OPINION

Hungari 1956, si vijoi historia…

07:55 - 24.10.18 Përparim Kabo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është e thjeshtë të pohosh pse dhe si ndodhi në 1956-n në Hungari. Pse ndërhynë sovjetikët me forcën e armëve, si u vranë njerëz, si u shtyp revolta dhe u përdhos ëndrra e një populli, që i pari i çorri maskën imperialitetit sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Përmes të dhënave muzeale, arshivave dhe dokumenteve në përdorim të gjerë apo atyre të klasifikuara është krejt e mundur që bollshëm të vjelësh njohuri, të gjesh foto, gazeta dhe incizime të asaj periudhe. Studimet që ende vazhdojnë gjejnë argumente të reja, ripërqendrohen te fakte të njohura, që edhe mund të ridiskutohen, si edhe të tillë të panjohur më parë që lipsin vëmendje dhe analiza të thella në ndërkallje me ato konstante të gjithëpranuara, por edhe duke iu larguar atyre me qëllimin e frytshëm për nxjerrjen e përfundimeve të patakuara më herët. Është i njohur fakti që shqetësimi për situatën hungareze shkoi deri në OKB, por ndryshe u soll Imre Nagy e ndryshe Janosh Kadary. Në procedurë dhe nëpërmjet saj gjërat u shtyn në kohë sepse ngjarjet e njëkohshme që ndodhën në Kanalin e Suezit morën më shumë preokupim, më shumë vëmendje dhe më shumë angazhim institucional nga OKB-ja. Nuk e di a gjen sot arsye argumenti që u lëshua aso kohe, se ndërhyrja ushtarake nga perëndimi në mbrojtje të Hungarisë mund të shpinte në një luftë taktike me armë bërthamore me Bashkimin Sovjetik, që mund të shkatërronte botën. Frika në periudha historike, ngrihet shpesh edhe si argument e alibi e për rrjedhojë gjendet motivimi “se një e keqe e vogël është e pranueshme përball një fataliteti gjithëpërfshirës”. Si shkruan autori hungarez, Béla K. Kiraly:“Në vitin 1956 forcat e armatosura tradicionale të Bashkimit Sovjetik tejkaluan ato të NATO-s. Ky superioritet e bëri mbrojtjen e kufirit lindor të territoreve të NATO-s të pamundur me mjete tradicionale. Një sulm sovjetik mund të ishte zmbrapsur vetëm me armë bërthamore taktike, por shpërthimi i bombës së parë bërthamore taktike do të çonte në një luftë bërthamore dhe në fundin e civilizimit njerëzor. Ky fakt ishte argumenti më i fortë që nënvizonte politika e Perëndimit, duke shtyrë të gjitha konsideratat e tjera në sfond”.[1]




Në 27 tetor 1956 fuqitë perëndimore kishin parashikuar që situata në Hungari të shqyrtohej në Këshillin e Sigurimit të OKB-s. Imre Nagy kishte shpresuar se OKB-ja do të luante një rol të rëndësishëm për situatën në Hungari, ndaj për këtë qëllim ai e riktheu në atdhe Péter Kós që ishte kryetari delegacionit i Republikës Hungareze pranë selisë së OKB-s. Vendin e tij e zuri János Szabo, një ish-deputet. Për fatin jo të mirë të popullit hungarez dhe luftëtarëve të lirisë, në dy ditët e fundit të atij tetori të largët tashmë, pra në 30-31 tetor 1956 trupat sovjetike e pushtuan Hungarinë. Po në 31 tetor trupat ushtarake franceze dhe angleze shkuan në Suez dhe nisi bombardimi Egjiptit. Në 1 dhe 2 nëntor, Imre Nagy me anë të një letre i kërkonte ndihmë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s zotit Dag Hammarskjöld, i cili në respekt të së vërtetës historike, duhet thënë se nuk ju përgjigj kësaj letre, si dhe nuk mori masa. Ai as që mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në datat 2 dhe 3 nëntor ku do të diskutohej çështja hungareze. Duket si një neglizhencë që as në planin etik e më keq akoma as edhe në atë institucional nuk gjenin justifikim. Nga largësia e viteve mbase me mendje të kthjellët, ne aktualisht mund të gjejmë një lloj motivimi duke hamendësuar se ai e dinte që ajo mbledhje nuk do zgjidhte gjë. Do të ishte thjesht një formalitet. Gjithçka ishte e vendosur të ndodhte duke mos e ndaluar. Ja, rrallëherë ngjarjet jashtë kontrollit krijojnë atë që njihet si historia e faktit të kryer, e për pasojë qëllimi përmbyllës është vënia në jetë e atij plani që kur nuk je në gjendje ta ndalosh. Diku mes debateve në fund të shteren energjitë, nuk të pranohen argumentet që në tavolinë janë të qartë dhe bindës, por që nuk përputhen me rrjedhat në fushën e betejës, ndaj edhe të thuhet: “Le të ndodhë, nuk mund ta ndalim”. Dag Hjalmar Agne Carl Hammarskjöld (29 korrik 1905 – 18 shtator 1961) ishte ekonomist dhe diplomat suedez i cili shërbeu si Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Hammarskjöld ishte personi më i ri që e pati mbajtur postin, ishte në moshën 47-vjeçare kur u emërua. Mandati i tij i dytë u ndërpre fatalisht, pasi ai humbi jetën në një aksident me aeroplan rrugës kur udhëtonte për në Kongo, me qëllim për të ndaluar luftimet e për të krijuar mundësinë e negociatave mes palëve të përfshira në krizën e vendit afrikan. Ai është një nga katër personat që do të shpërblehej me çmimin Nobel për vdekjes. Hammarskjöld është përmendur si një nga dy sekretarët më të mirë të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe emërimi i tij është vlerësuar si suksesi më i rëndësishëm për OKB-në. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës John F. Kennedy e quajti Hammarskjöld “më i madhi”. Ja përse mendoj se ky personalitet nuk mund të sillej me shpërfillje për çështjen hungareze. Nisur nga figura e tij zyrtare lihet të (mirë)kuptohet pse ai u soll në atë mënyrë. Kushedi se sa e ka brejtur ndërgjegjja. Ikja e beftë nga jeta dhe mungesa e kujtimeve personale e mbylli përfundimisht këtë çështje. Këshilli i Sigurimit, është fakt, që u shpreh se ishte kundra ndërhyrjes së forcave sovjetike në një vend të pavarur si Hungaria por, “asnjë rezolutë nuk u miratua për zgjidhjen”. Situata e krijuar tronditi ndërgjegjen njerëzore dhe institucionale të këtij personi.

Zoti Hammarskjold, si të thuash donte të hiqte qafe këtë përgjegjësi të pakëndshme, që e vendosi atë dhe zyrën e tij në një konfrontim me Bashkimin Sovjetik. Kjo gjendje përgjegjësie dhe ankthi e shpuri në idenë se një komitet i veçantë dhe jo institucioni i Sekretarit të Përgjithshëm, duhet ta trajtonte problemin hungarez në OKB. Asambleja e Përgjithshme mori vendimin në datën 10 janar 1957 për ta ngritur atë. Komiteti kishte në përbërje përfaqësues nga Australia, Ceyloni, Danimarka, Tunizia dhe Uruguai. Personat përfaqësues të këtyre shteteve që tashmë kishin një mandat të OKB-së morën edhe miratimin e qeverive respektive. Cilët ishin këta persona?  Australia përfaqësohej nga zoti K.C.O. Shann, Cejloni nga zoti R.S.S. Gunewardene, Danimarka nga zoti Alsing Andersen, Tunisia nga zoti Mongi Slim, Uruguaji nga profesor Enrique Rodriguez Fabregat. Komiteti u ngarkua nga Asambleja e Përgjithshme me detyrën që t’i siguronte asamblesë dhe anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, informacionin e plotë dhe të vlefshëm në lidhje me situatën e krijuar nga ndërhyrja e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, përmes përdorimit të forcës ushtarake dhe mjeteve të tjera në çështjet e brendshme të Hungarisë, si dhe në lidhje me zhvillimet që kishin të bënin me rekomandimet e Asamblesë për këtë çështje. Deri këtu zhvillimet ishin si të thuash brenda një normaliteti, veçse pikërisht në këto momente ndodhi diçka që befasoi. Qeveria hungareze ndaloi që Komiteti të kryente vëzhgime direkte në Hungari, si edhe kërkonte rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Një situatë gati paradoksale. Hungarezët me qindra mijëra që në palcën e dimrit e lanë atdheun dhe kaluan kufirin u trajtuan nga OKB-ja me një shpejtësi dhe korrektësi shembullore për akomodimin e tyre në disa vende në Europë dhe jashtë saj. U zgjidh me rregull si të thuash kriza e parë humanitare pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë që brenda Hungarisë arrestoheshin, burgoseshin dhe dënoheshin deri me humbjen e jetës qytetarë që kishin qenë luftëtarët e lirisë dhe antisovjetikë. Internoheshin qindra mijëra njerëz, madje edhe në kampet sovjetike. Kjo situatë ku qeveria hungareze për të mbrojtur regjimin komunist po godiste popullin e vet i tha jo edhe Komitetit të ngritur nga OKB-ja. Në këto rrethana, pas një këqyrjeje të dokumenteve, komiteti vendosi të kryente seanca dëgjimi me dëshmitarë të ngjarjeve. Takimet me ta u caktuan të zhvilloheshin në selinë e OKB-s në Nju Jork. Edhe sot kur mendon qëndrimin e ngurtë dhe refuzues të ish- qeverisë hungareze të asaj kohe indinjohesh. Pala sovjetike me prezencën e ushtrisë dhe tankeve në rrugë si dhe zhgënjimi i madh që kishte pllakosur patën krijuar një gjendje të tillë të paqëndrueshmërisë institucionale, emotive dhe psikologjike në tërësi. Kemi të bëjmë në këto rrethana me një shoqëri tej mase të shqetësuar.

Gjithsesi një vend anëtarë i OKB-s si Republika e Hungarisë nuk kish se si të bllokonte një institucion ‘ad hock’ si edhe qe ky komitet. Është e vërtetë se ajo qeveri turpërisht e konsideroi pushtimin si një çlirimi dhe ndërhyrjen si një ndihmë e kërkuar, por edhe në këto rrethana të sajuara dhe propagandistike, nuk mund t’i thuaj jo OKB-s. Është ky një nga veprimet e gabuara dhe të pashlyeshme në historinë institucionale dhe në raportet ndërkombëtare të qeverisë hungareze me institucionin më të lartë në rangun ndërkombëtar. Edhe i mbyllur dhe i izoluar po të vetëshpallesh dhe vetëtrajtohesh, është e pamundur të fshihen të vërtetat, ngjarjet, bëmat, viktimat dhe pasojat e një ndeshje civile me armë mes palëve dhe një ndërhyrje ushtarake me armë ndaj vendit tënd. Nga 11 marsi deri në 16 prill të vitit 1957, Komiteti punoi në Europë në zyrën e OKB në Gjenevë si dhe në Romë, Vjenë, Londër. Këto dëgjesa ndihmuan thelbësisht për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë përfaqësonin ngjarjet që u zhvilluan me aq përshpejtim në Hungari. Materiali i përgatitur dhe nënshkruar nga raporterët u paraqit nga Komiteti në takimin e vet të 58-tetë në 8 prill në Gjenevë. Pas kësaj, komiteti u kthye në Nju Jork për të mbyllur përgatitjen e raportit, i cili u pranua unanimisht nga të gjithë anëtarët në mbledhjen e mbajtur të premten 7 qershorit të 1957-ës. Në shifra ekzakte Komiteti dëgjoi gjithsej 111 dëshmitarë të ngjarjeve, 35 u dëgjuan në Nju Jork, 21 në Gjenevë, 16 në Romë 13 në Vjenë dhe 9 në Londër. Gjeografia kaq e gjerë ka rëndësi për të vlerësuar dy aspekte, seriozitetin e komitetit dhe përhapjen në dy kontinente të atyre që për këtë Komitet ishin dëshmitarët e gjallë të ngjarjeve, por edhe viktimat e shtypjes së kryengritjes hungareze të vitit 1956 kundra pushtimit sovjetik, kundra regjimit diktatorial, për një Hungari neutrale dhe jo zonë e influencës sovjetike. Është me rëndësi të pohohet se tre dëshmitarët e parë që u dëgjuan në publik ishin zonja Anna Kéthly, ministre shteti në qeverinë e Imre Nagy-it; Gjeneral Major Béla Király, komandanti ushtarak i qytetit të Budapesitit dhe shefi komandës i Gardës Kombëtare gjatë kryengritjes hungareze si dhe József Kövágó, kryetari Bashkisë së Budapestit gjatë viteve 1945-1947 si dhe sërish gjatë ditëve 31 tetor deri në 4 nëntor të vitit 1956. Jo vetëm këta tre persona me peshë në jetën e vendit, por edhe shumë personalitete të tjerë kërkuan nga Komiteti një zgjerim të dëgjesës edhe me të tjerë, madje iu kërkua Komitetit që në zbatim të rezolutës së Asamblesë së OKB-së, personat që do shpreheshin për ato ngjarje të dëgjoheshin edhe nga qeveritë e Belgjikës, Kanadasë, Danimarkës, Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qëllimi ishte ndërkombëtarizimi i çështjes dhe rritja e ndjeshmërisë në aspektin institucional. Jepeshin madje dhe rekomandime me emra se cilët persona do të ishte mirë të dëgjoheshin. Diku te 200 hungarezë i dërguan letra Komitetit dhe me iniciativën e tyre kërkonin të dëgjoheshin nga ai. Ngritja e kësaj vale e shtyu Komitetin që të respektonte këtë interesim, por njëherësh me qëllim përfitimin sa më të madh dhe të gjerë, ai vendosi disa rregulla. Dëshmitarët u selektuan dhe klasifikuan, proces që u zhvillua nën drejtimin e kryetarit të këtij grupi reporterësh. Të parët që u konsideruan ishin ata që përpara Komitetit do të sillnin pohime që lidheshin direkt me ngjarjet si dhe me njohjen e gjithçkaje që kishte ndodhur në Hungari. Gjithashtu, u bë kujdes që dëshmitarët që do të dëgjoheshin të ishin nga të gjitha shtresat e shoqërisë hungareze dhe nga të gjitha zonat e Hungarisë. U mbajt në vëmendje që as të mos kishte diskriminim ndaj atyre që dëgjoheshin, por as edhe përsëritje.

U dëgjuan me vëmendje një numër i madh punëtorësh nga industria e rëndë si dhe punonjës, që ishin treguar tejet aktivë me sindikatat. Shumë prej tyre kishin marrë pjesë në revoltë dhe përleshje me emrin e thjeshtë “Luftëtarët e Lirisë”. Mes tyre që u dëgjuan kishte dhe nga ata që kishin qenë anëtarë të “Këshillit Revolucionar të Budapestit” si dhe të rretheve përfshi edhe ata që kishin qenë anëtarë të Komitetit të “Këshillit të Punëtorëve” të Csepel-it. Dëshmuan gjithashtu inxhinierë dhe teknikë si dhe drejtues të ndërmarrjeve shtetërore përfshirë edhe nga ata që kishin drejtuar minierën e uraniumit në Pécs. U dëgjua edhe një numër relativisht i konsiderueshëm fshatarësh, që pohuan për situatën në zonat e tyre, por u bë kujdes që të dëgjoheshin edhe punëtorë apo studentë që ishin me origjinë nga fshati. U dëgjuan pa dallim intelektualë komunistë dhe jokomunistë. Komiteti vlerësoi me interes dëgjesën me disa nga pjesëtarët e Klubit Petöfi, i famshëm dhe tejet aktiv në frymëzimin e ngjarjeve si dhe shumë personalitete të pavarur si gazetarë, artistë, arkitektë, profesorë të jurisprudencës, të mjekësisë, të filozofisë, të historisë, të shkencës, teknologjisë, ekonomisë, agrokulturës, si dhe disa jurist dhe prokurorë. U dëgjuan me respekt të veçantë studentët e universiteteve, vajza dhe djem dhe mes tyre dhe ata që kishin drejtuar “Këshillat Studentore”. U dëgjuan shumë ushtarakë nga të gjitha rangjet, që nga ushtarë të thjeshtë deri te drejtues të lartë si psh., nënkomandanti i përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Csepelit dhe Komandanti i qendrës Corvin, Komandanti i forcave revolucionare të jugut të Hungarisë si dhe udhëheqësi i “Luftëtarëve të Lirisë” dhe forcave guerilie në jugperëndim të Hungarisë. Ishin shumë të vlefshme rrëfenjat dhe pohimet e mjekëve dhe infermiereve që kishin shërbyer ndaj të plagosurve dhe nën kujdesin e Kryqit Kuq ishin marrë me transportimin e tyre. Dëshmi u morën gjithashtu nga një numër i konsiderueshëm zyrtarësh pranë qeverisë, përfshirë edhe diplomat, disa prej tyre edhe të rangut të lartë. Komiteti dëgjoi dhe njerëz të fesë pa dallim katolik, protestant dhe hebrenj. Nuk u lanë pa pyetur dhe ish-anëtarë të parlamentit, shumë prej të cilëve vinin nga Partia Komuniste apo që kishin qenë formalisht të tillë, nga Partia Social Demokrate dhe nga Partia e Pronarëve të Vegjël të Pavarur. U dëgjuan pacifistit, të cilët në trysnin e zhvillimit të ngjarjeve i braktisën parimet dhe u përfshinë në luftimet e zhvilluara. Shumë nga dëshmitarët e dëgjuar kishin kaluar vite në burg për shkak të qëndrimit kundra Horthyt dhe kundra nazizmit, por që për ironi kishin kaluar vite burgu edhe në regjimin komunist.[2] Është kuptimplotë fakti që u dëgjua edhe një person që kishte qenë stenograf i policisë sekrete.( Államvédelmi Hatóság, që më vonë u njoh si ÁVH) Në prag të ngjarjeve pati nga ata që disa javë më parë e patën lënë Hungarinë por hynin e dilnin për të nxjerrë jashtë familjarë apo miq. Komiteti pyeti edhe disa prej tyre. Shumë ikën se e ndjenin se mund të arrestoheshin. Pati edhe nga ata që u arratisën nga treni që po i çonte në Bashkimin Sovjetik. Shumë ja mbathën se kishin kuptuar se apartamentet ku ata banonin ishin nën mbikëqyrje, ose kishin kuptuar se duke qenë anëtarë të Këshillave Revolucionare të Punëtorëve, mund të arrestoheshin, si edhe kishte ndodhur me një numër kolegësh të tyre. Duhet të përmendim se pjesa më e madhe e dëshmuesve ishin nën 35 vjeç. Shumë ishin edhe të rinj fare, madje edhe disa 16-vjeçarë. Dëshmitë e të rinjve e tronditën thellë Komitetin. Dëgjime të hapura pati edhe në prani të mediave, por shumica u bënë të mbyllura për të mos rrezikuar familjet e atyre që dëshmonin. Në të gjitha rastet pati një protokoll strikt për gjithkënd që dëshmonte.

Fillimisht merreshin gjeneralitetet, statusi si dhe sugjerohej që gjithçka thuhej të ishte e orientuar nga eksperienca personale e përjetuar. Kishte nga ata që firmosnin edhe dokumente të rëndësishme apo drafte origjinale për atë që lidhej me dëshminë e lëshuar prej tyre. Kështu që komiteti përgatiti një dosje me rreth 2000 faqe. Kujdesi procedural ishte që dëshmitë të ishin në bashkëlidhje me njëra tjetrën, pavarësisht se mund të ishin dhënë nga njerëz të ndryshëm, si dhe të nxirrej në dritë lidhja e tyre me dokumentet shkresore. Gjatë pyetjes së dëshmitarëve fal materialeve të mbledhura edhe puna u bë më e përpunuar sepse bëheshin tashmë pyetje të adresuara. Përfaqësitë diplomatike të akredituara dhe rezidente në Budapest, (shtetet që ata përfaqësonin ishin anëtare të OKB-së) patën detyrimin që të jepnin shpjegime dhe informacion. Subjekte të pavarura të shoqërisë civile referuan të dhëna me shumë vlerë. Një studim i detajuar ishte përgatitur (fal dëgjesave me shoqërinë civile) nga Komisioni Juristëve në Hagë dhe zoti Hartley Shawcross pati rastin që me gojë t’ia përcillte këto dëshmi Komitetit. U shfrytëzua gjerësisht edhe shtypi i kohës i periudhës përpara, gjatë dhe pas ngjarjeve, që nga gazetat revolucionare deri te ato zyrtaret. Komiteti madje pa edhe disa filma artistik që ishin xhiruar përgjatë kryengritjes. Komiteti (si e vura në pah edhe më lart) kërkoi që të hynte në Hungari dhe të kontaktonte me qeverinë dhe shtetarët e lartë hungarez, konform rregullave ndërkombëtare.

Në datën 5 shkurt 1957, përfaqësuesi i përhershëm i Hungarisë në selinë e OKB-së e informoi Sekretarin e Përgjithshëm se në opinionin e qeverisë hungareze Komiteti me funksionin dhe punën e tij, paskësh dhunuar “Kartën e Kombeve të Bashkuara”, si rrjedhojë qeveria hungareze nuk mund të jepte lejen që anëtarët e këtij Komiteti Special dhe stafit të tyre, të hynin në territorin e Republikës së Hungarisë. Është fakt që komiteti gjatë ditëve që qëndroi në Europë e ripërsëriti kërkesën. Përgjigja e palës hungareze e datë 25 mars 1957 ishte po ajo, refuzuese. Kështu u soll madje dhe qeveria rumune kur iu kërkua që Komiteti të takonte Imre Nagy-n, që kishte kaluar dhe ndodhej atje. Sërish standardi cinik erdhi si refren se bihet ndesh me shpirtin e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Në fakt, Komiteti u tregua tejet i kujdesshëm që të respektonte vetëm kërkesat që buronin nga detyra që i kishte ngarkuar Asambleja e Përgjithshme. Komiteti vuri në dukje në raportin e tij të ndërmjetëm se shqetësimi kryesor i tij ishte: “Të konstatohej shtrirja dhe ndikimi i ndërhyrjes së huaj, nga kërcënimi ose përdorimi i forcës së armatosur ose mjeteve të tjera në çështjet ndërkombëtare dhe pavarësinë politike të Hungarisë dhe të drejtat e popullit hungarez”. Kishim të bënim me një pushtim të hapur. Se çfarë ndodhi më tej, këtë do e lexoni në tetorin e ardhshëm, por një gjë duhet thënë me zë të plotë, ky Komitet dhe puna e tij serioze zbardhi ngjarjet, situatën, shkaqet dhe pasojat; ndihmoi jo thjesht OKB-në, por historinë. Në ditët tona ka shumë ngjarje në vende të ndryshme anë e mbanë botës që humbasin dhe e vërteta për to nuk mësohet pikërisht se nuk ka një interesim të tillë skrupuloz. Historitë e fshehura janë historitë më të rrezikshme. Historitë e njohura sado tronditëse të jenë, kur dalin në dritë të diellit shndërrohen në më pak të rrezikshme, sepse vetëdija njerëzore dhe ajo institucionale nuk lejojnë që ato të përsëriten. Tetori hungarez i 1956-ës, të cilit i rikthehem çdo vit më mëson shumë. Mbase ndodh që ëndrrat e parakohshme kur janë lëvizje shoqërore shtrojnë rrugët ku do të kalojë e ardhmja. Faleminderit popullit hungarez!

[1] 1956 The Hungarian Revolution and War for Independence, page 513.

[2] Ky fenomen takohet edhe në historinë e vendit tonë, Petro Marko u dënua nga fashistët si antifashistë, por edhe nga komunistët si antikomunist pa çka se kishte qenë edhe luftëtarë në Spanjë dhe në Luftën Nacional Çlirimtare. Me sa duket regjimet nuk i durojnë dot njerëzit e lirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.