OPINION

Ky parlament nuk duhet pastruar, por duhet shkatërruar

10:30 - 27.09.18 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këmbëngulja e Bashës në vettingun e politikës, i ngjan një loje me mullinjtë e erës. Ajo është vetëm një lëvizje propagandistike që do të vërtetojë një gjë që nuk ka mbetur asnjë shqiptar që nuk e di: se kjo qeverisje është e lidhur kokë e këmbë me krimin.




Po le ta harrojmë këtë për një çast dhe të imagjinojmë sikur kjo nismë mund të ketë sukses real. Sikur Rama do të pranojë ta votojë atë projektligj që e godet në thembrën e Akilit. Se ai as nuk do të sorrollasë procesin në Venecia, as nuk do të fusë shkopinj nën rrota, as, siç mund të ndodhë në ëndrrat më të bukura të çdo opozitari, nuk do të manipulojë procesin duke i lënë të bien një nga një ministrat dhe deputetët e tij, që kush më shumë e kush më pak e kanë një lidhje me botën e nëndheshme.

Pra, le ta shfrenojmë fantazinë deri në fund dhe të hamendësojmë se PD-ja arrin një sukses absolut në nismën e saj.

Po pastaj ç’do të ndodhë?

Ja do të largohen disa ministra dhe deputetë nga politika.

Po a pyet kjo shumicë për gjëra kaq të vogla?

Asaj nuk i është dridhur qerpiku nga tërmete më të mëdha, si largimi i një dyzine figurash kryesore dhe deputetësh nga ligji i dekriminalizimit.

Asaj nuk i ka hyrë gjemb në këmbë nga vërtetimi i akuzave për kanabizimin dhe implikimi i ish numrit dy të qeverisë, ministrit të Brendëshmëm, me bandat e trafikantëve.

Këto aksione reduktohen thjesht në “lajme të bezdisshme”, kur qeveria ka në dorë edhe të gjitha mediat e mëdha që e shuajnë rëndësinë e tyre, edhe oligarkët që financojnë blerjen e votave, edhe kriminelët që kryejnë manipulimin e tyre.

Pra askush nuk do të shqetësohej nga ngadhënjimi i aksionit opozitar.

Nga ana tjetër, vetëm ndonjë i marrë mund të shpresojë se suksesi i tij do të mbërrinte deri sa të këpuste kokën e Ramës. Sado që kryeministrit aktual mund t’i vërtetohen me lehtësi lidhje me botën e nëndheshme, sado që ai të gjykohet për alibitë që ka shpikur për disa akte kriminale në këtë vend, ai nuk mund të preket nga kjo nismë.

Sepse që ajo të funksionojë, duhet minimalisht edhe vullneti i tij, përveç votave të tij.

Dhe historia e politikës e ka vështirë të numërojë raste të liderëve që bëhen viktima të marrëveshjeve që firmosin vetë. Arafati u amnistua nga gjithçka kishte bërë, pasi firmosi paqen me Rabinin, Klarku po ashtu, pasi u ul në tryezë me Mandelën, e njëjta gjë ndodhi me Milloseviçin në ditën që pranoi të nënshkruajë Dejtonin.

Këto pak shembuj ilustrues dëshmojnë se rregulli i pashkruar i politikës, sipas të cilit aktorët e marrëveshjeve nuk bëhen kurrë viktima të tyre, do të qe i vlefshëm edhe për Ramën, nëse ai e pranonte, pa hedhur vickla, propozimin e PD për Vettingun e politikës.

Po ç’do të ndodhte në një rast të tillë?

Këtë e dinë të gjithë, sepse ky është një film i parë. Rama do të mbetej në pushtet më të njëjtat banda, oligarkë dhe TV pas vetes dhe as do të çante kryet për ata ata pak hyzmeqarë të rilindjes që do t’i hidhte pas si limonë të shtrydhur.

Pra PD, në fund, do të përsëriste fabulën e turpshme të para 18 majit, kur u betua se nuk hynte në zgjedhje me Ramën dhe e gënjyen me kokat e pavlera të disa ministrave.

Pikërisht disfata e një viti e ca më parë, e dënon opozitën që të mos bëjë të njëtën lojë.

Ky parlament dhe kjo mazhorancë as mund të korrigjohen dhe as mund të pastrohen. Ata vetëm mund të luftohen deri sa të shkatërrohen. Dhe rruga e vetme për këtë nuk është më propozimi i nismave të reja. Rruga e vetme që ka mbetur është edhe më radikale sesa thotë Berisha me djegien e mandateve dhe moshyrjen në zgjedhje.

Ajo fillon me daljen nga sistemi. Braktisja e pushtetit lokal që nuk shërben më, siç tregoi edhe rasti i anashkalimit të këshillit Bashkiak, për tokën rreth teatrit. Mosnjohja e një prokurorie që ka mbi krye një drejtuese, jo vetëm kamikaze, por edhe të paligjshme. Mos ankimimi në gjykata, për sa kohë ajo Kushtetuese nuk funksionon. Madje, madje, edhe dorëheqja e presidentit të nëpërkëmbur (nëse opozita ka forcë ta diktojë këtë).

E vetmja rrugë është që Rama të lihet fillikat, ashtu sikurse kërkoi në zgjedhet e vitit që shkoi. I shoqëruar vetëm nga kriminelët dhe oligarkët e tij, pa përmendur gazetarët që vazhdojnë t’i bëjnë fresk.

Çdo zgjidhje e ndryshme, është zgjedhje e një opozite të paguar, që nuk do të rrezikojë asgjë për të arritur qëllimin. E një opozite që vazhdon të shpikë farsa ligjore, vetëm për të vazhduar ta mbajë njërën këmbë brenda këtij sistemi, që e ka shndërruar në fasadë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.