BLUETOOTH

Elda Pema: Suksesin e kam arritur vetë, ju tregoj raportin e veçantë që kam me Zajminën

16:30 - 28.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Ka kohë që një bukuroshe po qarkullon në rrjetet sociale dhe në botën e show bizzit. Tanimë ajo është imazhi që Zajmina Vasjari ka zgjedhur për të reklamuar veshjet e saj. Një jetë mjaft aktive me udhëtime përtej kufijve, photoshooting dhe një sërë aktivitetesh që e kanë bërë tepër të dashur për publikun. Elda Pema vjen në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta shqiptare”, për mënyrën se si po e përjeton famën, për raportet e ngushta me Zajminën, për modelingun dhe detaje të tjera nga jeta personale. Bukuroshja na tregon se ka punuar shumë për të arritur këtu ku është dhe se përtej shkëlqimit si modele ajo vazhdon të jetë vajza e thjeshtë, që ka parimin të ndihmojë gjithkënd që i ka qëndruar pranë. Një shpirt plotë ngjyra si i Eldës nuk kishte si mos t’i binte në sy Vasjarit që i ka besuar verbërisht asaj. Televizioni? Pema na thotë se e sheh si një sfidë e pse jo në të ardhmen mund të bëhet pjesë e tij.




Një debutim i fuqishëm në botën e modelingut. Si po e përjeton Elda famën?
Të qenit e famshme ka ndikuar mjaft mirë në jetën time. Shumicat e gjërave kanë mbetur të njëjta. Nuk dua të jem ai person, i cili ndryshon pasi merr famë. Jo, përkundrazi të gjithë ata që më njohin e dinë shumë mirë se unë kam mbetur e njëjtë, e thjeshtë dhe po aq e afër sa ç’kam qenë me këdo që më ka qëndruar pranë. Fama normalisht ka të mirat e saj, përpos këtyre dhe disavantazhe, të cilat nuk po i përmend momentalisht. Por, që “i’m dealing with it”.


Modelingu si çdo profesion tjetër ka dhe rivalitet. Ka qenë e vështirë përballja me ‘bërrylat’ e ‘të mëdhenjve’?
Rivaliteti besoj se është i pranishëm në çdo moment të jetës sonë. Dua të them se është pak e vështirë veçanërisht në profesionin tonë. Por, që konkurrenca është shpirti i punës. Më tepër se sa bezdisje, më ka bërë të punoj akoma më fort.
Këto kohë të kemi parë mjaft aktive, me udhëtime dhe me foto të shumta në rrjetet sociale. Me çfarë po merresh aktualisht?
Udhëtimet janë gjëja që pëlqej më shumë të bëj. Adhuroj të eksploroj vendet dhe kultura të ndryshme. Më duket mënyra më e mirë për të larguar stresin e përditshëm. Gjithashtu, më pëlqen të jem aktive në rrjete sociale duke publikuar përditshmërinë time, mendoj se është mënyra më e mirë për të qenë “In” . Aktualisht, jam në marrëdhënie edhe me shkollën. Jam studente në vitin e tretë në universitet. Por, krahas kësaj po planifikoj udhëtimin tim të radhës.
Je imazhi kryesor që Zajmina ka zgjedhur për të reklamuar veshjet e saj. Çdo të thotë kjo për ty?
Së pari, për mua do të thotë vlerësim. Përderisa ajo më zgjodhi midis shumë mundësive përkthehet në besimin që ka te unë. Ajo ka menduar se jam vajza më e përshtatshme ndaj ka bërë këtë zgjedhje. Së dyti, do të thotë përgjegjësi nga ana ime. Jo vetëm në rastin e Zajminës, por çdo aktivitet tjetër që lidhet me mua, mundohem ta kryej sa më mirë, në mënyrë që të rezultojë sa më i suksesshëm për mua dhe personin që ma ka besuar punën.
Si janë raportet e tua me Zajminën përtej punës?
Kemi raporte shumë të mira që nuk ndalen vetëm në kuadër të punës. Kam një vlerësim tepër të madh për të, e jo vetëm për faktin që është një “businesswoman” e suksesshme , por edhe si nënë, zonjë e njeri me vlera të mëdha. Madje shtoj se me përkëdheli e thërras my diva duke qenë se e kam dhe shembull frymëzimi.
Nëse do të duhej të zgjidhje mes photoshooting dhe pasarelave, cila do ishte zgjedhja jote?
Mendoj se çdo pasarelë ka nisur me një photoshooting në fillim. Kështu që nuk i shikoj si zgjedhje, por si faza, ndoshta dhe si dy procese të modelingut që gërshetohen bashkë.
Ç’mendim ke për vajzat e ekranit? Elda e synon televizionin?
Pothuajse të gjitha vajzat e ekranit më kanë lënë një përshtypje të mirë. Janë të përgatitura, të paraqitshme dhe tepër të mira në punën e tyre. Pse jo , televizioni është diçka e bukur. Në qoftë se do më jepej mundësia do ta shikoja si një mundësi tepër frytdhënëse.
Oferta më e çuditshme që të është bërë për hir të punës?
Oferta të çuditshme kanë marrë, fundja i ka profesioni jonë këto. Duke nisur nga kërkesa për të lënë shkollën, familjen dhe gjithçka për hir të kësaj pune, deri tek favoret e pahijshme, të cilat me të vërtetë vënë në luhatje dëshirën për të vazhduar. Por, jam përpjekur t’i hedh në kosh të gjitha dhe të vazhdoj me idenë, me të cilën jam nisur që në fillim. Mendoj se shija më e mirë e suksesit arrihet në momentin kur ti e ke përqafuar vetë pa ndihmën e askujt.
Për çfarë nuk kursehesh kurrë?
Nuk kursehem kurrë për veshje. Duke nisur që nga rrobat, këpucët, çantat preferoj t’i kem të gjitha llojet që qarkullojnë në treg. Mendoj se veshja krijon një impakt të veçantë, për më tepër kur vishem bukur ndihem më “confident”.
Si reagon kur thonë: Sa e bukur kjo vajza?
Të gjithë ndihen mirë kur marrin komplimente. Natyrisht më bëhet qejfi kur më thonë fjalë të tilla, por gjithmonë përpiqem që Elda të mos jetë vetëm një vajzë e bukur nga pamja, por nga çdo aspekt.
Një kujtim i bukur nga fëmijëria?
Një kujtim i bukur i fëmijërisë sime mbetet dansi. Jam marrë me dans sportiv për shumë vite dhe ishte një shtysë tepër e madhe për të qenë kjo që jam sot. I kujtoj me nostalgji koncertet e shumta, çmimet e fituara dhe sigurisht mbresat, imazhin që ato kanë lënë tek unë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.