KULTURË

“Marka” Preljocaj, koreografi anëtar i Akademisë Franceze

14:35 - 26.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Koreografi francez me origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj, zgjidhet anëtar i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura! Urime akademiku Preljocaj!” Ka qenë njoftimi që ka dhënë dje Akademia e Shkencave të Shqipërisë, duke njoftuar kështu një tjetër pikë të rëndësishme të karrierës së shqiptarit që ka shënuar suksese të jashtëzakonshme në skenën franceze e më gjerë. Shpesh në baletet e realizuara prej tij janë bërë pjesë ose kanë qenë si pikë frymëzimi edhe ritet e zakonet shqiptare, si dasma, një prej veprave të tij që u frymëzua nga dasma shqiptare e së motrës. “Unë jam tronditur kur kam dëgjuar për herë të parë kompozimin “Dasma” nga Stravinski. Kjo tronditje ndodhi, sepse kisha parë martesat në Francë dhe i konceptoja si diçka të gëzueshme, plot hare, por kur dëgjova muzikën e Stravinskit, më ndodhi një tronditje, dhimbje, që më sillte ndërmend dhe ato kujtime të fëmijërisë sime, lidhur me zhvillimin e dasmave shqiptare”, që shprehur ai në Tiranë katër vite më parë. Atëherë në moshën 58-vjeçare, Angjelin Preljocaj i kishte ende të freskëta kujtimet e fëmijërisë së hershme kur e motra martohej në Francë me një shqiptar ndërsa ai shihte një ceremoni të ‘frikshme’ dasme, të cilën nuk ka ngurruar ta përkthejë në gjuhë koreografike, në baletin që u vu në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën titullin “Dasma”.




Angjelin Preljocaj do të jetë pjesë e Akademisë Franceze të Arteve të Bukura, në seksionin e koreografisë, në të cilin janë pjesë edhe tre koreografë të tjerë. Gjatë ditëve në vazhdim këto do t’i dorëzohen për miratim edhe Presidentit të Francës, i cili është mbrojtës i Akademisë. Seksioni i Koreografisë u formua në 9 tetor të vitit 2018. Akademia e Arteve të Bukura është një nga pesë akademitë që përbëjnë Institutin e Francës. Me 63 anëtarë në 9 seksione artistike, ajo përpiqet të promovojë dhe inkurajojë krijimin artistik në të gjitha shprehitë  e saj dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore franceze.

Preljocaj i lindur në Francë nga prindër shqiptarë, i nisi studimet me baletin klasik, përpara se të merrej me baletin modern dhe të arrinte të trondiste me krijimtarinë e tij skenat botërore. Sot Preljocaj numëron 50 pjesë koreografike të baletit klasik, nga solot, deri tek format më të mëdha.

Në botën e baletit, Angjelin Preljocaj është një prej personazheve më të padiskutueshëm në famën dhe talentin e tij. Punëtor i palodhur, ai, gjithashtu, propozon një koncept të ri të baletit, një përzierje rrymash artistike. ai sot drejton trupën e tij të baletit në Aix-en-Provence: Baleti Prejlocaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.