AKTUALITET

Video/ U qëllua me 25 plumba në Vlorë, Aliaj: Problemet e mia i zgjidh vetë, s’ia lë policisë

17:40 - 14.05.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Romario Aliaj, u qëllua me breshëri plumbash para dy ditësh në Vlorë. Aliaj tha se konflikti në Vlorë ndodhi për shkak të një borxhi parash dhe se problemet që ka mund t’i zgjidhë vetë, pa ndihmën e policisë.




“S’kam besim as tek policia dhe as tek njeri fare. Ky ishte muhabet shoqëror, ishte në rrjet shoqëror. Unë me ta kam ngrënë e kam pirë. Unë i zgjidh vetë problemet e mia. Policia është deri ku i takon. Nuk kam besim fare as tek kjo që kam veshur. Edhe atë e kisha shok të ngushtë, kisha shumë besim por erdhi për të më vrarë. S’kam besim fare as tek policia, as tek askush. Janë çështje që i zgjidh vetë. Nuk më hyn fare në punë policia”, thotë Mario.

33-vjeçari i shpëtoi atentatit në vendin e quajtur “Ura e Mifolit”, në momentin që ishte nën drejtimin e makinës së tij tip “Benz”.

Në drejtim të tij u qëlluan plot 25 plumba, pra një karikator i plotë.  Mjeti i tij menjëherë pas sulmit me armë përfundoi në kanal. I riu udhëtonte vetëm në momentin e incidentit ku përfundoi me lëndime të lehta nga aksidentimi i makinës.

Në një intervistë për “News 24” ai mohon akuzat për mashtrim, duke sqaruar se ka qenë i arrestuar për drogë. “Më kanë akuzuar për mashtrim por unë kam qenë në burg për drogë, jo për mashtrim”, është shprehur ai.

 

33-vjeçari tregon se gjithçka erdhi pas një bisede telefonike të bërë një ditë më parë me disa persona për një borxh. Ai thotë se kishte hyrë ndërmjetës tek një miku i tij për borxhin që nuk ishte kthyer dhe një ditë para atentatit i kishte marrë në telefon dhe iu kishte bërë presion për të kthyer paratë.  33-vjeçari tregon se makina që e ndoqi dhe qëlloi në autostradë ishte një “BMW” gri e errët.

“Isha nisur për në Elbasan. Fillimisht më qëlluan nga ana e shoferit, 2 plumba kapën makinën. Më pas unë kalova nga ana e pasagjerit dhe makina nisi të ngadalësonte. Makina e autorëve kaloi paralel me mua dhe më qëlluan në breshëri. Pastaj sa e shkrepi të gjithë në makinë erdhën plumbat, mbi 20 plumba nga dera e shoferit. Shpëtova se ndaloi një kamion dhe autorët ikën”, tregon 33-vjeçari, i cili akuzon policinë se nuk i ka marrë në pyetje dëshmitarët që nga kamionisti.

I riu thotë se ishin tre persona në makinën nga u qëllua, dy përpara dhe një pas, të tre me maska. “Vetëm ai pas ka qëlluar. Makina ishte me targa franceze pas, para nuk i kishte targat”, tregon ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.