Mbrëmë në mes të natës, rreth orës 04:30, forca të shumta të Policisë së Shtetit përmes një akti të paprecedent kanë sulmuar godinën e Teatrit Kombëtar duke nxjerrë jashtë me dhunë aktorët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, të cilët kanë mbi dy vjet që kanë sakrifikuar çdo ditë së bashku me praninë e miqve të tyre dhe dashamirësve të artit dhe kulturës për të mbrojtur pasurinë e teatrit të tyre nga babëzia e pushtetit që i kishte vënë syrin, ashtu siç ka bërë edhe me objekte të tjera të artit dhe të kulturës, me hapësirat publike duke i kthyer në sheshe ndërtimi në dhunim flagrant me planet rregulluese dhe kondicionet urbanistike për të kënaqur klientelën e tyre që njihet sot si mafia e ndërtimit.
Ndaj ne sot kemi mbetur pa fjalë përpara këtij akti të qartë banditesk ndaj një pasurie publike dhe një komuniteti artistësh që ishin në shtëpinë e tyre të punës edhe të jetës për ta mbrojtur atë pikërisht nga ata që afërmendsh nuk mund të imagjinohen si grabitqarë të pasurisë që paguhen nga taksat publike për ta mbrojtur dhe për promovimin e artit dhe të kulturës në Shqipëri. Nisur nga situata e rëndë faktike në vend dhe në botë, rrjedhojë e pandemisë globale të COVID-19, duke iu referuar edhe angazhimit të qeverive europiane dhe botërore me të drejtë lind pyetja: Teatri Kombëtar paska qenë problem i Shqipërisë së zhytur prej muajit mars në një karantinë totale sociale që i duhej vërsulur në mes të natës me gjithë egërsinë e shtetit për ta shqyer dhe asgjësuar? Duket qartë domethënia e këtij banditizmi të paanë shtetëror ndaj një pasurie publike me sipërfaqe trualli rreth 12000 m2 që ka për dhuratë qeverinë italiane të kohës, e cila e ka blerë pas vitit 1939 këtë tokë në zemër të kryeqytetit me qëllim për t’i dhënë shqiptarëve me kushtin e patjetërsueshëm ndërtimin e një teatri që nuk ekzistonte që ti grabitet sot TK pas 80 vjetësh e t’u shpërndahet klientelës së re të çiftit kleptokrat Rama-Veliaj.
Nuk është hera e parë e kësaj sjelljeje brutale të një shteti policor që dhunon në mes të natës apo të ditës artistët, gazetarët dhe shtetasit e tij që turpëron rëndë jo vetëm rendin demokratik dhe shtetin ligjor në Shqipëri, por edhe pritshmëritë e Reformës në Drejtësi. Kujtojmë që përmes këtyre procedurave u grabit pasuria e ish-Kinostudios, godina dhe pasuria e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, hapësira, lulishte dhe parqe të shumta mbi të cilët arkitektët projektuan ndërtimin e një kryeqyteti modern, por që këto 30 vjet e kanë përçudnuar keqazi papërgjegjshmëria dhe pangopësia e këtyre feudalëve që kanë keq qeverisur këtë vend. Aktet mbeten, lejet zhvillimore janë po aty, së bashku me autorët e nënshkrimit të tyre, duhet vetëm pak vullnet nga organet hetimore për të hapur menjëherë fletët e ndërtimeve në qendër të Tiranës me qëllim që shoqëria shqiptare të njihet me përvetësimet marramendëse të mafies së betonit dhe sekuestrimin e tyre.
Shoqëria shqiptare sot është tejet e tronditur teksa ndeshet çdo ditë me këto sjellje feudaliste të pushtetit që ka votuar. Egërsia dhe qasja ndaj pasurisë publike për ta tjetërsuar atë, a thua se është pronë e babait të tyre, nuk mund të mos justifikojë mjetin e përdorur sot ndaj ngrehinës së Teatrit Kombëtar në emër të një teatri të ri, pa u futur fare tek vlerat dhe trashëgimia e saj historike jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të sundimit të ligjit në Shqipëri. Por ajo që tejkalon çdo imagjinatë në këto grabitje spektakolare shtetërore dhe shpërdorime të hapura të financave publike është treguesi i dështimit të reformës në drejtësi, e cila me gjithë investimin e madh mbi 130 milionë euro të SHBA dhe të BE po tregon se feudalëve shqiptarë ende nuk po u hyn gjemb në këmbë në krimin dhe korrupsionin e tyre e për më tepër në grabitjen e pasurive publike dhe kontratat koncesionare tejet të dyshimta. Tashmë që jemi në vitin e saj të katërt të institucionalizimit të kësaj reforme të miratuar me votat unanime të 100 deputetëve, ku janë ngritur organet e saj si SPAK dhe BKH, nuk mund të ketë më pikëpyetje për legjitimitetin e tyre për të vënë që sot apo që nesër nën prangat e drejtësisë qoftë kryebashkiakun Veliaj, qoftë kryeministrin Rama.
Nisur nga fakti, që kryetari i Bashkisë Tiranë, ka shkelur rëndë ligjin, duke kryer një krim të rëndë kushtetues pasi Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese, ka depozituar në mënyrë demonstrative vetëm tri ditë përpara më dt. 14 maj në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit nr.377, datë 8.5.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Dhe është pikërisht Gjykata Kushtetuese si i vetmi institucion që ka për detyrë të shprehet mbi pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare (sipas nenit 131 të Kushtetutës). Në këto rrethana shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese mbi antikushtetutshmërinë e ligjit nr. 37/2018, edhe pse palët e interesuara në këtë gjykim mund të pretendojnë pushimin e efekteve juridike të tij, sërish duhet të vijojë bashkërisht me shqyrtimin e kësaj kërkese për antikushtetutshmërinë e vendimit nr. 377, datë 8.5.2020 të Këshillit të Ministrave e bën tejet detyruese gjykimin e kësaj mosmarrëveshjeje sidomos në kushtet kur pala kërkuese ka kërkuar nga kjo Gjykatë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të Vendimit nr. 377, datë 8.5.2020 i Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, pasi siç po evidentohet në mënyrë të qartë dhe publikisht nga kryeministri dhe kryetari i Bashkisë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe rreziqet që Bashkia Tiranë, duke zbatuar këtë akt antikushtetues dhe qëllimin e shprehur të tij, që bie në kundërshtim me interesin publik, të realizojnë prishjen, apo dëmtimin e kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar, duke sjellë kështu pasoja të rënda, të pariparueshme për interesin publik shtetëror dhe për trashëgiminë kulturore kombëtare. Po ashtu, në kushtet kur vendimmarrja e Bashkisë Tiranë dhe ekzekutimi i menjëhershëm duke prishur godinën e teatrit, pra vendosjen e masave administrative ndërkohë që kishte një kërkesë duke u shqyrtuar në Gjykatën kompetente dëshmon haptazi se veprimet e kreut të bashkisë vijnë edhe në kundërshtim me detyrimet e nenit 36 te K.Pr.Civile ku asnjë organ nuk mund te marrë në shqyrtim asnjë çështje që është duke u shqyrtuar nga Gjykata.
Vetëm kështu mund të garantohet funksionimi i shtetit i së drejtës dhe tregues i qartë i sundimit të ligjit. Shembja e themeleve të Teatrit Kombëtar është shembje e themeleve të shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit në Shqipëri. Le të jetë kjo koha që shqiptarët të shohim rezultatet e institucioneve të reja të drejtësisë!
* Studiues, aktivist i shoqërisë civile dhe avokat