MILOSAO

“Rrëfime – jeta si kirurg i trurit” nga Henry Marsh

18:00 - 17.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dr. Shk. Tatjana Haxhimihali – Një karrierë e jashtëzakonshme në fushën e neurokirurgjisë e autorit të librit Henry Marsh. Titulli modest kurrsesi s’i jep lexuesit përfytyrimin e amplitudave tronditëse të jetës së një mjeku për të cilin mjeshtëria delikate e ndërhyrjes në trurin e njeriut është “shkenca e pasigurive dhe arti i mundësive”. Edhe vetë autori është i thjeshtë në përshkrimin me sinqeritet të thellë të jetës së tij profesionale. Çuditërisht ai merret gjatë me zgjidhjet e gabuara që ka bërë gjatë operacioneve në trurin e pacientëve, po aq sa me ato të suksesshmet. Sepse suksesi të bën mendjelehtë, kurse nga gabimet duhet të mësojmë, natyrisht kur ato ia pranojmë vetes. Është përvoja e një mjeku të ngritur nga shkallët më të ulëta të shërbimit shëndetësor edhe pas studimeve në Universitetin e Oksfordit dhe diplomimit për mjekësi në spitalin Royal Free të Londrës, deri në lartësinë e neurokirurgut të vlerësuar lart me tituj e çmime. Njeri praktik i mbështetur nga guximi për t’u përballur me vështirësitë, me një përpjekje të palodhur për të dhënë përvojën e tij duke punuar me fisnikëri e durim edhe pas daljes në pension, në spitale vendesh të varfra si Nepali dhe Ukraina etj. Marsh ka dhënë edhe në Shqipëri ndihmën e tij duke asistuar, si gjithnjë në operacione të ndërlikuara të trurit të njeriut.




Motivimi i tij është puna, një punë cilësore, që përpiqet t’ua fusë në shpirt edhe bashkëpunëtorëve e nxënësve pasues me shembullin që jep në realizime operacionesh të vështira, shpeshherë edhe në kushte jo të përshtatshme. Puna për të është burim kënaqësie edhe atëherë kur me vegla të thjeshta bën meremetimet e shtëpisë së tij, merret me punime druri në kohën e lirë etj. Të jetë kjo trashëgimi nga prindërit e vet? Sepse siç thotë autori, çdo të mirë e kam vetëm prej tyre…
Me interes të veçantë në libër janë përsiatjet e neurokirurgut që kaq herë ka prekur me dorë materien gri në kafkën e njeriut, për të na dhënë mendime bindëse mbi funksionet e rëndësishme të lobeve të trurit, pezmatimin e tyre në raste insultesh, aneurizmash etj. Duke na bërë të qartë se sa të vështira janë përmirësimet pas goditjeve të rënda cerebrale, kur truri me brishtësinë e tij ka shumë më pak aftësi se pjesët e tjera të trupit për t’u rikuperuar. Megjithatë bëhen operime me sukses (përshkrimet e tyre janë si të një tregimtari të sprovuar!). Por gjatë punës së një mjeku operator ndodhin shpesh edhe vështirësi në komunikimin me pacientët dhe familjarët, për të cilët kirurgu-njeri duhet të jetë i kujdesshëm dhe mirëkuptues.

Marsh, me sa duket, edhe si nxënës i shkollës angleze, që nga koha e Ëalter Scot-it, i pari në periudhën e re industriale të Anglisë që shpjegoi se s’mjafton të njohësh vetëm të tashmen tek njeriu, por dhe të shkuarën, në këto rrëfime tregohet këmbëngulës në kërkesën e tij që të mos bëjë asnjë operacion pa e njohur mirë pacientin, mundësisht CV e tij. Me përkujdesje, por jo me empati. Si mjekë duhet ta ndryshojmë ndjenjën e natyrshme të empatisë (të kuptuarit e gjendjes emocionale të tjetrit) nëse duhet të funksionojmë sic duhet, vë në dukje ai, sepse empatia është më e fortë se simpatia. Po edhe interesimi i pakët është i palejueshëm. Për mendimin tim, si shkruese e këtyre radhëve, nuk është e lehtë të gjesh një mendësi të tillë te mjekët tanë shqiptarë, të cilët shpesh nisen nga pozita e privilegjuar në krahasim me pacientin. Ashtu siç thotë Marsh, për disa nga kolegët e tij të rinj, në spitalet ku ai ka punuar, që sillen me mendjemadhësi, duke mos u kushtuar vëmendjen e nevojshme të shtruarve dhe shoqëruesve të tyre …

Mbi të gjitha, me vlera të veçanta, jo vetëm për specialistët e fushës siç e përmendëm më sipër, janë konkluzionet dhe përsiatjet e kirurgut (Marsh ka studiuar edhe për filozofi në universitetin e Oxfordit), nga eksperienca e tij e gjatë e punës, për aspekte të marrëdhënieve materie-ndërgjegje, mbi proceset që ndodhin në botën e jetës dhe të vdekjes si dhe aludimet për një jetë të përtejme. Ai thotë se truri i njeriut vërtet është material, po ka aftësinë për të bërë abstraksione idesh. Të qenit i vetëdijshëm na dallon ne si njerëz nga bota shtazore dhe se pikërisht këtu qëndron dhe forca shtytëse e arritjeve të njerëzimit. Po kjo vetëdije, ndërgjegjja jonë, zhvillohet në trurin e njeriut, që është një përbërje elektrokimike e përkohshme. Individi vetë është i përbërë nga mijëra copëza informacioni që shpërbëhen me vdekjen e tij. Informacioni, siç thonë edhe fizikanët është material, pra pas vdekjes do të humbasë. “Kur sheh dëmtime të rënda të trurit e ke të vështirë të besosh në zot!”. Një gjykim materialist i Henry Marsh-it “që ka zhveshur meningjet për të zbuluar botën…tmerrësisht tërheqëse të neurologjisë”.

Janë të mrekullueshme mendimet e një njeriu që ka parë raste të pafundme njerëzish në prag të jetës dhe vdekjes, të atij që e di se dhe vetë dikur do të jetë në një pozitë të tillë. Ne jemi të dënuar nga e kaluara jonë evolucionare, që t’i druhemi vdekjes. Gjithnjë shpresojmë se do të jemi nga të zgjedhurit, që do të jetojnë afatgjatë, te grupi i atyre që do të jetojnë më shumë dhe jo më pak, sipas shpërndarjes normale që bëjnë statisticienët. Megjithatë, thotë Marshi që e ka vënë sentencën e Montaigne-s si epigramë në krye të librit, “duhet gjithnjë sapo të na afrohet koha, të jemi të veshur e të mbathur dhe të gatshëm për të ikur…”. Dhe lajtmotivi që përshkon gjithë librin vjen në fund jo si një happy end po si një konkluzion optimist i natyrshëm i një jete të mbushur me jetë: “Më mjafton të jem mirë e të kem ende punë për të bërë e ta ndjej veten të dobishëm”.
Neokirurgu ynë i njohur Mentor Petrela në parathënien e koncentruar shpjeguese që shoqëron librin përmend një sentencë të Niçes për të vlerësuar autorin e “Rrëfimeve”: “Të shkruash duhet të jesh mjek dhe të njohësh filologjinë”. Kjo kërkesë do të duhej të vlente edhe për përkthimin, që është kthimi apo rishkrim i materialit në gjuhën përkatëse. Në këtë drejtim autorët e përkthimit (M. Petrela dhe F. Dashi) duhej të kishin qenë më të kujdesshëm për të sjellë në një shqipe të pastër dhe gramatikisht korrekte materialin, që në disa raste lë për të dëshiruar. (Vërejmë nga shënimet shoqëruese të librit, pas frontespicit, se materiali i përkthyer ka dalë nga shtypi pa u parë as nga një korrektor e jo më prej një redaktori, që mund të kishin lehtësuar edhe punën e vështirë të përkthyesve). Duket qartë se duke e vlerësuar lart përmbajtjen dhe të tërhequr prej saj, mjekët përkthyes nuk i kanë vënë rëndësi gjuhës së përkthimit. Po japim vetëm disa shembuj. 1) Siç janë rastet kur përkthimi është bërë sipas sintaksës së gjuhës angleze që nuk mund të jetë e ngjashme me atë të shqipes. Ka ndodhur kur kryesisht fraza fillon me fjali të varura dhe fjalia kryesore mbetet në fund, çka e bën atë të sforcuar. Edhe përsëritja disa herë e së njëjtës fjalë në të njëjtën frazë, kur fare bukur mund të gjendej i barasvlefshmi i saj, e rëndojnë atë. 2)Teksti i përkthyer mund të ishte pastruar nga shumë fjalë të huaja turqizma, italianizma, madje anglicizma, apo edhe dialektalizma që i kanë shumë të sakta përgjegjëset në shqip (i jap karar = vendos, kallëp tradicional = mënyrë tradicionale, me zor = me vështirësi, sikletos = shqetësoj, refuzoj = kundërshtoj, ineficiencë = paaftësi; ndeshim përdorim pa vend të dialektalizmave si: i shakmisur = i ngatërruar, bojë për trup njeriu, on-call = mjek roje (pranë telefonit) etj. etj. 3) Nga një kalim i sipërfaqshëm i tekstit shpeshherë përkthehet në shqip fjala jo në kuptimin e duhur (një shembull tipik kur library përkthehet librari dhe jo bibliotekë siç del nga konteksti dhe është kuptimi në anglishte, ose kur padashur përdoret një koncept për një tjetër: gjendje për gjindje, ose statut për status) etj. 4) Në libër ka shumë raste kur cilësorët e përdorur pa vend e bëjnë të pasaktë mendimin: karrocë kashte për karrocë me kashtë, Bujtina e natës së dytë për Bujtina ku ndejtëm natën e dytë, ose pyeta gjerësisht sallën, si pyetet gjerësisht? Ose Leksioni im fliste, si mund të flasë leksioni? Ishim takuar vetëm shkurt domethënë ishim takuar për një kohë të shkurtër etj. 5) Rëndom trajtat e shkurtra të përemrave vetorë janë përdorur në mënyrë të ngatërruar p.sh. ju bashkova grupit për iu bashkova grupit etj. 6) Nga një pakujdesi ortografike ndodh që të mos shprehet në mënyrë korrekte mendimi: p.sh. nuk del i qartë dallimi midis perëndimit si anë e horizontit dhe Perëndimit si vendvendosje gjeografike etj.; ose rasti i përdorimit të fjalëve të përngjitura që nuk kuptohet se për ç’arsye ndahen me vizë në mes p.sh. tetë-orësh, vetë-respekt etj.
Si përfundim është meritë e përkthyesve Mentor Petrela dhe Florian Dashi përzgjedhja e një libri të tillë që ka pasuruar serinë e kujtimeve të njerëzve të shquar në bibliotekën e librit shqip. Një përpjekje e suksesshme e mjekëve përkthyes, (kush do ta bënte më mirë se ata që janë specialistë të së njëjtës fushë me autorin e librit!) duke u përpjekur të zbulojnë dhe të sjellin shqip një karakter të veçantë në një fushë interesante për lexuesin shqiptar, pavarësisht vërejtjeve për përsosmëri që ndoshta mund t’i shërbenin një ribotimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.