OPINION

Për diplomacinë kulturore në Bruksel

07:37 - 03.12.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të hënën/ të martën e kaluar, kalimtarëve të shumtë në “Place de Luxembourg” përpara selisë së Parlamentit Evropian në Bruksel u binte në sy autobusi i Institutit Kulinar “Neranxi”, që kishte zbarkuar nga Tirana për një minipanair gastronomik, prirë nga flamuri ynë kombëtar. Një nismë modeste, por pozitive e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, që kërkon përpunim dhe mbështetje të mëtejshme.




Përpara saj, ambasadorja Suela Janina organizoi pritjen tradicionale për trupin e huaj diplomatik. Këtë radhë ishin ftuar nga Tirana “delikatesa” të muzikës sonë elitare. Ambasadorë, europarlamentarë, zyrtarë të lartë belge e të tjerë u mrekulluan me këngët tradicionale dhe të repertorit të huaj të interpretuar me mjeshtëri të lartë nga dy elitare të muzikës sonë klasike, Vikena Kamenica dhe pianistja  Merita Tërshana.

Ndërsa më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit bashkatdhetarët tanë festuan në “shtëpinë e tyre”, në selinë e Misionit tonë pranë BE-së mes ritmit të këngëve dhe valleve popullore dhe pak kuzhinë shqiptare. Mbresat nga këto pritje të shoqëruara me kulturë mbeten për shumë kohë dhe shpesh takimet/bisedat diplomatike hapen pikërisht me këto kujtime të pashlyeshme kulturore.

Prandaj është i gabuar mendimi se pritjet për festën janë rutinë diplomatike, pa ndonjë vlerë kulturore dhe imazhi për vendin.

Ndaj, po veprohet drejt që fondi i destinuar për Festën Kombëtare po rivendoset sërish, aq më tepër kur ndikimi i tij në financat e MPJ-së është i papërfillshëm. Gjithsesi, kjo do plotësuar më tej me furnizimin të paktën të disa prej përfaqësive kryesore diplomatike me sasi pijesh tona tradicionale dhe delikatesa kulinare, për t’i bërë plotësisht “shqiptare” këto dhe të tjera veprimtari. Sepse sot, kulinaria dhe pijet janë bërë “ingredient” i domosdoshëm i diplomacisë kulturore. Kjo e fundit  shton efektivitetin dhe besueshmërinë e aktivitetit tonë diplomatik, ajo zgjeron praninë e të huajve dhe për rrjedhojë, kontaktet fizike që në diplomaci, pavarësisht nga rritja e rolit të dixhitalizimit mbeten jetike.

Ja pse ambasada/misioni pranë BE-së në Bruksel e kanë vlerësuar dimensionin kulturor, jo si shtojcë apo luks, as thjesht si argëtim e dëfrim, por si një faktor jetik për realizimin e objektivave madhore diplomatike dhe në radhë të parë, të çeljes së negociatave të anëtarësimit. Kultura ka pjesën e vet të ndjeshme në suksesin e punës së saj dhe më konkretisht për rekomandimin e Komisionit dhe të Parlamentit Evropian për çeljen e këtyre negociatave, krahas Belgjikës dhe Luksemburgut, që kjo Përfaqësi mbulon; ndonëse ka “portofolin” më të gjerë dhe ngarkesën më të madhe, me një personel prej dy vetash për pjesën e ambasadës dhe vetëm shtatë për misionin pranë BE-së. Pavarësisht nga mungesat financiare, në vend të qarjeve dhe ankesave, në bashkëpunim me pushtetin lokal belg dhe komunitetin tonë, ajo ka shfrytëzuar mundësitë, duke konkurruar denjësisht me vendet e tjera dhe fqinjët tanë, edhe pse këto të fundit, ndryshe nga ne, kanë agjenci dhe institute të veçanta biznesi, kulturore dhe artistike edhe në Bruksel.

Natyrisht, ka ndihmuar shumë këto vitet e fundit përbërja e Përfaqësisë me 100 për qind me diplomatë karriere, profesionistë dhe të përkushtuar, ku mbizotëron dukshëm gjinia femërore.

Por, shembujt e lartpërmendur nuk janë as të vetmit dhe as të fundit në këtë katalog të pasur kulturor. Një vit më parë, flamuri ynë kombëtar u ngrit për herë të parë mes këngësh e vallesh në majë të shenjës dalluese të Brukselit, Atomiumit të famshëm. Po atë ditë, për të tretin vit radhazi, Manekin Pis, statuja simbol e Brukselit që ndodhet në zemër të tij u vesh me kostumin tradicional shqiptar dhe tani është pjesë e muzeut të tij.

Këto dy ngjarje i paraprinë pranisë për herë të parë të Tiranës vitin e kaluar si mysafire nderi në “Panairin e Kënaqësive të Dimrit”, më i madhi që zhvillohet prej dekadash në Bruksel. Ajo u organizua me nismën e kryebashkiakut Erion Veliaj, bashkëpunimit me Bashkinë e Brukselit, mbështetjes së deputetit Ahmet Gjanaj dhe komunitetit shqiptar. Për mbi një muaj, qytetarët belgë dhe të huaj e jo vetëm shqiptarë dëgjuan, panë dhe shijuan perla të muzikës sonë të bukur popullore të interpretuar nga këngëtarë të njohur dhe grupe muzikore nga të gjitha trevat e vendit, të shoqëruara me pijet dhe kulinarinë e pasur shqiptare, vlerat dhe atraksionet tona turistike, etj.

Këto veprimtari ishin preludi më i bukur dhe me jehonë për lançimin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, ku krahas përkujtimit të veprës së tij të pavdekshme në mbrojtje të qytetërimit evropian, u ekspozuan edhe shumë vlera të kulturës tonë kombëtare. 10 shoqatat kulturore shqiptare zhvilluan veprimtari nga më të ndryshmet, promovime librash, çelje ekspozitash, koncerte, shfaqje teatrore dhe recitime etj.. “Qershiza mbi tortë” ishte ansambli artistik i Shoqatës “Vatra” me valltarë/e të talentuara që i japin dritë dhe ngjyra të bukura çdo feste dhe veprimtarie në Bruksel dhe gjetkë. Natyrisht që ky vit filloi atje, të statuja e Heroit tonë Kombëtar në Komunën Schaerbeek, për të cilin ambasada në bashkëpunim me komunën ishin kujdesur më parë për rehabilitimin dhe rinovimin e tij. Për të vijuar me aktivitete shkencore dhe tematike që kulmuan me mbrëmjen shkencore kushtuar Heroit tonë Kombëtar në qytetin e Namurit në fund të shtatorit. Aty ligjëruan njohës të kësaj figure, si publicisti Safet Kryemadhi dhe veterani 88-vjeçar Lek Pervizi. Ky i fundit, me revistën e tij “Kuq e Zi”, në nëntor festuan 25-vjetorin e krijimit dhe numrin e saj jubilar të 130. Vështirë të ketë revistë tjetër që të ketë botuar për 12 muaj rresht 100 shkrime, krijime, poezi, kujtime dhe foto mbi Skënderbeun.

Viti jubilar u pasqyrua denjësisht edhe në edicionin e 12 të festivalit më të madh kulturor të rajonit tonë në Bruksel, “Ballkan Trafik” në muajin prill. Veç të tjerash, aty jehoi kënga, vallja dhe talenti i artistëve të Ansamblit tonë të Këngëve dhe Valleve Popullore e sidomos e interpretuesit emblematik të polifonisë, Hysni Zela.

Duke e vlerësuar këtë veprimtari, më e madhja e këtij lloji në Evropë kushtuar Ballkanit, por kur “gjeografia” e tij është zgjeruar me grupe nga SHBA, India etj., me gjithë vështirësitë e mëdha, sidomos financiare, ambasada jonë me mbështetjen e  Ministrisë së Kulturës ka meritën se nuk e ka ndërprerë asnjë vit praninë në këtë festë të kulturës. Vlerë e shtuar është se grupet tona pjesëmarrëse janë të ftuara nderi në Manifestimin e Madh Popullor muzikor, në sheshin më të famshëm të Evropës, “Grande Place”.

Drejtori i përgjithshëm, Nicolas Wieërs, dashamirës i vendit tonë, që ka mbështetur edhe financiarisht grupet tona, ka plane dhe projekte të tjera për ta çuar këtë festival dhe aty në “sofrën ballkanike”, duke filluar nga Tirana. Në gusht, ai ishte edhe në Gjirokastër, ku pati shumë takime me drejtues të qarkut, artistë, etnologë, piktorë, etj. Ai ka shprehur me kohë zyrtarisht dëshirën të takohet në Tiranë me drejtuesit e lartë të Ministrisë së Kulturës dhe është ende në pritje.

Veç kësaj, krahas metropoleve të tjera, sidomos  Parisi, Berlini, Londra, Roma, ka ardhur koha që të vlerësohet shumë më tepër prania jonë kulturore, artistike, kinematografike etj., në Bruksel. Jo vetëm se aty janë institucionet e BE-së, NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, por edhe përfaqësuesit e komunitetit botëror mediatik dhe kulturor me rrezatim planetar. Brukseli është kthyer në qendrën më të madhe politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, gastronomike etj. Ndaj, thuhet shpesh  se “Brukseli është vendi ku duhet të jesh” dhe “në rast se do të dëgjohesh, eja në Bruksel”.

Gjithsesi, me gjithë këtë bilanc të pasur, ndihet nevoja e shtimit të tyre për të përballuar sfidat e imazhit dhe për ta kthyer në konstante të përhershme diplomacinë kulturore. Duke mirëkuptuar kufizimet financiare të MPJ-së, ajo sërish mund të kontribuojë më shumë duke konkretizuar marrëveshjet që ka nënshkruar me Dhomën e Tregtisë dhe firma të ndryshme, të cilat mund të lehtësonin edhe barrën financiare si pengesa kryesore në këtë fushë, siç veprojnë vendet e tjera të rajonit. Sot prirja është bashkëpunimi efektiv ndërmjet diplomacisë ekonomike dhe kulturore, në një sinergji aktive. Misionet ekonomike belge psh., vetëm emrin kanë të tillë, në fakt ato janë në radhë të parë misione kulturore, artistike, kulinare dhe pastaj tregtare.

Për një efektivitet më të madh të diplomacisë kulturore, është e nevojshme që Ministria e Kulturës të tregojë kujdes më të madh për një planifikim më të hershëm të fondeve për aktivitetet jashtë vendit e sidomos në Bruksel. Duke qenë diplomat deri para dy vitesh në këtë ambasadë, por mesa di edhe përfaqësitë e tjera, Ministrisë së Kulturës i dërgohen me kohë datat e sakta, programi dhe fondet minimale që kërkohen për veprimtari madhore që përsëriten, madje me tarifa minimale, ku ndonjëherë kërkohen vetëm navllot e udhëtimit, si në rastin e festivaleve kinematografike. Kështu janë mundësitë që të shmangen vonesat dhe veprimet e minutave të fundit me partnerët e huaj, të cilat jo vetëm zbehin cilësinë, por dhe rrezikojnë praninë tonë në këto veprimtari.

Së fundi, megjithëse si Ministria e Jashtme dhe ajo e Kulturës në përgjithësi janë treguar bashkëpunuese, sipas shembullit të vendeve të tjera, për mënjanimin e defekteve dhe mungesave në këtë fushë mund të ndihmonte edhe krijimi i një Komiteti Ndërqeveritar të Diplomacisë Kulturore, i përbërë nga përfaqësues të kulturës, arteve, diplomacisë, agjencive ekonomike etj.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.