OPINION

Shqipja në diasporë, pas një shekulli

07:20 - 01.11.18 Andon Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Njëqind vite të shkuara, deri në përfundim të Luftës së Parë Botërore, gjuha shqipe e shkollave dhe mësimit u lëvrua dhe erdhi në mëmëdhe vetëm nga diaspora. Korifenjtë e shkollës shqip, që jetuan dhe punuan jashtë vendit, e sollën gjuhën shqipe jo vetëm në formën e teksteve të leximit, por edhe në metodë, kulturë dhe përmbajtje të barasvlefshme me atë të vendeve më të zhvilluara perëndimore. Në fillim përmes gazetave dhe revistave, pastaj edhe si tekste këndimi dhe historie, maksus për shkollat shqipe të çelura në të gjithë Shqipërinë, sidomos pas shpalljes së Pavarësisë.




“Pa u druajturë, pa patur frikë se mos lajthitemi, themi se ‘kanonizma e shoqërisë të shtypurit shkronja shqip’, themeluar në Stamboll më tridhjetë të vjeshtës së parë 1879, ku në fund të kësaj kanonizme shohim në radhua, 28 emra të shoqërisë, ajo shoqëri është shkëndija që ndezi të përhapurit e gjuhës tonë. Ajo shoqëri është shkëndija që i vuri zjarrë pirgut q’ish gatiturë që kaqe koh’ e tëhu”[1]. Do shkruante Lumo Skëndo, alias, Mid’hat Frashëri tek revista “Dituria” që botonte ne Selanik në fillim të shekullit. Mund të përmendnim edhe të njëzet e tetë burra e shquar të kombit, pjesë e shoqërisë së Stambollit, që vunë mendjen, zemrën dhe gjithçka të vyer, në shërbim të mësimit të gjuhës sonë. Por të nisur nga mëmëdhetarët e kudo gjendur të diasporës, lista është tejet e gjatë për kornizën e një shkrimi gazete, aq më shumë që në këto radhë nuk kemi synimi këtë gjë.

Ndërsa sot është krejt e kundërta. Sfida për mësimin e gjuhës dhe kulturës, historisë dhe etnografisë, këngës dhe valles shqiptare, për të cilat ka nevojë komuniteti i shqiptarëve jashtë vendit, që nga vendet fqinje të Ballkanit, nga Amerika, Evropa dhe më pak deri në Lindjen e largët, kalon si valët e ujit, nga mëmëdheu-qendër drejt skajeve të diasporës. Dhe në dorë këtë gjë nuk e kanë me një shoqatë, apo disa individë patriotë, por shteti shqiptar dhe organizmat në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përkujdesjes. Nëse kjo barrë i takonte vetëm një sektori të Ministrisë së Arsimit, madje vite më parë edhe vetëm një punonjësi të saj, sot ka një dikaster të tërë si Ministria e Diasporës që po merret me këtë çështje madhore kombëtare duke përfshirë pikë së pari, mësimin plotësues të shqipes kudo ku jetojnë shqiptarë.

Kështu, nëse dikur, dritë e mësimit të gjuhës dhe historisë sonë erdhi nga shqiptarët e diasporës; nga Stambolli, me Frashërllinjtë, Vasën, Jani Vreton, Dervish Himën e Koto Hoxhin; nga Italia e Jugut, me plejadën e arbëreshëve me De Radën në krye, nga arvanitasit me dy Anastasët, Kullurjotin dhe Piqeun; nga Bukureshti dhe Sofja më Naçon dhe Luarasin; nga Vjena me Gjergj Pekmezin; nga Worcesteri dhe Bostoni me Sotir Pecin, Nolin, Konicën, Dakot burrë e grua, Çekrezin e shumë të tjerë, sot ky kapital njerëzor dhe krijues është me të drejtë pronë e shtetit shqiptar, që shkon drejt diasporës, duke i kthyer borxhin e ka hershëm. Sigurisht, që ngre dyfek çështja sa dhe si cilësisht po mbështeten shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe fëmijët e tyre të lindur në këto tri dekadat e fundit jashtë atdheut, me mësimin e gjuhës së mëmës, por që kohët e fundit përpjekje janë ngritur në një stad më të lartë dhe cilësor, kjo është e prekshme dhe e dukshme.

Nëse njëqind vite të shkuara, “Abetaret u shtypnë dhe u bënë gati të niseshin për Shqipëri. Një copë nga ato i ishte dërguarë edhe Sulltanit… Shqiptari kur ja dorëzoi, i tha se ia kishte dërguar si dhuratë shoqëria shqiptare. Sulltani si e pa me vërejtje abetaren duke e shfletuar e pyeti.

– A di t’i këndosh shkronjat e kësaj abetareje?

– Do t’i mësoj në mos ditça, – iu përgjigj shqiptari.

– Të shohim, – shtoi sulltani, – për një javë se cili do këndonjë më mirë, ti apo unë.

Shqiptarët u gëzuan nga fjalët e Sulltanit, por më vonë e kuptuan se cila ishte ajo “dashuri” e madhe që tregonte ay për gjuhën tonë, se pa shkuar shumë kohë,  dha urdhër që të mos kalojë, për të shkuar në Shqipëri, asnjë libër shqip”[2].

E sollëm këtë pasazh të së shkuarës, për të paralelizuar me një dukuri të sotme kur shumë prej shkollave të mësimit plotësues, kërkojnë tekste për fëmijët shqiptarë. Vështirësi ka sërish, edhe pse nuk ka më “Sulltanë” që t’i pengojë destinacionin e tyre. Përpjekje janë bërë edhe në të shkuarën nga Ministria e Arsimit, por cilësia, sasia dhe plotësimi i nevojave me tekste të tilla ka lënë për të dëshiruar. Organizohen çdo vit seminare me mësuesit e shkollave Plotësuese të Gjuhës Shqipe, sa në Shqipëri dhe në Kosovë dhe shumë mirë bëhet, por nga vetë pjesëmarrësit dhe organizatorët, pohohet se ato janë jo të mjaftueshme dhe jo aq efektive dhe dobiprurëse për qëllimin që mblidhen. Çdo shoqatë apo komunitet mësuesish të diasporës deri tani përdorin tekste të ndryshme. Shpesh të hartuara vetë. Nuk po ndalemi tek shumësia e problemeve që kanë mësuesit e shqipes në këto shkolla, pasi ato janë të ndryshme në vende të ndryshme, sipas politikave të ministrive arsimore përkatëse. Kështu për shembull, mbështetja që gjejnë mësuesit e mësimit plotësues, në Suedi, Belgjikë, Gjermani dhe Angli është krejt e ndryshme nga ata që jetojnë dhe punojnë me fëmijët shqiptarë në Greqi. Shkrimi shqip dhe përhapja e dijes, në periudhën e zgjimit kombëtar, u fokusua nën një nacionalizëm romantik, gjë që mendojmë se është e vetmja vijë lidhëse në këtë qasje që po trajtojmë edhe me mendësinë e shqiptarëve të ditëve të sotme. Shkolla shqipe pati nga ata mësonjës patriotë të mërgimit, me karakter të fortë dhe profesionistë të shkëlqyer që nga Sotir Peci, Negovanët, Ballkamenët, Luarasët, Dakot dhe deri tek Grigor Cilka, Qirjazët. Ndërsa sot formati i mësuesve të diasporës është një mësues emigrant, dhe ndonjëherë edhe pa arsimin e duhur të plotë profesional, por vetëm nga dashuria për dijen kanë çelur shkolla për nxënësit dhe të rinjtë, pas këtyre 27 viteve, kudo ku kanë mundur të sigurojnë tri elemente kryesore, nxënësit frekuentues, mjediset dhe tekstet shkollore.

Këto të fundit, tekstet, kanë qenë dhe mbeten deri në ditët e sotme elementi më deficitar i kësaj trinie.

Që nga abetaret e para, “Ëvetarin” e 1844-ës dhe deri ne ditët e sotme abetarja është parë me të drejtë si teksti i parë mësimor shqip. Ajo u trajtua dhe u pozua nga një numër i madh personalitetesh hartues të saj që nga Naum Veqilarxhi dhe deri tek Mimoza Gjokutaj e Shezai Rokaj në ditët e sotme, përfshirë ndërkohë edhe mësues e grup autorësh të arsimit fillor mësues eksperimentues dhe metodistë të talentuar. Në të shkuarën, ato u shtypën jashtë që nga Bukureshti, Sofja, Selaniku, Vjena dhe Amerika, dhe shërbyen brenda vendit. Ndërsa sot ato hartohen dhe prodhohen brenda vendit, për t’u shpërndarë në mbarë Evropën e bashkuar e më gjerë në shkollat e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe duke pretenduar të jenë pasqyrë e një dinjiteti të lavdërueshëm kombëtar si në përmbajtje edhe në formë.

Abetaret e shekullit të shkuar shërbyen për shkollat njëklasëshe dhe u konceptuan si të tilla. Në to kishte mësim alfabeti, shkronja, zanore, gramatikë, mësim-shkrim, edukate, fe, mësime nga mjedisi fshatar, bujqësia, blegtoria, gjeografia, stinët e vitit,  historia me heronjtë tanë Skënderbeun etj.

Në këtë qasje, por tashmë shumë më të plota, moderne në stil dhe në cilësinë, duhet të jenë edhe tekstet e reja të këndimeve për shkollat shqip të diasporës. Specialistët nuk mungojnë për të përgatitur të tilla me nivel të lartë shkencor, profesional dhe edukativ. Teknologjia për prodhimin e tyre, gjithashtu është e përsosur.

Shumë ujë ka rrjedhur dhe shumë breza shqiptarësh që jetojnë jashtë vendit kanë ndryshuar nga e shkuara deri në ditët e sotme, por misioni i mësimit të gjuhës, kulturës, historisë, letërsisë muzikës dhe gjeografisë sonë ka mbetur po ai. Sfida ndaj tij, gjithashtu mbetet e njëjtë. Edhe pritshmëritë e realizimit të këtij misioni, sot janë më të kapshme dhe më të mëdha.

Le të shpresojmë që ky mision të jetë në udhën e duhur, qoftë edhe sikur të jetë në fillesat e një rrugëtimi të mbarë, profesional, shkencor dhe shoqëror, tashmë nën drejtimin e Ministrisë së Diasporës.

[1] Diturija, 1 janar 1909, nr 1, Moti I parë, faqe4, Selanik, Çargi Bagi, Mygir Sokak.

[2]Guri K Sevo, “Petro Luarasi, mësonjësi im i shqipes” Tiranë 1936, f 24

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.