SHËNDET

Avenir Balili: Lindjet në ujë, si ndikojnë në shëndetin e nënave të reja

18:00 - 04.11.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Çdo ditë e më shumë, nënat shprehin dëshirën për të lindur në ujë. Sipas specialistëve, lindja në ujë është më pak e dhimbshme, më e shpejtë dhe redukton dëmtimet e rrugëve të lindjes. Uji i ngrohtë ka një veprim të mrekullueshëm jo vetëm mbi nënën dhe bebin, por në raste të veçanta edhe mbi babain e ardhshëm. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku obstetër gjinekolog, Avenir Balili, tregon se uji është një mënyrë shumë e mirë për të lehtësuar apo mënjanuar dhimbjet gjatë lindjes, që shpeshherë janë një vuajtje shumë e madhe për femrën. Ai shton se lindja në ujë mund të kryhet vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me një barrë pa rreziqe dhe lindja parashikohet fiziologjike e pa induksion. Mjeku shton se në Shqipëria ende nuk është familjarizuar me këtë procedurë.




Si ndikon lindja në ujë në trupin e gruas?
Dhimbjet e lindjes janë një arsye që në popullatën femërore dhe aq më shumë në atë mashkullore, lindja të krahasohet me një torturë ose një vuajte të madhe. Për të lehtësuar ose mënjanuar këto dhimbje, lindja në ujë është një alternativë e lindjes konvencionale si dhe një mundësi më tepër e analgjezisë së lindjes. Uji i ngrohtë pakëson sekretimin e adrenalinës që shtohet nga emocionet e përjetuara nga nëna me fillimin e aktivitetit si dhe nga dhimbjet që ndien. Adrenalina shton ngurtësinë e qafës së mitrës duke kërkuar më shumë tkurrje të mitrës për të përfunduar hapjen e saj komplete.

Sa e përhapur është lindja në ujë në Shqipëri?
Institucionet shëndetësore që sigurojnë këtë shërbim garantojnë edhe standardet higjienike gjatë gjithë etapave të lindjes si dhe personel të kualifikuar për këtë lloj lindjeje. Në vendin tonë akoma jemi në prapavijë përsa i përket praktikimit të lindjes në ujë. Nënat e reja shqiptare që e kanë provuar në spitalet jashtë atdheut po e kërkojnë dhe po e reklamojnë vetë këtë metodë të mrekullueshme lindjeje. Të paktën institucionet private që aktet burokratike i kanë të rrufeshme duhet të bëhen promtore të kësaj mundësie për të mirën dhe shëndetin e brezit të ri shqiptar.

Sa të interesuara janë nënat e reja për të kryer këtë lloj lindjeje?
Një veprim tjetër mjaft i favorshëm është edhe shtimi i elasticitetit në të gjithë kanalin e lindjes duke pakësuar çarjet, ose nevojën e episitomisë (prerje që praktikohet nga obstetër-gjinekologët). Rreziku i mbytjes së të porsalindurit dhe i infeksioneve të paslindjes është një nga justifikimet e para për të mos e inkurajuar përhapjen e lindjes në ujë, megjithatë, ato nëna që e kanë provuar këtë eksperiencë janë bërë edhe promovueset vullnetare të kësaj teknike. Lindja në ujë është një praktikë sa e re aq edhe e vjetër që lejon pakësimin e dhimbjeve gjatë aktivitetit dhe aktit përfundimtar të daljes së bebes prej trupit të nënës duke pakësuar njëkohësisht edhe kohëzgjatjen e saj. Nuk duhet harruar se uji i ngrohtë lehtëson ndjenjën e dhimbjes duke nxitur prodhimin e endorfinave (lënde neuro-hormonale që favorizojnë ndjenjën e mirëqenies dhe të relaksimit). Spitalet bashkëkohore po pajisen me mjetet e duhura dhe personelin e përgatitur për të ndihmuar nënat e reja që duan ta provojnë këtë modalitet. Të gjitha çiftet e reja duhet të njihen më parë me të mirat dhe të këqijat si dhe koston e lindjes në ujë. Lindja në ujë është praktikuar që nga antikiteti deri në ditët tona nga popuj të ndryshëm. Efekti është transmetuar nga brezi në brez prej vetë shtatzënave. Publikimi dhe praktikimi i lindjes në ujë nga obstetër-gjinekologët rusë dhe francezë hapi një horizont të ri, deri atëherë të injoruar prej specialistëve të vendeve të civilizuara. Sot është ringjallur interesi për këtë mënyre lindjeje me gjithë kritikat gjithnjë e më të pakta. Përparimi teknik e ka përmirësuar gjithnjë e më shumë këtë praktikë.

Kur rekomandohet të kryhet lindja në ujë?
Lindja në ujë mund të kryhet vetëm në rastet kur kemi të bëjmë me një barrë pa rreziqe dhe lindja parashikohet fiziologjike e pa induksion. Zakonisht pacientja afrohet pranë ujit kur aktiviteti i lindjes ka filluar mirë, dhimbjet janë bërë të rregullta dhe diametri i zgjerimit të qafës së mitrës ka arritur 3-5 cm. Ambienti ujor ndodhet në një enë të veçantë në formën e një vaske të mirë transparente. Uji është i rrjedhshëm, i pandërprerë me temperaturë 36oC gjatë aktivitetit të lindjes dhe 37-38oC në kohën e daljes së bebit. Në momente të veçanta uji mund të ndyhet me urinë, të dala jashtë, gjak, lëng amniotik (ujërat e fëmijës) ndaj ndërrimi i ujit në vaskë bëhet më shpejt në këtë periudhë duke realizuar një higjienë të përsosur.

Mund të na përshkruani me pak fjalë të gjithë procesin?
Nëna zë pozicionin sikur noton me kurriz poshtë, ndenjur, gjysmë ndenjur ose e mbështetur në gjunjë. Personeli mjek-mami janë gjithnjë aty pranë dhe herë pas here kontrollojnë të rrahurat e zemrës së bebit. Edhe babai i ardhshëm mund të futet në ujë bashkë me nënën, por duhet të bëjë një banjë me parë dhe plus në këto raste pishina është më e madhe për t’i pranuar të dy ose më mirë të tre. Efekti relaksues i ujit ndjehet edhe mbi prindin dhe afërsia dhe intimiteti në këtë ambient është një garanci më shumë për çiftin. Me të dalë fëmija prej rrugëve të lindjes, më pas duke qëndruar nën ujë, nuk merr frymë por noton dhe në momentin kur del në sipërfaqe, ndërmerr frymëmarrjen dhe qarjen e parë. Këto çaste janë emocionuese për nënën, babain, por edhe për të gjithë ekipin që asiston lindjen. I porsalinduri nuk mbytet siç mund të kenë frikë shumë prindër, por në pak çaste e gjen në mënyrë instinktive rrugën drejt kontaktit me ajrin dhe jetën.

Cilat janë anët pozitive të kësaj lloj lindjeje?
Lindja në ujë ka disa të mira dhe veçanti. Para se të gjithash, uji për gratë që dinë not, u qetëson muskujt e trupit dhe frymëmarrjen duke lehtësuar dhimbjet e lindjes. Efekti higjenik është i padiskutueshëm. Gruaja qëndron e zhytur në ujë deri në gjoks dhe lëviz lirisht pa ndierë dhimbje. Pesha e vetë trupit anulohet prej ujit dhe kjo lehtëson lëvizjet, mënjanon lodhjen dhe njëkohësisht presioni arterial vetërregullohet më mirë. Pacientët që kanë marrëdhënie jo të mirë ose kanë frikë ujin, është e këshillueshme të mos e provojnë këtë mënyrë lindjeje.

Mund të na tregoni se cilat kategori nuk mund ta kryejnë lindjen në ujë?
Lindja në ujë nuk ka rreziqe të veçanta, por disa kushte e bëjnë të parealizueshme për të gjitha shtatzënat. Nënat me preklampsi, me tension të lartë, me diabet, me sëmundje të zemrës e të mushkërive, me sëmundje infektive janë të përfshira në këtë listë. Në lindjet jo me kokë, por me të ndenjura (bisht) si edhe në lindjet binjake e të parakohshme gjithashtu është e papraktikueshme. Në rast të paraqitjes së ndërlikimeve gjatë lindjes mund të ndryshohet menjëherë drejtimi i lindjes nga uji në mënyra të tjera më të sigurta për nënën dhe fëmijën. Shpesh mbas lindjes së bebit, uji i vaskës mund të ngjyroset në të kuqe prej gjakut që shoqëron këtë moment dhe që tremb nënën e babain, prandaj duhen sqaruar që më parë për këtë ndodhi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.