![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Fatmir Popja – Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini duke folur për problemet më emergjente, me të cilat përballet bashkia ka renditur vështirësitë e krijuara nga reshjet e dëborës që ranë disa ditëve më parë të cilat bllokuan disa fshatra të Elbasanit si Labinotin Mal, Benën , Gurin e Zi dhe Mollagjeshin. Ndërhyrja me të gjitha mjetet dhe punonjësit e sektorëve përjatës të bashkisë sipas Sejdinit bëri të mundur hapjen e rrugëve të bllokuara nga dëbora si dhe normalizimin e situatës ndërkohë që ende po punohet në fshatin Benë dhe kudo ka ka ende probleme .
Por për Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit problem mjaft serioz paraqet rinisja e reshjeve nga të cilat pritet të shtohen problematikat përgjatë rrjedhës së përrenjve të Zaranikës dhe Manazderes të cilët kanë nevojë për ndërhyrje urgjente.
Kryebashkiaku Sejdini nisur nga mbizotërimi i problematikave të tilla ka kërkuar edhe mbështetjen e prefektit Gledian Llatja për të bërë të mundur që rikonstruksioni i shtretërve të përrenjve që rrethojnë qytetin të nisë sa më parë.
Sipas Sejdinit, emergjencat e shkaktuara nga dëbora nuk mund të krahasohen me dëmet që mund të sjellin këta përrenj me rrjedhë të rrezikshme ,argjinatura e të cilëve është tërësisht e shkatërruar.Prej vitesh rrjedha e këtyre përrejve kur reshjet janë të dendura dhe të vazhdueshme përmbyt lagjet periferike dhe situatat e krijuara jo rrallë kanë krijuar rrezik edhe për jetën e qytetarëve.Kështu që për ti dhënë fund këtij rreziku duhet financuar urgjentish rikonstruksioni i argjinaturave të shkatërruara të skarpateve të rrjedhës së Zaranikës dhe Manazderes.