Sociale

Vendimi, zbardhen tarifat për provimet e specializantëve të Mjekësisë

16:30 - 11.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ata që do të japin provime për profesionet e rregulluara, kërkojnë njehsimin e diplomave, apo bëjnë testimin e specializimit në mjekësi, tashmë mund të njihen me tarifat që duhet të paguajnë. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot vendimin më të fundit të qeverisë dhe tarifat përkatëse që duhet të paguajnë të sipërpërmendurit. Këshilli i Ministrave në vendimin më të fundit ka përcaktuar tarifat për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore për qytetarët, institucionet e arsimit të lartë, institucionet e tjera dhe palët e treta.




“Tarifat e përcaktuara sipas pikës 1 të këtij vendimi, arkëtohen, parapaguhen para ofrimit të shërbimit përkatës, pranë bankave të nivelit të dytë ose zyrave të Postës Shqiptare, në adresë të Degës së Thesarit Tiranë, me përfitues Qendrën e Shërbimeve Arsimore, Tiranë. Të ardhurat e arkëtuara nga tarifat e parapaguara për shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore janë të pakthyeshme. Pjesa prej 90% e të ardhurave, që i takon Qendrës së Shërbimeve Arsimore, autorizohet dhe përdoret me strukturë të veçantë buxhetore në programin buxhetor 09450, kapitulli 06, “Të ardhurat e veta jashtë limitit””,-theksohet në vendim. Ndërkohë të ardhurat që sigurohen nga këto tarifa menaxhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe përdoren për mbulimin e shpenzimeve të personelit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore ku në shpenzime personeli përfshihen pagat e punonjësve, si dhe kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Gjithashtu, këto të ardhura përdoren edhe për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarisë së Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ku përfshihen dhe mbulimi i shpenzimeve të hartimit, vlerësimit e korrigjimit të testeve të provimeve, si dhe pagesa e kuotave/tarifave në rrjetet ndërkombëtare; si dhe për mbulimin e shpenzimeve për investime në përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të QSHA-së.

Çdo shërbim tjetër i ofruar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi apo i ngarkuar nga ministri përgjegjës për arsimin, për të cilin nuk aplikohet tarifë shërbimi sipas këtij vendimi, financohet nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Sakaq të ardhurat e papërdorura gjatë një viti financiar kalojnë në vitin pasardhës. “Vendimi nr. 812, datë 10.11.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave për provimin e shtetit”, shfuqizohet. 9. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”,-nënvizohet në Fletoren Zyrtare.

Tarifat
Njohja e diplomave, certifikatave e titujve dhe gradave të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit të lëshuara nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, është 2000 lekë për çdo aplikant. Ndërkohë provimi i specializimit në mjekësi, si dhe profesione të tjera të rregulluara, tarifohet me 5000 lekë për çdo aplikant. Provime të tjera të digjitalizuara, të kërkuara nga institucionet publike dhe private kushtojnë 5000 lekë çdo aplikant, ndërsa aplikimi për ndjekjen e studimeve në institucionet e arsimit të lartë në sistemin që administrohet nga QSHA-ja, tarifohet me 2000 lekë për çdo aplikant. Ndërkohë regjistrimi i formës së diplomave dhe certifikatave, tarifohet me 3000 lekë për diplomë/certifikatë të regjistruar, në një kohë që tarifa për pajisjen me numrin unik të matrikullimit është 100 lekë për çdo student.

Lloji i shërbimit Tarifa (lekë)

1. Provimi i shtetit për profesionet e rregulluara:
a) Për provimin e shtetit dhënë nga kandidati për herë të parë: 10 000 lekë;
b) Për provimin e shtetit dhënë nga kandidati për herë të dytë: 12 500 lekë;
c) Për provimin e shtetit dhënë nga kandidati për herë të tretë: 15 000 lekë;
ç) Për provimin e shtetit dhënë nga kandidati për herë të katërt: 17 500 lekë;
d) Për provimin e shtetit dhënë nga kandidati për herë të pestë: 20 000 lekë;
e) Për provimin e shtetit dhënë nga kandidati më shumë se pesë herë: 25 000 lekë.
2. Njohja e diplomave, certifikatave e titujve dhe gradave të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit të lëshuara nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, 2 000 lekë për çdo aplikant.
3. Provimi i specializimit në mjekësi, si dhe profesione të tjera të rregulluara, 5 000 lekë për çdo aplikant.
4. Provime të tjera të digjitalizuara, të kërkuara nga institucionet publike dhe private, 5 000 lekë çdo aplikant.
5. Aplikim për ndjekjen e studimeve në institucionet e arsimit të lartë në sistemin që administrohet nga QSHA-ja, 2 000 lekë për çdo aplikant.
6. Regjistrimi i formës së diplomave dhe certifikatave, 3 000 lekë për diplomë/certifikatë të regjistruar.
7. Tarifa për pajisjen me numrin unik të matrikullimit (për student) 100 lekë;
8. Pajisja e IAL-së me: 2 000 lekë;
a) Regjistrin themeltar të studentëve (për regjistër);
b) Regjistrin e arritjeve akademike;
c) Regjistrin e lëshimit të diplomave dhe certifikatave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.