OPINION

Për Li Memën, kolosin e futbollit shqiptar…

07:45 - 29.03.19 Rezarta Delisula
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nuk mund ta shihja ashtu shtrirë, me fytyrën e zbardhur dhe tiparet e errëta, ndërsa sillja ndër mend vitalitetin e kolosit të futbollit shqiptar, Ali Memën. E mbaj mend që për së vogli, me mjetin e tij të përhershëm, biçikletën, që s’e ndau deri sa sëmundja e kaploi në shtrat. Kur shkoja të lozja me shoqet e mia pranë shtëpisë së tij, përballë klinikës iraniane, admiroja Liun dhe Lizën (zyshën time të fizkulturës). Një çift simpatik, të qeshur, që shpesh edhe na këshillonin si duhej të loznim me top. Babi më tregonte ndërkohë se sa i madh ishte Ali Mema, më tregonte për 4 kampionatet e fituara nga bardheblutë në vitet ‘60-‘70, ku Ali Mema ishte mesfushor, për Kupën e Shqipërisë fituar po nga ekipi i Tironës, por edhe fitoret e korrura kur ai ishte zëvendëstrajner.

E pikërisht nga ky njeri, legjenda e futbollit shqiptar, unë merrja këshilla. Djalit i përçoi dashurinë për sportin e sot Ard Mema është trajner i Tironës, ndërsa kujtoj Almën vajzën e tij, që rrinte gjithë kohës duke studiuar. Ikja e parakohshme e gruas së tij të bukur, Lizës, duket se e dërrmoi kolosin e futbollit, megjithatë ai gjeti forca te fëmijët e tij. Herën e fundit që e takova Ali Memën ndenjëm gjatë, të tre, bashkë me babain tim. Erdhi si zakonisht në kafe me biçikletën e tij. Edhe pse te të 70-tat, më dukej i pandryshuar, ashtu siç ia kisha konturuar pamjen kur isha ende fëmijë.

Fliste pa fund për vajzën dhe fëmijët e saj dhe për Ardin, që e kishte djalin pas shpirti. Që nga ajo ditë, që përkon me rreth 2 vite e gjysmë më parë, nuk e shihja më rrugicave të lagjes sime në Pazarin e Ri. Kur Presidenti i Republikës i akordoi një çmim të madhit Skënder Halili dhe ekipit të Tironës së viteve ‘60-‘70, pyeta për të. Më thanë që është sëmurë dhe nuk ngrihet dot nga shtrati. Doja që atë ditë, një titull vlerësimi nga presidenti t’i shkonte pikërisht Ali Memës, sa ishte gjallë, e ky titull mbase do ta ndihmonte duke ia mbushur shpirtin me kujtime të bukura e shpresë.

Të mërkurën e 27 marsit nuk do ta besoja, ta shihja shtrirë të pajetë, mbuluar me lule dhe lotët e familjarëve dhe shokëve të tij të skuadrës. Mu dhimbsën ata burra, që kishin kaluar një jetë me mikun e tyre të mirë, e në sytë e përlotura shihej shumë dhimbje. Kalova para tij, ndërsa trupin ma përçuan mornica. Një kampion nuk duhej të ikte kaq shpejt.

Një njeri i mirë si Liu i duhej ende këtij mileti. Vendosa të instaloj në memorien time imazhin e tij për së gjalli, me flokët kaçurrelë të zinj dhe trupin e gjatë e të drejtë. Me sytë e qeshur dhe gojën që i fliste vetëm mirë. Ali Mema nuk ishte vetëm kolosi i bardhebluve, por legjendë e futbollit kombëtar shqiptar. E paç dheun e lehtë o njëri i urtë!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.