OPINION

Opozita “e lidhur me krimin”

07:25 - 26.10.18 Julian Zyla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Versioni më i gjatë i titullit do të ishte: Opozita “e lidhur me krimin dhe Preç Zogaj”. Ky artikull nuk ka të bëjë me ndryshimin midis debatit politik në Shqipëri dhe debatit politik në Itali, ku flitet për buxhetin dhe nuk ka asnjë reagim politik për 41 arrestime të një grupi kriminal në Romë. Ky artikull nuk ka të bëjë me ndryshimin midis lajmeve në Shqipëri dhe TG1, ku lajmi për 41 arrestimet ishte nga mesi i edicionit, diku para lajmeve sociale. Ky artikull nuk ka të bëjë me lehtësinë e deklaratave apo titujve me tendencë, të cilët nuk përdorin thonjëzat. Ky artikull ka të bëjë me lidhjen e opozitës me krimin, si mjetin e saj të komunikimit politik, pa kuptuar se: shpesh i mungon koherenca, nuk ka besueshmëri (prej së shkuarës, tentativave për të ardhur në pushtet pa ngritur debate me interes publik, dhe politikbërjes me emra, por jashtëinstitucionale) dhe se shqiptarët i kanë shpresat tjetërkund.




Mungesën e koherencës së Partisë Demokratike, lidhur me krimin e sjellin në pah qëndrime nga përfaqësues të opozitës së gjerë si Monika Kryemadhi apo nga njerëz që i duan të mirën, si Preç Zogaj. Gjithashtu, e sjellin në pah qëndrimet e saj ndaj prokurorisë, e cila në disa raste është e komanduar nga Rama, në disa të tjera Partia Demokratike ka informacione për dosje të prokurorisë ku janë nën hetim njerëz të Ramës.

“Kjo qeveri dhe krimi”, është binomi i refreneve të komunikimit berishian nga PD. Por, një mik që u do të mirën i ftoi në realitetin ku duket që arrestimet e shumta nuk janë lojëra mes aleatësh. “Jo, krimi! Prokuroria! Dosjet! Rama! Dako! Zgjedhje të përgjithshme!” Mos duhet t’i ekzekutojë PS kriminelët që PD të bindet se po ndjekin një tren në ikje?

Qeveria e krimit në narrativat berishiane të opozitës, në kronikat në gurin e mediave dërgoi 1500 policë për të arrestuar elementë të rëndësishëm të krimit. Qeveri e lidhur me krimin: nëpërmjet policave dhe prangave të vëna. Le ta pranojë opozita këtë, jo për qeverinë, por për veten dhe koherencën e arratisur.

Besueshmëria është elementi i dytë që i mungon opozitës për të lidhur fatin me krimin si mjet komunikimi. Dozat e besueshmërisë nuk janë të mjaftueshme për shkak të së shkuarës së PD-së, të tentativave për të zgjidhur ardhjen në pushtet më parë se çdo problem tjetër të shqiptarëve si dhe për shkak të politikëbërjes në mënyrë extra-institucionale, aq më tepër për çështje që lidhen me ligjet penale.

Partia Demokratike mendon se qeveria shihet si sistemi. Në të vërtetë, shqiptarët mendojnë se ata janë pjesë themeluese e çdo elementi që shajnë në sistem. Shqipëria nëse ka qenë ndryshe pesë vjet më parë, duhet të jetë përmirësuar. Nuk ishim në demokraci të konsoliduar dhe jemi kthyer në sistem hibrid apo tranzicion, siç quhet gabimisht. Po bëjmë hapa përpara. Do të bënim ndoshta edhe po të ishin ata në pushtet. Të bindësh shqiptarët për të kundërtën është të mos duash të ndërtosh besueshmëri politike: Përmirësimi nuk nënkupton mungesë problemesh.

Përveç së shkuarës, besueshmëria e PD varet dhe nga trajtimi i ndërrimit të pushtetit si temë politike themelore. Mbi çfarë bazash do të jetë ky kalim zgjidhje e problemeve të shqiptarëve? Zgjidhje e problemeve të shqiptarëve është vetëm zgjidhja e problemeve që kanë shqiptarët.

Gjithashtu, është e vështirë të ngresh besueshmëri kur akuzon nga selia e partisë dhe bën politikë nga shkallët e prokurorisë. Extra/(jashtë) institucionalizmi i veprimeve shfaq prirjen e partisë më të madhe opozitare për të akuzuar jo për efekt ligjor, por për efekt politik. Kjo funksionon me raste, konsumon vetë akuzuesin në shumicën e rasteve.

Elementi i tretë dhe i fundit që “opozuesit” nuk llogarisin është fakti që shqiptarët nuk i kanë shpresat te opozita, por te reforma në drejtësi. Reforma e sistemit gjyqësor është e vetmja pikturë që shqiptarët nuk kishin parë në ekspozitën politike të viteve të fundit. Nuk mund të presësh gjëra ndryshe duke vepruar njëlloj, mund të perifrazohet shkujdesur Nietzsche. Reforma në drejtësi është inputi ndryshe, jo opozita. Reforma në drejtësi është shpresa, jo opozita.

Opozita është padyshim element i domosdoshëm në politikë, në një demokraci. Detyra e saj është të mbajë përgjegjëse qeverinë. Të kërkojë llogari. Të ofrojë alternativa. Të informojë njerëzit rreth ngjarjeve. Por kjo është, gjithashtu, përgjegjësi po aq serioze sa qeverisja. Kush nuk e merr seriozisht, në vend të rrugëve të shkurtra për të ardhur në pushtet, mund të paguajë me kosto politike në zbatim të ligjeve të komunikimit ose monetare në zbatim të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.