SHËNDET

Dr. shk. Rezar Rusi: Komplikacionet që mund të sjellin gurët e vezikës urinare

10:48 - 14.06.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në momentin që urina qëndron gjatë në vezikë, mund të kristalizohen kripërat minerale e si pasojë formohen gurë në vezikën urinare. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare” mjeku urolog, dr.shk. Rezar Rusi tregon se në momentin që pacientët kanë dhimbje në fund të barkut, urinim të shpeshtë apo me dhimbje, urinim me gjak, duhet të paraqiten për vizitë pranë specialistit. Më tej mjeku sqaron të gjithë shkaktarët që ndikojnë në formimin e gurëve vezikalë. Rusi thekson se ka disa raste ku mënyra e vetme e heqjes së gurit është ndërhyrja kirurgjikale si dhe jep disa këshilla për parandalimin e sëmundjes.




Si formohen gurët e vezikës urinare?
Gurët e vezikës urinare janë masa të forta kripërash minerale, të vendosura në vezikë. Gurët formohen kur urina duke qëndruar gjatë në vezikë, koncentrohet duke bërë të mundur kristalizimin e kripërave minerale. Kjo urinë e ndenjur dhe e koncentruar është shpesh pasojë e pamundësisë për të zbrazur tërësisht vezikën.

Cilat janë simptomat kryesore që shfaq kjo patologji?
Kur shfaqen simptomat ato mund të variojnë nga dhimbja e barkut, deri në prezencën e gjakut në urinë. Gurët e vegjël mund të eliminohen vetë, por të tjerët kanë nevojë për ndërhyrje. Nëse nuk trajtohen, ato mund të shkaktojnë infeksione dhe komplikacione te tjera. Disa pacientë me gurë të vezikës nuk paraqesin probleme, madje edhe kur kanë gurë të mëdhenj. Por nëse guri irriton murin e vezikës ose bllokon rrjedhën e urinës, atëherë shfaqen simptoma si dhimbje në fund të barkut; te burrat, dhimbje dhe shqetësime në penis; urinim me dhimbje; urinim i shpeshtë; vështirësi gjatë urinimit ose ndërprerje e tij; gjak në urinë; urinë e turbullt ose më e errët se zakonisht.

Cilët janë shkaktarët e krijimit të gurëve në vezikën urinare?
Kushtet më të zakonshme që ndikojnë në formimin e gurëve të vezikës është zmadhimi i gjëndrës së prostatës. Një prostatë e zmadhuar ose hiperplazia beninje e prostatës, mund të shkaktojë gurë te meshkujt. Si rezultat i zmadhimit, prostata mund të shtypë uretrën dhe të ndërpresë rrjedhën e urinës, duke bërë që ajo të mbetet në vezikë. Edhe dëmtimi i nervave (vezikë neurogjene) ndikon pasi nervat marrin mesazhe nga truri dhe ia përcjellin ato muskujve të vezikës duke bërë që ato të shtrëngohen ose të lëshohen. Nëse këto nerva janë të dëmtuar vezika mund të mos zbrazet plotësisht. Gurët në vezikë mund të formohen kur vezika inflamohet. Ndonjëherë kateterët e vezikës që futen në vezikë nëpërmjet uretrës për të ndihmuar rrjedhjen e urinës, mund të shkaktojnë gurë. Gjithashtu, mund të shkaktojnë gurë mjetet antikonceptive ose stentet që futen në vezikë aksidentalisht. Në sipërfaqen e këtyre mjeteve, depozitohen kripëra minerale të cilat më vonë transformohen në gurë.

A janë të njëjtë gurët në veshka me ato të vezikës?
Gurët që formohen në veshka s’janë të njëjtë me ato të vezikës. Ato zhvillohen në mënyra të ndryshme dhe shpesh nga shkaqe të ndryshme. Por ndonjëherë, gurë të vegjël të veshkave zbresin poshtë në vezikën urinare nëpërmjet uretereve dhe nëse nuk dalin jashtë, mund të rriten duke formuar gurë të vezikës.

Cilat janë moshat më të predispozuara për t’u prekur nga sëmundja?

Në vendet në zhvillim, gurët e vezikës janë të zakonshëm te fëmijët, shpesh për arsye të dehidratimit, infeksionit dhe dietës me pak proteinë. Në vende të tjera të botës, ato hasen më shpesh në të rritur, sidomos në meshkujt mbi 30 vjeç.

Cilat janë komplikacionet që mund të sjellë prania e gurëve në vezikë?
Gurët e vezikës që nuk hiqen, edhe nëse s’kanë simptoma, mund të japin komplikacione si: keqfunksionim kronik i vezikës (mund të japin probleme urinare afatgjatë si dhimbje dhe urinim të shpeshtë). Por gurët mund të vendosen në dalje të vezikës, aty ku urina del nga vezika dhe hyn te uretra, duke bllokuar daljen e urinës jashtë trupit. Ndërkohë infeksionet urinare të përsëritura mund të shkaktohen nga gurët e vezikës.

Si bëhet diagnostikimi i sëmundjes?
Kryhet ekzaminim fizik ku mjeku prek pjesën e poshtme të barkut për të parë nëse vezika është e fryrë; në disa raste kontrollon prostatën me gisht nëpërmjet rektumit për të parë nëse ajo është e zmadhuar apo jo. Pacienti duhet të bëjë edhe analizën e urinës, si dhe ultratinguj (Eko). Për të bërë diagnostikimin mund të përdoret edhe radiografia, pielografia intravenoze; skaner CT spiral (mund të zbulojë dhe gurë shumë të vegjël).

Cilat janë mënyrat e heqjes së gurëve nga vezika?
Gurët e vezikës, në përgjithësi duhen hequr. Nëse janë të vegjël, rekomandohet pirja çdo ditë e sasive të mëdha të ujit për të ndihmuar eliminimin e tyre. Megjithatë, për arsye se gurët e vezikës shpesh shkaktohen nga pamundësia e zbrazjes plotësisht të vezikës, nxjerrja spontane e tyre është e pamundur. Gurët e vezikës shpesh hiqen me anën e një procedure që quhet cystolytholapaxy. Kjo konsiston në futjen e cistoskopit në vezikë nëpërmjet uretrës për të parë gurin. Për thyerjen e gurëve mund të përdoren pajisje të ndryshme që prodhojnë rreze lazer, ultratinguj, ose që i thyejnë ato mekanikisht. Ndonjëherë gurët janë të mëdhenj ose shumë të fortë për t’u thyer. Në këto raste aplikohet kirurgji e hapur (operacion) për t’u hequr. Hapet vezika dhe hiqet guri.

Si mund të parandalohet krijimi i gurëve në vezikë?
Zakonisht gurët e vezikës shkaktohen nga disa gjendje patologjike që janë të vështira për t’i parandaluar, por mundësitë e formimit të gurëve të vezikës mund të pakësohen duke ndjekur disa këshilla. Diagnostikimi i hershëm dhe mjekimi i prostatave të zmadhuara ose problemeve të tjera urologjike, mund të pakësojë rrezikun e formimit të gurëve vezikale. Edhe pirja e një sasie të madhe lëngjesh sidomos ujit, mund të parandalojë gurët vezikalë për arsye se lëngjet hollojnë koncentrimin e kripërave minerale në vezikën urinare. Sasia e ujit që duhet pirë varet nga mosha, madhësia e trupit, gjendja shëndetësore si dhe niveli i aktivitetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.