Aktualitet

Covid-19 i merr jetën Kasem Hysenbelliut, presidentit të televizionit Fax News

09:32 - 05.12.20 Gazeta Shqiptare

Koronavirusi i ka marrë jetën këtë të shtunë presidentit të Televizionit “Fax News”, Kasem Hysenbelliut, disa javë pas infektimit me virusin e rrezikshëm.



Biznesmeni i suksesshëm, Kasem Hysenbelliu u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, ku ndodhej i shtruar prej disa javësh, si pasojë e komplikacioneve të shfaqura nga Covid-19. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të mjekëve dhe lutjeve të familjarëve apo miqve të tij, ai nuk mundi të fitojë ndaj pabesisë së virusit.

Një mesazh të ndjerë për Kasem Hysenbelliu ka shkruar edhe nipi i tij, Fatmir Hysenbelliu. “Zemërthyer nga ky lajm. Gjithmonë do të kujtojë me buzëqeshjen tënde. Prehu në paqe xhaxhi”, shkruan Fatmir Hysenbelliu.

Më herët, Kasem Hysenbelliu ka qenë drejtor i përgjithshëm i News 24, Balkanweb dhe Gazeta Shqiptare. Gjithashtu, ai ka drejtuar dhe gazetat Panorama dhe Panorama Sport.

I martuar, baba i dy fëmijëve, Kasem Hysenbelliu do t’i mungojë familjes, por edhe të gjithëve që e njohën dhe punuan me të, si një njeri i qeshur, optimist, drejtues, koleg dhe bashkëpunëtor i shkëlqyer, që kontribuoi në ngritjen më cilësore të medias, nëpërmjet afrimit të njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar.

Stafi i News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, e Radio Shqiptare shprehin ngushëllimet familjarëve, miqve e kolegëve për këtë humbje të parakohshme.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.