin e tij, për ato parime të cilave u ka kushtuar jetën, ai më së pari i drejtohet shtetit të tij. Për shtetin tjetër, sjell analizën e tij të pakundërshtueshme dot. Dhe shtetit të tij, ai i flet gjithmonë me dokumente, me fakte, me argumente…

… “Gjykata Kushtetuese ka shkruar një epokë modeli juridik dhe përgjegjshmërie të rrallë juridike, historike, kombëtare, politike, diplomatike etj. Gjykata Kushtetuese, bashkë me marrëveshjen, ka rrëzuar edhe objektin e saj dhe konkretisht ka rrëzuar çdo pretendim grek apo të lobit grek në Shqipëri për ekzistencën e nevojës së ratifikimit të kufijve shtetërorë detarë.

E përmbledhur në një fjali, çështja e detit është një çështje e paqenë”.

“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj historik të 15 prillit 2010 thekson: ‘Marrëveshja në fjalë nuk ndan Shelf Kontinental në kuptimin juridik, ashtu siç thuhet në titull, por kryesisht Ujërat e Brendshme dhe Detin Territorial. Mbi këto ujëra, në hapësirën ajrore mbi to dhe në shtratin e detit dhe nëntokën poshtë këtyre ujërave, shteti shqiptar ushtron sovranitet të plotë territorial. Ato janë pjesë integrale e territorit të shtetit shqiptar” (“Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë”, Nr.52, datë 4 maj 2010, fq.1894).

“Lobimi i tezës së rinegocimit të marrëveshjes së vdekur të detit ka në Shqipëri grupet e veta të interesit. I pari që përfshihet është lobimi politik nga qeveria e mëparshme e vitit 2009, e cila është aktori dhe fajtori i nënshkrimit të marrëveshjes së vjetër të aneksimit të detit shqiptar. Me një gur ata tentojnë të vrasin dy zogj; edhe realizojnë angazhimet dhe detyrimet, që kanë marrë në skenë dhe në prapaskenë ndaj Athinës, kur firmosën marrëveshjen e detit, e nga ana tjetër synojnë ‘të bëjnë pis’ dhe të përziejnë në skenën e krimit kombëtar qeverinë e Partisë Socialiste të pas vitit 2013, e cila në fondin e saj ka regjistruar një kredit historik me padinë në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes së detit, të firmosur nga qeveria e vitit 2009”.

“Grup tjetër interesi janë hijet e ekipit, që u angazhua në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e cedimit të integritetit territorial të Shqipërisë në bisedimet me palën greke në vitet 2008-2009. Kurse grupi i tretë i interesit për rinegocimin e marrëveshjes janë njësitet e lobit grek në politikën shqiptare, në të dyja krahët, tek e majta dhe tek e djathta, të cilët janë të lidhur nga interesa financiare dhe jofinanciare me institucionet e ndryshme greke dhe përpiqen të realizojnë një detyrë të vjetër të bërjes fakt të kryer, rrudhjen territoriale të Shqipërisë në favor të ekspansionit territorial të Greqisë”. (Ky grup mund të radhitej pa frikë i pari, por respektoj radhitjen që ka bërë autori në libër).

“Ajo që bie në sy është fakti se të tria grupet e mësipërme janë në sinkron në objektivin për të krijuar një lloj alarmi publik dhe politik brenda në Shqipëri për ‘kataklizmën’ që mund të ndodhë nëse zemërohen drejtuesit e shtetit fqinj. Sipas lobistëve grekë në Tiranë, për të shmangur ‘kataklizmën’, Shqipëria duhet të japë edhe detin, edhe Vjosën, edhe tokën, edhe nëntokën, edhe qiellin, me përjashtim të pronave private të pjesëtarëve të tria grupeve të mësipërme”…

…Autori i librit nuk i kërkon shtetit që t’i rritë atij pensionin, nuk i kërkon as favore dhe ofiqe të ndryshme. Thjesht, i kërkon shtetit të bëjë detyrën. Kaq pak i kërkon prof. Shaban Murati shtetit të tij, e shteti, jo rrallë i ka pas “vesht` e randë”. Për të zezën e tij (pra shtetit), por edhe të të gjithë neve, shtetasve, që ndërsa dëshirojmë të krenohemi me shtetin që kemi, në shumë pak raste na jepet mundësia “ta shijojmë këtë fatlumëri”…

Kjo është një punë mekanike. Citova pak paragrafë nga libri. Jo për pamundësi analize të tyre.

Por ky libër është i tëri një sentencë e stërmadhe, një tekst, i cili duhet të botohet pjesë-pjesë, në të gjitha gazetat që qarkullojnë në Shqipëri. Që t’u jepet mundësia ndoshta, edhe atyre, që ulen në kolltukët e takimeve mondane, t’i lexojnë.

Se që të kërkojmë prej tyre, që ata të lexojnë të gjithë librin, është e pamundur për ta.

Është një libër që duhet ta kenë të gjitha zyrat e shtetit, më së paku ato zyra, që pretendojnë se merren edhe me sigurinë, me strategjitë e me të tjera si këto. Vetëm në zyrat e ministrave nuk ka arsye të jetë ky libër. Sepse ata, edhe kur ndërrojnë ndenjëset brenda së njëjtës “ngjyrë” të pushtetit, printojnë… “strategjitë” e tyre të radhës. Në emër të tenderave, të pazareve.

Është një libër i madh, e ata, as e lexojnë dot njëherazi, por edhe nuk munden ta “përtypin” dot… Sepse është përtej kufijve të tyre mendorë, matanë kapacitetit të tyre. Shumë matanë.

Ky libër… Është morali që na bërtet prej mërgimit, “pensionistit”…

Është një libër i madh, e i rëndë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.