Martin Ndreca, banues ne lagjen ish-Kënetë, është 45-vjeçari i mbetur i vrarë pak pas mesnate nga shoku i tij. Ndërkaq, Gazeta Shqiptare mëson se autori i këtij krimi të rëndë është 37-vjeçari Ndue Zefi.
Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes rezulton se Zefi e ka qëlluar 45-vjeçarin me 5 plumba. Kjo pasi nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja të armës.
Një prej plumbave e ka kapur atë në shpatull. Nga sa mësohet, autori dhe viktima banonin në të njëjtën lagje, ndërsa 37-vjeçari është larguar pas krimit. Gazeta Shqiptare mëson se vrasja ka ndodhur pas një zënke të çastit.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave te kësaj ngjarje, ndërsa kanë shpallur në kërkim autorin e krimit të rëndë.