Mbarë opinioni publik u trondit nga fotografia e publikuar dje nga deputetja shqiptare e Parlamentit të Kosovë. Në imazh u tha se ishte një grua shqiptare që përdhunohej nga ushtarët serbë, ndërsa familjarët e saj ishin të detyruar ta shihinin.
Fotoja ka rezultuar false, teksa deputetja Flora Brovina, ka deklaruar para mediave se besonte se ajo ishte e vërtetë.
Brovina u ka kërkuar falje të gjithëve që janë ndjerë të shqetësuar pas publikimit të fotos që ajo bëri dje në Kuvendin e Kosovës dhe që ngjalli reagime të shumta në publik.
E prekur nga kjo histori ka mbetur Vasfije Krasniqi. E mbijetuara e dhunës seksuale, ka reaguar pas publikimit të fotografisë. “Mos e përdorni dhimbjen dhe vuajtjet tona për përfitimet e juaja. Ma plaset zemrën”, ka shkruar Krasniqi-Goodman.
Vasfija ishte personi i parë që ndau publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Vasfija ka dhënë dëshmitë e saj edhe para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, dhe së fundmi para Kongresit Amerikan.