AKTUALITET

EKSKLUZIVE/ Kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ekziston (Pjesa II)

11:05 - 05.11.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Besnik Bakiu – Kronologjia e fakteve të paraqitura vijon me këtë ecuri. Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje (të shfuqizuar) në vitin 2009 dhe pjesëmarrjes në bisedime 2-3 vjeçare për rinegocimin e kësaj marrëveshjeje (të abortuar) për ndarjen e ujërave detare, Greqia deklaroi në mënyrë të njëanshme se do i zgjerojë ujërat territoriale nga 6 në 12 milje detare. Si për ta legjitimuar këtë, ishte vetë kryeministri grek, z. Mitsotakis ai që u shpreh kështu: “E drejta për të zgjatur ujërat territoriale në 12 milje është një e drejtë e njëanshme e patjetërsueshme e vendit”.




Ditët e fundit, në media u dha edhe lajmi se Presidentes së Greqisë, znj. Sakellaropoulou, i është paraqitur nga Këshilli i Shtetit për kontroll ligjor një dekret presidencial, i cili parashikon shtrirjen e Greqisë të ujërave të saj territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare.

Si specialist i fushës, mua më habit fakti se përse Greqia u zgjua kaq vonë nga letargjia, kur ndërkohë kanë rrjedhur shumë vite, kanë ndodhur shumë ngjarje dhe janë implikuar jo pak institucione të nivelit më të lartë. Kujtoj se tashmë kanë kaluar 64 vite nga shpallja e pandryshuar e gjerësisë të ujërave të veta territoriale dhe 25 vite nga ratifikimi prej saj i Konventës për të Drejtën e Detit, dhe ajo kujtohet papritur të kërkojë zgjerimin e kufijve detarë me 12 milje.

Natyrisht që Greqia e ka tagrin të ushtrojë të drejtën e vet sovrane për zgjerimin deri në 12 milje të detit të vet territorial, por nga ana tjetër, është po aq e drejtë (dhe detyrim) i shteteve, që mund të cenohen nga ky veprim, për ta kundërshtuar dhe për të mos e pranuar këtë hap.

Këto janë përcaktuar qartësisht në nenet 3 dhe 4 të Konventës, se është e drejtë e të gjitha vendeve bregdetare të vendosin “gjerësinë mbi ujërat territoriale deri në kufirin që nuk i kalon 12 milje detare” dhe ky deklarim përcakton “kufirin e jashtëm të detit territorial”. Mirëpo është neni 15 që vendos kufizime në ushtrimin e kësaj të drejte. Në respekt të rëndësisë që përmban ky nen, po citoj siç ai shprehet: “…në rastet e ndonjë titulli historik ose rrethana të tjera të veçanta”.

Sipas interpretimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), me “rrethana të veçanta” nënkuptohet zbatimi i parimeve të ekitesë, ndërsa sipas doktrinës të së drejtës detare, pjesë e kufizimeve janë edhe ushtrimi i hapur, i njohur, i vazhdueshëm dhe efektiv i autoritetit të shtetit përmbi këtë hapësirë ujore dhe pranimi në heshtje nga shtetet e huaja të ushtrimit të atij autoriteti.

Më poshtë po qartësoj edhe sa ka qenë gjerësia mbi ujërat territoriale, njësi e vetëdeklaruar kjo nga të dyja shtetet dhe e pakundërshtuar nga shteti tjetër:

Ussasaasntitled-3 sasasasasas sasa
<
>

 

Shqipëria: Me VKM Nr. 168, datë 9 dhjetor 1946, “Për kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë”, përcakton shprehimisht: “Caktohen ujërat territoriale shqiptare gjatë gjithë bregdetit shqiptar, ato ujëra që përfshihen në zonën prej 6 (gjashtë) miljesh detare, duke filluar që nga çdo pikë e tokës shqiptare në drejtim të detit të hapur”.

Në pikat 2 dhe 3 të këtij vendimi jepen koordinatat e sakta të këtyre ujërave:

“2. – Duke filluar nga Gryka e Bunës gjatë paralelit 41º 45′ e deri në paralelin 40º verior, ujërat territoriale të Shqipërisë janë 6 milje nga kepet e bregdetit, mbasi përballë bregdetit shtrihet deti i hapur.

3.- Duke filluar nga paraleli 40º verior deri në paralelin 39º 41′ 3”, Punta Stilo, që është kufiri jugor i Shqipërisë, ujërat territoriale të Shqipërisë maten nga pikat më të dala dhe kanë distancat si vijojnë:

a)- Nga Kepi Qefali, distanca minimale është 2.8 milje;

  1. b) Nga Punia Ferrucio, distanca minimale është 2.6 milje;
  2. c) Nga Punta Denta, distanca minimale është 1.8 milje;
  3. d) Nga Kepi verior i Manastirit të Shëngjinit, distanca minimale është 1.4 milje;
  4. e) Nga Kepi Jugor i Manastirit të Shëngjinit, distanca minimale është 0.5 milje;
  5. f) Nga Punta Skalo, distanca minimale është 0.5 milje;
  6. g) Nga Kepi i Stilos, distanca minimale është 2.5 milje;

(Këto distanca janë nxjerrë nga karta italiane Nr. 554 dhe 551, shkalla 1: 180.000)

Në pikat 4 dhe 5 të këtij vendimi jepen edhe hartat e përdorura për caktimin e këtyre koordinatave.

4.- Bashkangjitur në Kartat Detare Italiane Nr. 554 dhe 551, shkalla 1: 180.000, janë të vizatuara me ngjyrë trëndafili ujërat territoriale të Shqipërisë.

5.- Nga Karta Ingleze Medri 6502 A, 6502 B, del se zona “18 A” përfshin ujërat territoriale të Shqipërisë së Jugut, duke filluar nga paraleli 40º verior deri në Punta Stilo.

Gjerësia e këtyre ujërave u zgjerua në 10 milje me Dekretin Nr. 1535/1952. Kurse në 1961 u zgjerua në 12 milje me Dekretin Nr. 3321. Këtë gjerësi e rikonfirmoi edhe me Dekretin Nr.4650/1970.

Në vitin 1976, me Dekretin Nr.5384, Shqipëria zgjeroi gjerësinë e detit territorial në 15 milje detare. Ky dekret ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare të detit. Ishin SHBA-të që do ta kundërshtonin këtë zgjerim jo vetëm në rrugë diplomatike, por edhe ushtarake.

Ishte marsi 1990, kur me Ligjin Nr.7366 Shqipëria heq dorë nga kjo aventurë dhe e ripërcakton këtë gjerësi në 12 milje detare. Ky ligj pranoi dhe respektoi “de facto” nenin 3 të Konventës, edhe pse Shqipëria nuk e kishte ratifikuar ende këtë Konventë. Gjithashtu me letrën e 1 majit 1990, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara e depozitoi këtë vendim pranë OKB-së.

Këtë gjerësi e la në fuqi edhe Ligji 8771, datë 19 prill 2001 Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”.

Greqia: Me Ligjin 230/1936, të vitit 1936, Greqia ka vendosur gjerësinë e ujërave të veta territoriale në 6 milje detare, të cilën nuk e ndryshoi as me miratimin e Kodit Detar në vitin 1973, as me Ligjin 2321/1995, me të cilin ajo ratifikoi Konventën për Detin.

Pra, Shqipëria e ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve, siç ka vepruar edhe Greqia, e cila e ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar.

Aktualisht më i rëndësishëm është fakti se për çfarë dhe sa jemi të përgatitur për t’u paraqitur në Hagë.

Personalisht e kam theksuar që në vitin 2009 dhe e kam ritheksuar edhe më vonë, se kjo çështje duhet të vendoset në GJND Hagë, sipas nenit 74, i cili përcakton se: “Caktimi i kufijve të zonës ekonomike ekskluzive ndërmjet shteteve me brigje ballë për ballë ose brigje fqinjë me njëri-tjetrin do të kryhet me marrëveshje mbi bazat e ligjeve ndërkombëtare, siç referohet në nenin 38 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që të arrihen zgjidhje të barabarta”.

Lidhur me përgatitjen për këtë gjykim, modestisht po ofroj disa sugjerime:

Jam i mendimit dhe kam bindjen se Hapi i parë i radhës (jo vetëm për të shprehur vullnetin e mirë, por për të korrigjuar një padrejtësi historike) i takon shtetit grek. Ky hap nis me shfuqizimin e Ligjit të Luftës. Është non-sens logjik, ligjor, historik dhe diplomatik që dy vendet të jenë ende në luftë, ndërkohë që kanë nënshkruar Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë.

Më duhet të shtoj se deklarata e ministrit të Jashtëm grek, zotit Niko Dendias “për heqjen bashkërisht të Ligjit të Luftës”, nuk më la shije të mirë, pasi nuk arrij të kuptoj se çfarë roli ka Shqipëria në këtë akt, që duhet ta kryejnë instancat kompetente greke. Shpresoj që autoritetet aktuale greke ta kenë seriozisht këtë radhë dhe të mos veprojnë si paraardhësit e tyre, që kanë deklaruar dhe premtuar se e kanë hequr ose që do ta heqin këtë ligj, kur në të vërtetë nuk e kanë kryer.

Kujtoj gjithashtu sagën e gjatë, që fillon në vitin 1976, kur Këshilli i Shtetit, me vendimin nr. 2327/76, përcaktonte se “Shqipëria pushon së konsideruari si shtet armik,… dhe pushon së qeni në fuqi dhe zbatimi i ligjit nr. 2636/1940 lidhur me gjendjen e luftës”, vazhdon me qeverinë e Papandreut kur, në vitin 1987, njoftoi abrogimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Kështu vazhdon edhe sot… Por të gjitha këto deklarata i zeroi Nota Verbale e MJ greke (F. 237/269, 28 qershor 1999), e cila informon Ambasadën tonë në Athinë se: “Ligjet greke, Nr. 2636/1940 dhe 4506/1966 janë akoma në fuqi”.

Hapi i dytë, që nuk i takon më Greqisë, por palës shqiptare, lidhet me marrjen shumë seriozisht prej saj të rikrijimit të grupit negociator. Ky grup nuk duhet të përbëhet vetëm nga drejtorë e drejtues institucionesh (pjesa më e madhe e të cilëve janë vendosur kryesisht për merita partiake), por nga personalitete me dinjitet, integritet të pacenuar moral, me përkushtim të spikatur atdhetar, të pajisur me dije të thella, të aftë profesionalisht dhe të pakontestueshëm, që marrin mbi vete jo thjesht pjesëmarrjen në grupin negociator, por përgjegjësinë historike të këtij akti.

Grupimi duhet të përforcohet gjithashtu edhe me këshilltarë dhe ekspertë të jashtëm, si dhe specialistë nga trevat shqiptare dhe personalitete shqiptare që jetojnë jashtë vendit.

Duhet të mos harrojmë se Greqia, si pala përballë, ka dëshmuar zotësi në këtë drejtim dhe ka kapacitete të shumanshme në këtë fushë. Ajo ka një traditë të gjatë në negociatat detare dhe specialistë të sprovuar të fushave përkatëse.

Hapi i tretë, lidhet me përzgjedhjen e parimeve, përfshi këtu edhe termat e negocimit, që do të zbatohen në këtë marrëveshje. Konventa dhe GJND për delimitimin e kufijve detarë shprehet shumë qartë, se për këto marrëveshje duhet të zbatohen parimet e drejtësisë dhe ndershmërisë (equitable principles), përmes të cilave bëhet e mundur arritja e një zgjidhjeje të drejtë e të ndershme (equitable solution) mes palëve. Këto realizohen nëpërmjet Ekite (Equite), i cili “…është një parim i përgjithshëm, që duhet zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë si normë e së drejtës ndërkombëtare”, prandaj, si i tillë, ajo kthehet në një parim të detyrueshëm, si kriter kryesor dhe parësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi ndarjen e hapësirave detare mes shteteve.

Nëse si analogji duhen ofruar përvoja dhe praktika ndërkombëtare lidhur me zgjidhjen e kësaj çështjeje, duhet thënë se ato nuk mungojnë dhe shërbejnë edhe për zgjidhjen e rastit tonë. Ky qëndrim është mbajtur nga GJND në vendimin e saj të vitit 1969 mbi delimitimin e kufijve të Shelfit Kontinental në Detin e Veriut ndërmjet Danimarkës, Holandës dhe Gjermanisë, ku theksohet se zbatimi strikt i metodës së vijës së mesit krijon shpesh pabarazi të theksuara, të cilat shtohen gjithnjë e më shumë me kalimin nga toka në drejtim të detit. Kjo është rikonfirmuar gjithashtu prej saj në vendimin e vitit 1982 mbi ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Libisë dhe Tunizisë.

Për sa i përket prezencës së ishujve, duhet evidentuar se teoria dhe praktika gjyqësore ndërkombëtare ka treguar se, sipas rrethanave, “një ishulli mund t’i jepet efekt i plotë, efekt i pjesshëm, asnjë lloj efekti ose asnjë lloj efekti por përfiton pak hapësirë detare në delimitimin e hapësirave detare”.

Në këto bisedime i duhet kushtuar kujdes vlerësimit jo vetëm të ndikimit të ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe të vetë ishullit kryesor të Korfuzit, pasi nuk mund të kenë efekt të plotë dhe barazohen me dheun kontinental të vendit tonë. Për sa i përket masës shkëmbore apo cekinës Barketa, duhet të mbahet në konsideratë se kemi të bëjmë thjesht me një masë të vogël shkëmbore të pabanuar dhe pa jetë ekonomike. Prirja e përgjithshme e të drejtës ndërkombëtare detare sot është si vijon: “…dheu kontinental merr përparësi ndaj dheut ishullor, sa u takon projeksioneve të hapësirave përkatëse detare”.

Domethënës është gjithashtu edhe fakti se në marrëveshjen për ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Greqisë dhe Italisë dt.24.05.1977, ishujve Othonoi dhe Erikuza u është dhënë efekt i pjesshëm.

Këtyre fakteve e dëshmive i bashkojmë edhe logjikën se ne shqiptarët duhet të nxjerrim mësime nga eksperienca negative e deritanishme, ku papërgjegjshmëria e institucioneve shtetërore, akademike, universitare dhe publike ka qenë tronditëse. Të mos harrojmë se kjo marrëveshje do të nënshkruhet nga vetë shqiptarët, e jo nga të tretë, ndaj përgjegjësitë dhe papërgjegjshmëritë do të na mbeten neve, e nuk do të kemi rast të fajësojmë të tjerët, “armiqtë e Shqipërisë”, siç kemi bërë historikisht për Konferencat apo Traktatet, ku nuk kemi qenë palë dhe nuk na është dëgjuar zëri.

Prej 11 vitesh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të 2009-ës, pala shqiptare ka bërë shumë pak, për të mos thënë se nuk ka bërë asgjë, në këtë çështje. Në dijeninë time nuk ka asnjë akt, botim, debat, studim, konferencë shkencore nga institucionet tona shtetërore, publike, akademike, universitare etj. Për këtë ndihem i trishtuar dhe i habitur: pse kjo përgjumje letargjike e institucioneve tona?! Më shumë se 150 vjet më parë, Pashko Vasa me “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” dhe Sami Frashëri me “Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet?” i publikuan, madje edhe në gjuhët e mëdha ndërkombëtare, tekstet që u dilnin në mbrojtje të drejtave të Shqipërisë. A e kanë ndërkombëtarizuar institucionet tona shtetërore dhe akademike çështjen mbi kufirin detar shqiptar me Greqinë? A kemi botuar tekste, manuale, traktate njohjeje, që përligjin të drejtën tonë, duke fituar përmes tyre aleatë të kauzës sonë të drejtë?

Herë pas here kam apeluar publikisht për prononcimin e profesoriatit të së drejtës ndërkombëtare e kushtetuese, të historianëve, mendimit inxhinierik, topograf etj., me qëllim debatimin për të sqaruar çdo paqartësi dhe shmangur a ndrequr gabimet e mundshme. Pse vazhdojmë me të njëjtën mendësi gabuese si më parë? Disa prej tyre po përpiqem t’i radhis më poshtë:

-Më 24 tetor 2003, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së nëpërmjet Notës Verbale, i ka kërkuar MPJ të Republikës së Shqipërisë kërkesën për paraqitjen e koordinatave të hapësirave detare në përputhje me UNCLOS III; detyrë e cila akoma nuk është kryer.

-Në vitin 2008, në mënyrë të pajustifikuar, në një kohë kur Shqipëria kishte 6 muaj që kishte nisur negociatat me Greqinë, shfuqizohet Ligji 8771/2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”. Ky shfuqizim solli edhe shfuqizimin e vijës së drejtë bazë dhe gjerësinë e detit territorial, dhe si rrjedhojë negocimi i Marrëveshjes Detare me Greqinë u bë në kushtet e disavantazhit të krijuar nga ky shfuqizim.

-Në muajin prill 2012 miratohet Ligji Nr. 60/2012 “Për një ndryshim në Ligjin nr. 9861, datë 24 janar 2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, i cili shfuqizoi Nenin 53 të Ligjit 9861, duke rikthyer në fuqi vetëm nenin 3 të Ligjit 8771, datë 19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, rikthim i cili rikonfirmon deklarimin e njëanshëm të Shqipërisë mbi vijën e drejtë bazë dhe të gjerësisë së detit territorial.

Lidhur me këtë theksoj se është e paprecedentë dhe duhet të jetë rast unikal në jurisprudencën botërore, kur shfuqizohet një nen i një ligji, për të rihyrë në fuqi një nen i një ligji të shfuqizuar, apo jo? Megjithëse e kam akoma të kthjellët arsyetimin, siç kam edhe logjikë të ftohtë, nuk arrij ta kuptoj se përse Parlamenti shqiptar nuk synoi miratimin e një ligji të plotë mbi kufirin shtetëror.

-Heshtja ndaj Marrëveshjes së 9 qershorit 2020 Itali-Greqi për delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike, duke përjashtuar Shqipërinë nga negociatat për segmentin verior, e cila (për mua)përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, si dhe akt jomiqësor ndaj vendit tim.

Caktimi i pikës trepalëshe (tri-junction point), si pikë e baraslarguar nga pikat bazë më të afërta të bregut kontinental italian, kontinental shqiptar dhe atij ishullor grek, nuk mund të bëhej pa prezencën dhe dakordësinë e Shqipërisë.

Ndaj mendoj dhe sugjeroj se, pavarësisht nga marrëdhëniet e mira dypalëshe, Shqipëria duhet ta kundërshtojë këtë Marrëveshje në Sekretariatin e OKB-së, si dhe t’u kërkojë dy shteteve fqinje dhe mike që mos ta ratifikojnë pa e rinegociuar me pjesëmarrjen e Shqipërisë hapësirën që Shqipërisë i takon.

Megjithatë duhen përmendur, falënderuar dhe shprehur mirënjohje e thellë jo vetëm për mos-heshtjen, por për kontributet e tyre individuale Profesorëve të shquar si: Myslym Pashaj, Ksenofon Krisafi, Pëllumb Xhufi, Xhezair Zaganjori etj., si dhe diplomatit “par excellence” Shaban Murati i cili, bisedimet diplomatike detare 2008-2018, midis dy vendeve i trajton shumë qartë në librin e tij “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë greke apo shqiptare”.

Në përfundim dua të rikujtoj se edhe ne shqiptarëve, ashtu siç shkruan Seferisi i madh, na prekin dhe na përkasin vargjet: “Kudo që shkoj, Greqinë e marr me vete si një plagosje”. Kudo që të shkojmë ne, Shqipërinë do e marrim me vete, si një plagosje dhe si një brengë, pasi, siç shton poeti ynë i madh dhe miku im Xhevahir Spahiu, ne vazhdojmë t’i kemi “borxhe vitit ‘13 që s’ia mbylla plagët”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.