Sociale

Shkelin planet rregulluese, 583 ndërtime nuk legalizohen

15:17 - 03.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rreth 583 ndërtime pa leje nuk janë kualifikuar në procesin e legalizimit, për shkak se bien ndesh me plane rregulluese vendore ose kombëtare. Ndërkohë që janë legalizuar 30,151 ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Pronarët kanë paguar truallin kur ndërtimet kanë qenë në tokë të të tretëve dhe nga ky proces janë grumbulluar rreth 13 milionë dollarë. Fondi shkon për kompensimin e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje, të cilët kompensohen me vlerën e tregut. Të dhënat janë bërë të ditura në raportin vjetor të vitit 2018 nga ALUIZNI, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Nga drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe procedurat administrative të përjashtimit nga procesi i legalizimit për 583 ndërtime, që nuk plotësojnë kushtet për legalizim, sipas ligjit nr.9482/2006 ‘Për legalizimin…’ dhe VKM nr. 280/2014. Kryesisht iniciativa për përjashtim nga legalizimi është marrë mbi bazën e kërkesave të IMT-vendore pranë bashkive dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, në kuadër të zbatimit të projekteve të infrastrukturës publike”, thekson në raport ALUIZNI.




Legalizimet
Sipas raportit mësohet se procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ka ecur me ritme të shpejta, me një mesatare prej rreth 2,500 legalizimesh në muaj. Në total janë miratuar 30,151 leje legalizimi, duke e realizuar me 120% objektivin fillestar prej 250 mijë lejesh. ALUIZNI raporton se gjatë vitit të shkuar ka grumbulluar rreth 13 milionë dollarë nga kalimi i së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve pa leje. I tërë ky fond ka kaluar në buxhetin e shtetit në funksion të kompensimeve të pronarëve të prekur nga ndërtimet pa leje. Për t’i ardhur në ndihmë mbylljes përfundimtare të procesit të legalizimit, qeveria ka miratuar herë pas herë VKM me procedura lehtësuese. Pak kohë më parë qeveria miratoi vendimin për legalizimin e 13 mijë pronave në të gjithë vendin, të cilat deri tani nuk kishin asnjë dokument pronësie. Bëhet fjalë për rastet kur toka është e regjistruar dhe subjekti i interesuar paraqet kërkesë për shërbim, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon dokumentacionin arkivor të regjistrimit dhe në varësi të rastit, vepron: a) kur rezulton se përmbushen kushtet të përcaktuara nga vendimi, ose kur toka i përket ende përfituesit fillestar të saj dhe konstatohen mangësi, brenda 15 ditëve nga administrimi i kërkesës i kërkon bashkisë të vendosë në dispozicion kopje të dokumentacionit që mungon, (sipas rastit: konfirmimin për vendimmarrjen e këshillit të organit vendor, aktin e kalimit të pronësisë, konfirmimin për pagesën e çmimit të tokës apo dokumentacionin për ndërtimin).

Në rastin kur bashkia konstaton se për pasurinë dokumentacioni është i plotë, u dërgon drejtorisë vendore të ASHK-së brenda 30 ditëve nga administrimi i kërkesës, kopje të dokumentacionit të kërkuar. Drejtoria vendore e ASHK-së heq kufizimin (nëse ka të tillë) nga regjistri i pasurive të paluajtshme dhe realizon shërbimin e kër-kuar nga subjekti i interesuar, brenda 15 ditëve nga administrimi i përgjigjes nga bashkia. Kur pasuria nuk është e regjistruar, subjekti përfitues, nëse disponon dokumentacionin e plotë, mund t’i kërkojë drejtorisë vendore të ASHK-së regji-strimin e pronësisë. Drejtoria vendore e ASHK-së brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës së bashku me dokumentacionin shoqërues i kërkon bashkisë përkatëse konfirmimin e vërtetësisë së këtij dokumentacioni. Nëse bashkia nuk kthen përgjigje brenda 30 ditëve, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje dhe drejtoria vendore e ASHK-së vijon me regjistrimin e pronësisë. Nëse bashkia është në pamundësi për të verifikuar vërtetësinë, për shkak të mangësive në dokumentacionin e saj arkivor, merret i mirëqenë dokumentacioni i dorëzuar nga subjekti dhe drejtoria vendore e ASHK-së vijon me regjistrimin e pronësisë. Subjekti që nuk zotëron dokumentacionin e plotë të përcaktuar në pikën 6 të këtij vendimi, por që ka të paktën vendimin e këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ka të drejtë t’i paraqesë kërkesë bashkisë përkatëse për kryerjen e procedurës së kalimit të pronësisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.