KULTURË

Bedi Pipa Një ditar intim, historia e trishtë e motrës së Arshi Pipës

18:00 - 07.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Miranda Haxhia  – E butë dhe e egër” – Kështu e përshkruan ajo veten në një letër. Ndoshta ajo nuk ka nevojë të shkruajë dikush pas kaq shumë vitesh për profilin e saj. Ka lindur në një botë tjetër, është rritur në një familje që sot, imagjinata e mangët na pengon ta përfytyrojmë me tërë fisnikërinë, hirshmërinë dhe zakonet. Por, jam e bindur se po të kishte jetuar gjatë, do të kishte një jetë të shënjuar nga ana intelektuale ose do ishte fundosur si të tjera, si ajo, në burgjet e komunizmit. Sapo mbarova së lexuari “Ditari Intim” të shkruar nga Bedi Pipa. Atë libër e mora shkarazi nga rafti në prag udhëtimi, para disa ditësh. ‘Meqë është i hollë’ mendova, duke e zbehur vlerën e librit në numra faqesh. Meqë më kishte ngacmuar mbiemri i autores, ditën kur e bleva dhe meqë intuita më thoshte se është libër që do të zinte vend në skutat e kujtesës sime. Nuk u gabova. Prej ditësh, ky libër i përfunduar po rilexohet në nënvetëdijen time. Dhe kam kuptuar se njerëzit që kanë jetuar në Shqipërinë e viteve ’30- 40’ e deri në ’50 kanë pasur një lloj vlage etike, kulture dhe prezence që është për t’u pasur zili.




HISTORIA E BOTIMIT
Vëllai i Bedi Pipës, Arshi Pipa, kujton në –Paraqitje lexuesit- në faqet e fillimit të librit se, pasi ishte kthyer nga burgu, po merrej me sistemimin e shënimeve, shkrimeve, botimeve që gjeti në shtëpi e që disa nuk ishin të tijat. Ishin pa emër, por nga shkrimi, ai e kuptoi se i përkitnin motrës së tij të vdekur: tri fletore, të mbushura me shkrim, diku të shpeshtë, diku të qartë, diku të ngatërruar. Ndër to, kishte edhe fletë të shkëputura.

E papritura, pasi i lexoi, ishte jo gjetja e tyre, por ajo çka shkruhej. Dhe ai rrëfen: “Më ka qillue me vërejtë gjatë burgimit natyna të mbylluna, të cilat nuk ndiejshin nevojë për shoqni; veç vrejshin në botën e tyne, në mes të moris gjithë zhurmë e poterë, e jetojshin ashtu, të ndrymë mbrenda kullës së hekurt të vetvetes në nji mendim të qëndrueshëm ose në nji andërr të vazhdueshme. E kam ndeshë edhe natyra, të cilat, pa u shty deri ktu, nuk ja çelshin as shokut botën e tyne të brendshme. Ti rrijshe me ta, flitshe e qesheshe me ta, por ndjenjat e qëllimet e tyne të thella të ngeleshin të panjoftuna. Kam vërejtë se shoqnia e burgut ka shumë pikëtakime me jetën familjare. Prandaj, tue lexue kto fletore, nuk u çudita fort që nuk e kisha njoftë motrën time.”

PËR AQ SA JETOI…
…Sepse ajo u nda nga jeta kur ishte njëzetë e katër vjeç, në vitin 1948, nga një sëmundje e papritur e mushkërive. E goditi përfundimisht ridënimi i vëllait të saj të dashur, me të cilin qe e lidhur fort, pasi ishin rritur bashkë, ishin pranë njeri – tjetrit kur ajo ndiqte shkollën Normale në Tiranë, pastaj, sërish bashkë në Shkodër e mandej në Tiranë, ku u transferuan në vitin 1943. Burgu i Arshiut i ndau. Arshi Pipa kujton letrën e saj të mbrame, të mbuluar me njolla lotësh, ku edhe shkrimi dukej i thyer, ishte letra përgjigje e Bedit, ndaj letrës që vëllai i kishte shkruar, ku i tregonte se e kishin dënuar rishtazi për dhjetë vjet (e që nuk do t’ia falte kurrë vetes që ia tregoi).
E kishte ëndërr shkollimin në një universitet jashtë vendit. Por kjo ëndërr i mbeti e parealizuar për shkak të pështjellimeve politike. U emërua mësuese në qytet, detyrë që nuk e kishte fort për zemër e mbas pak kohe u sëmur.
Arshi Pipa kujton se nuk ka mundur të ruajë letrat e saj të fundit. Në shënime nuk flitet gjëkund për lëngatën e saj pasi, siç shpjegon A.P., ‘intimiteti i lëngatës nuk asht një pamje e mirë për sytë e tjetrit, dhe ka gjana që vetëm heshtja mund t’i shprehë’.

PËRSE “DITARI INTIM” KA NJË PËRMASË PËRTEJ INTIMES?
Ditari i Bedi Pipës fillon me përshtypje të kohës kur ajo jetonte, të përshkruara nga një melankoli e theksuar që mbërrin deri te ideja e vdekjes. Shenja si: kujdesi i një introspekcioni, konstatimi i variabilitetit psikik dhe i fazave të tij, kërkimi i shkakut për gjendjen, zbulimi i dy natyrave të ndryshme në veten, orvatja për të sunduar vuajtjen duke e fshehur, mendimi origjinal i paralelizmit psiko- fizik i vuajtjes përshkojnë shënimet e këtij Ditari.

Bedin e kupton se është një lexuese e Baudelaire-it, Leopardi-t, Schopenhauer-it, Dostojevski-t, Migjenit, të cilin e kishte njohur herët nga i vëllai, Chopin-it. Bedi nuk e pranon se ka “preteza letrare”, por pasi e lexova librin e saj, jam e bindur se po të kishte jetuar, ose më saktë, po ta kishin lënë të bënte jetën e saj, me gjithë formimin e duhur, ajo do ishte një emër i çmuar në kulturën letrare. Pasi, mënyra e të shkruarit, logjika, arsyeja dhe filli i mendimeve të kësaj vajze njëzet vjeçare diktojnë një mendje që ka prirje për t’i dhënë vlera shoqërisë.
Pas leximit, përfytyrova Bedi Pipën: e brishtë, e mbyllur, me vullnet dhe me kurajë për të eksperimentuar detaje që lodhen me të menduarit, varësinë e vullnetit me inteligjencën. Por ajo që më tërhoqi është një tis i hollë, i bukur dhe i paparë i një sjelljeje të përkorë. Mënyra si e përjeton ajo dashurinë, forma me të cilën i merr apo kthen përgjigjet, ka kaq shumë ëndje dhe të ngacmon të kuptosh se edhe ajo Tirana e asaj kohe, me shtëpi të ulëta e rrugica të ngushta, po mbushej me njerëz dhe familje që e meritonin plotësisht qytetarinë.
Ajo eksploron vetveten në ditarin e saj intim. Nuk është vetëm ëndja e soditjes së një objekti, as një ëndje estetike që mund të krahasohet me atë të një gruaje të bukur kur sodit trupin e vet para pasqyrës. Qëllimi i shkrimeve të saj është njohja e vetvetes, dëshira e pandalshme për të ditur caqet e veta, forcën dhe dobësinë e vetes, thelbin e vërtetë të vetes dhe lëvoret që e mbulojnë. Ajo arrin të dyzojë shpirtin duke krijuar objektin dhe subjektin. Kjo njohje nga një qëllim teorik, shndërrohet në një qëllim moral. “Unë nuk jam një femen e jashtëzakonshme, jam para së gjithash nji kenje qi mendon e ndien në mënyrën e vet” shkruan ajo, duke na dhënë çelësin e personalitetit të saj. E më tej shtjellon: “Zot, sa vuej kur ndokush, edhe padashtun, edhe pa paramendim, më krahason ose më tipizon!”

Ajo vdiq në një dhomë spitali, larg të dashurve të vet, ndër vuajtje të mëdha. Pasi ka shkruar këto fletë, ndoshta ka patur një ngushëllim: ngushëllimin që ka njeriu kur i ngre një varr të bukur të dashurit të vet.
Arshi Pipa shkruan plot dhimbje: “Se vorri i saj nuk asht aty ku gjindet. Asht një vorr i thjeshtë, me dy gurë mermeri në skaje. Por ash gjithmonë një vorr, ndërsa aj i tim vëllai nuk ka qenë kurr. Çka kam shkrue në këtë botim, është epitafi i atij vorri që ajo vetë i kishte përgatitë vetes….O motër, varri yt asht brenda meje!”

PËR VETE DHE PËR TË TJERAT
Bedi Pipa ndoshta nuk ka nevojë që ne ta lexojmë, apo ta përmendim. Besoj se kemi ne nevojë për të, për modelin e saj, për historinë që sillet rreth familjeve shqiptare dhe vlerave të humbura në kohë, për pasurinë e paçmuar gjuhësore që sjell gegnishtja e Ditarit dhe së fundmi, për të kuptuar se të njohësh veten është gjithmonë shenjë e një vullneti të epërm, por të kapshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.