DOSSIER

Paskal Milo rrëfen të pathënat e luftës: Enver Hoxha nismëtar i veprimeve të armatosura kundër Ballit

12:00 - 19.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“”Balli kombëtar” në panik, bëri një gabim të madh strategjik, historikisht fatal”




“Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore, 1943-1944” promovohet në Akademinë e Shkencave

Libri është në vijim të një projekti të nisur shumë vite më parë për të trajtuar historinë e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore në mënyrë sa më realiste dhe përtej klisheve historiografike nga më kundërthënëset të së shkuarës. Libri mbështetet në dokumente, shqiptare e të huaja të marra në shumicën dërrmuese të tyre në burim të parë nga autori. Atje ku nuk ka qenë e mundur, një pjesë e vogël e tyre është referuar nga një bibliografi shkencore dokumentare dhe historiografike serioze. Burime të dorës së dytë e të tretë janë shqyrtuar e referuar në një vështrim të rreptë kritik e në një përqindje shumë modeste.

Nga Paskal Milo

Një nga pyetjet standarde që bëhen kur botohet një libër i ri në fushën e historisë është: çfarë të rejash sjell ai në fakte, ngjarje, interpretime e përfundime? Kjo krahasuar edhe në tregues të tjerë që i dallojnë librat dhe autorët midis tyre. Që kur e nisa projektin e historishkruarjes për shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore u udhëhoqa pikërisht nga shqetësimi për t’i dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme. Dhe kishte shumë arsye për t’ia nisur punës së gjatë afro 30 vjeçare të hulumtimit në arkivat shqiptare e ato të huaja, të të gjithë trashëgimisë historiografike për këtë temë, të së shkuarës e bashkëkohore. Nuk ka qenë e lehtë për të mos përdorur ndonjë fjalë më me peshë nga rëndësia. Studiuesit e kolegët historianë besoj se ndajnë me mua emocionet dhe vullnetin që duhet për të çuar deri në fund kërkimin arkivor, raskapitjen bibliografike e mbi të gjitha përgjegjësinë e analizës objektive historike. E për më tepër në një klimë të tensionuar politike ku tema për të cilën po flasim ka qenë më shumë, por akoma mbetet objekt i një debati politik e publik.

Përfundimet në të cilat ka arritur libri

  1. Vlerat e një libri zakonisht dalin pasi ai është bërë pronë e lexuesve. Duhet pritur gjykimi objektiv i ekspertëve të fushës, i atyre që njihen si lexues të vëmendshëm dhe padyshim i një opinioni më të gjerë. Por me të drejtën e autorit e me përgjegjësinë qytetare më duhet të them në mënyrë paraprake se: libri sjell shumë të reja, korrigjon dhe riinterpreton fakte e ngjarje të njohura, thellon analizën e tyre në drejtime të tjera. Është një përpjekje për të drejtëpeshuar interpretimin e historisë së shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, për të hequr mbishtresat e vendosura  për ngjarjet e figurat historike e për t’i afruar ato sa më shumë me realitetin në të cilin kanë ndodhur e kanë vepruar.
  2. Libri konfirmon dhe argumenton të vërtetën themelore të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, karakterin antifashist e nacionalçlirimtar të saj. Këtë përcaktim e vendosën shumica e shqiptarëve që morën armët e luftuan për të hequr robërinë fashiste e për të rifituar lirinë që i takonte çdo populli në kushtet e pushtimit fashist. Ata u bashkuan me të gjithë popujt e tjerë  në gjirin e Kombeve të Bashkuara Antifashiste dhe i dhanë vetes dhe Shqipërisë një vend nderi në histori.

III. Antifashizmi shqiptar është studiuar në të gjitha dimensionet sociale e politike të tij, janë nënvizuar platformat, veçoritë e dallimet, taktikat e synimet strategjike të tyre. Të gjitha formacionet politiko-ushtarake shqiptare janë gjykuar në ballafaqim me vlerat, aksionet e kontributet e tyre konkrete kundër pushtuesve gjermanë. Nga ky ballafaqim forca kryesore antifashiste dhe antinaziste në mos e vetmja në Shqipëri afirmohet L.N.Çl dhe PKSH. Kjo është një e vërtetë historike që është njohur e që nuk vihet në dyshim përtej simpative apo antipative ndaj saj. E vërteta mund të jetë e hidhur, por përsëri mbetet e vërtetë.

  1. Libri tenton të sjellë një element të ri të përjashtuar deri tani në studimet për Luftën, natyrën e marrëdhënieve njerëzore. Përpara se të ishin fashistë, komunistë, ballistë e legalistë, shqiptarët ishin njerëz që i lidhnin shumë fije bashkë, të identitetit e të historisë, krahinore, fisnore, familjare, shoqërore, etj. Bindjet e ndryshme politike nuk mund të denatyrojnë në mënyrë ekstreme marrëdhënien njerëzore. Në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore rreshtimi në formacione politiko-ushtarake kundërshtare kanë ndarë pjesëtarë të një familjeje  e të një fisi, krushqi e miqësi të vjetra. Por këto ndasi nuk ishin kaq militante e antagoniste në jetën e përditshme të njerëzve të thjeshtë në fshatra e qytete. Ata bashkoheshin në dasma e në morte, diskutonin e mund të ngrinin zërin para filxhanit të kafesë apo edhe gotës së rakisë, por nuk i prishën vëllazëritë, krushqitë e miqësitë për hir të bindjeve politike.

Në nivelin e elitave politike marrëdhënia njerëzore ishte më e komplikuar dhe u nënshtrohej interesave të momentit apo të perspektivës, ishte një ndjenjë që shfaqej si një medalje me dy anë, herë miqësore  e shoqërore dhe herë e ashpër e deri armiqësore. Deri tani në terrenin politik e në historiografinë shqiptare është nënvizuar me përparësi konflikti dhe armiqësia mes elitave dhe fare pak ose aspak marrëdhënia  e kontaktet njerëzore, miqësore e shoqërore të së shkuarës së tyre. Të dytat janë sakrifikuar për hir të të parave. Libri synon të paraqesë në mënyrë modeste tablonë e fshehur të marrëdhënies njerëzore për aq sa ajo ka ekzistuar. Aty janë përmendur mjaft raste që e ilustrojnë këtë marrëdhënie në nivelet më të larta politike.

  1. Në libër ka një trajtim të veçantë për fillimet e konfliktit të hapur mes PKSH-F.N.Ç dhe Ballit Kombëtar. Të dy palët kanë akuzuar njëra – tjetrën dhe kanë alternuar akuzat më ekstreme. Balli në atë kohë dhe një pjesë e historiografisë shqiptare e të huaj fillimin e përplasjes mes dy grupimeve  kryesore politiko-ushtarake e kanë quajtur fillimin e luftës civile. PKSH-F.N.Ç gjatë Luftës dhe pjesa tjetër e historiografisë shqiptare e ka mohuar luftën civile dhe shkakun e luftës kundër Ballit e kanë parë në bashkëpunim me pushtuesit gjermanë.

Autori duke shqyrtuar me shumë përgjegjësi e në detaje të gjithë dokumentet e kohës ka arritur në këtë libër në përfundimin se PKSH me letrat e 1 tetorit 1943 të Enver Hoxhës ishte nismëtarja e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar. Ajo nuk kishte ende arsye serioze për të ndërmarrë sulme të armatosura kundër grupimit rival politik. Kishte mëdyshje, rezerva, pakënaqësi e kundërshti, por këto nuk ishin argumente. Balli, jo si individë të veçantë, por si organizatë, deri në 30 shtator 1943 nuk e kishte kaluar kufirin kritik për t’u cilësuar bashkëpunëtore e pushtuesve gjermanë. Letrat e Enver Hoxhës nuk u provokuan nga Balli, por ato ishin një provokim për Ballin, një fakt i kryer, një nxitje për të sjellë sa më shpejtë ballafaqimin e pritshëm. E vërteta historike është se PKSH hodhi hapin e parë të gabuar dhe këtu ajo nuk mund ta fshihte përgjegjësinë e saj.

Balli Kombëtar, i kërcënuar nga rreziku, u alarmua, ra në panik, u tremb dhe bëri një gabim të madh strategjik, historikisht fatal. U tremb më tepër nga PKSH se nga forcat pushtuese gjermane. Gjykoi se do të ndodhej midis dy zjarreve, ndaj preferoi të mos vepronte kundër pushtuesve të huaj e të përqendronte zjarrin vetëmbrojtës ndaj grupit rival politik e ushtarak shqiptar. Kjo strategji jo vetëm për të ardhmen e Ballit, por edhe me rrjedhoja të mëdha për të ardhmen e Shqipërisë, u shpall nga kryetari i tij, Mit’hat Frashëri në qarkoren e njohur të 7 tetorit 1943 që bënte thirrje për të pezulluar përkohësisht çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane. Një muaj më vonë, në 7 nëntor K.Q. i Ballit Kombëtar morri vendimin për “Luftën Civile”.

MIlo milalal mila 000 Mmila 0089 milaoaoao Milo djdjdj Miloa 0303
<
>

 

  1. Libri riafirmon se grupimet politiko-ushtarake shqiptare si F. N.Çl që zhvilloi luftë të armatosur antifashiste ashtu edhe ato që ndenjën mënjanë ose bashkëpunuan me pushtuesit synim themelor patën kapjen e pushtetit në përfundim të Luftës. Mënyra se si e kërkuan atë ishte një nga dallimet thelbësore mes tyre, që bëri diferencën e që përcaktoi  edhe fituesin. Nuk vendosi konkurrenca e alternativave politike e qeverisëse të PKSH, të B.K apo të Legalitetit për Shqipërinë e pas Luftës, por vetëm kush tregoi me vepra se ishte kundër pushtuesve gjermanë, në aleancë me Kombet e Bashkuara Antifashiste.

VII. Qartësisht libri jep tablonë e orientimit të forcave politiko-ushtarake shqiptare në raport me Fuqitë e Mëdha ndërluftuese. Ajo që u quajt Shqipëria zyrtare “e pavarur” u krijua nga Hitleri dhe i qëndroi besnik deri në fund atij. Nuk ishte vetëm fenomen shqiptar, por evropian e më gjerë. Dy parti të tjera, Balli Kombëtar më shumë e Legaliteti më pak tentuan të luajnë politikën e “dy karrigeve” me gjermanët e qeverinë kuislinge nga njëra anë e me britanikët  nga ana tjetër. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse edhe dështuan në fund të luftës.

Britanikët dhe amerikanët nuk gjetën në Shqipëri një bazë politike e sociale të orientuar fort nga Perëndimi, të pakompromentuar e me veprimtari të dukshme antifashiste. Ata bënë çmos t’i nxisnin, t’i organizonin e t’i armatosnin forcat nacionaliste shqiptare në luftë kundër fashizmit për t’i pasur si një alternativë perëndimore për Shqipërinë e pas Luftës. Por Balli Kombëtar dhe Legaliteti refuzuan ose më e pakta hezituan, e kërkuan fitoren e pushtetit në tavolinë ose me disa akte simbolike antifashizmi pa peshë e me vonesë. Këtu qëndron edhe përgjegjësia e tyre historike.

PKSH e F.N. Ç që në fillim u rreshtuan kundër pushtuesve italianë e gjermanë dhe natyrshëm e de facto u bënë aleatë të Kombeve të Bashkuara Antifashiste. Kjo aleancë ishte një nga arsyet që PKSH erdhi në pushtet. Jo se këtë e dëshironin britanikët dhe amerikanët porse L.N. Ç u bë i vetmi faktor ushtarak që bashkëpunoi me ta në luftën kundër armiqve të përbashkët. Në mungesë të një alternative tjetër të fuqishme e të besueshme perëndimore që në mos ta shmangte alternativën komuniste, ta rivalizonte atë, Shqipëria në përfundim të Luftës mori rrugën e ndërtimit të një shoqërie e regjimi të tipit sovjetik.

VIII. Në libër është arritur në përfundimin se lufta antifashiste e shumicës së shqiptarëve në krah të Kombeve të Bashkuara Antifashiste ndaloi mundësinë e projektet për copëtimin e Shqipërisë në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe forcoi pozitën ndërkombëtare të saj. Në këtë Luftë për herë të parë si komb e për herë të dytë si popull pas epokës së Skënderbeut, shqiptarët u radhitën në anën e duhur të historisë, me Fuqitë e kombet e tjera që mbronin lirinë, identitetin, vetëvendosjen e progresin.

  1. Libri është shkruar me gjuhë korrekte e në mënyrë sa më objektive, pa frymë urrejtje, akuzash apo fyerjeje. Vlerësimet e autorit për ngjarjet e personalitetet historike janë rrjedhojë e analizave shkencore të fakteve e të dokumenteve, janë përgjegjësi personale e tij dhe kurrsesi të imponuara e të huazuara.

Të pathënat e librit

Vlera e çdo libri nuk matet vetëm me përfundimet në të cilat ai ka arritur, por edhe nga faktet e analizat e reja që sjell në saktësimin e ngjarjeve e në ndriçimin e aspekteve të panjohura të tyre dhe po kështu edhe të veprimtarëve historikë. Në nivelin në të cilën ndodhen sot studimet për historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nuk pretendohet se ka ngjarje të mëdha të pazbuluara e të painterpretuara nga këndvështrime të ndryshme. Por ka e do të ketë edhe më tej fakte të panjohura, detaje, informacione që plotësojnë tablonë e ngjarjeve e të fenomeneve, që ndriçojnë më mirë ose edhe plotësisht veprimtarinë e forcave politike e ushtarake e të personaliteteve kryesore të kohës. Kolegët, studiues të historisë e kuptojnë fare mirë rëndësinë që ka shpesh herë detaji apo informacioni i tërthortë në shpjegimin e historisë, veçanërisht në mungesë të burimeve të para.

Kur u ula të shkruaj këtë libër kisha siguruar bazën burimore dokumentare të padiskutueshme për të filluar punën e për të paraqitur elemente të reja. Por prapë ishte e pamjaftueshme. Duhej kërkuar e studiuar bibliografia shqiptare dhe ajo e huaj për Luftën për të njohur se çfarë  dhe si ishte shkruar historia e saj. Dhe prapë kishte nevojë për tu thelluar për të sqaruar shumë pikëpyetje që dilnin e për të plotësuar mjaft boshllëqe që ekzistonin. Iu drejtova kujtimeve që kishin lënë veprimtarët e Luftës të të gjitha niveleve, të botuara e të pabotuara, të depozituar në Arkivin Qendror Shtetëror e në arkiva të familjeve të trashëgimtarëve të tyre. Me këtë rast dëshiroj t’i falënderoj nga zemra për bujarinë e gatishmërinë që treguan për të më vënë në dispozicion kujtime në dorëshkrim, ditare, shënime e fotografi.

Nga i gjithë ku ballafaqim paraprak dokumentar e bibliografik u identifikuan mangësitë e boshllëqet dhe u nxorën në dritë edhe elementët e rinj. Por dua të jem i qartë se libri im nuk është shkruar mbi hiçin, por është mbështetur në arritjet më të mira historiografike shqiptare e të huaja pa asnjë dallim. Kontributet e mia janë zgjerim dhe thellim i mëtejshëm i studimeve ekzistuese, plotësim me fakte e informacione të reja e të panjohura deri sot për ngjarje dhe episode të Luftës e padyshim me analizë e interpretime origjinale.

Ky parashtrim hyrës më lejon që të shprehem konkretisht se cilat janë të pathënat, pjesore apo të plota dhe për çfarë çështjesh që kanë zënë vend në këtë libër. Vetëm se nuk pretendohet që këtu të jepet përmbajtja e tyre sepse është e pamundur, ndaj ato veç do të përmenden:

  1. Për takimet dhe bisedimet që janë zhvilluar midis përfaqësuesve të PKSH e të F.N.Ç me përfaqësues të Ballit Kombëtar për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi pas dështimit të Marrëveshjes së Mukjes.
  2. Për veprimtarinë e Mehdi Frashërit në Romë para se gjermanët ta sillnin në Shqipëri në 14 shtator 1943, për përpjekjet e tij që në bashkëpunim me italianët e gjermanët të krijonte në vend një komitet ose një qeveri që do të mbronte interesat e tyre e që do të përfaqësonte edhe Shqipërinë në Konferencën e ardhshme të Paqes.

III. Për Kompromisin e Beratit midis qarkorit të PKSH e komandës vendore partizane me komandën e divizionit 100 malor gjerman në 20 shtator 1943 e rrjedhojat e tij.

  1. Për tre përpjekjet e Komandës së Lartë të ushtrisë gjermane në Shqipëri për të arritur një marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇl.
  2. Për ekzistencën edhe të një marrëdhënieje njerëzore mes Enver Hoxhës e bashkëpunëtorëve të tij me gjeneralin Dejvis dhe oficerëve të tjerë britanikë të ndërlidhjes përtej memoralistikës së njëanshme e konfliktuale.
  3. Për tentativën që u bënë nga ana e Ballit Kombëtar për të arritur një marrëveshje me disa forca politike konservatore greke e qeverinë kolaboracioniste të Athinës në shkurt – qershor 1944 për krijimin e Federatës shqiptaro-greke.

VII. Për marrëdhëniet midis PKSH e PKJ dhe veçanërisht të kontakteve për çështjen e Kosovës.

VIII. Për marrëdhëniet midis PKSH e PKG për çështjen e minoritetit grek në Shqipëri e për Çamërinë.

  1. Për Marrëveshjen e Barit midis përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL e Komandës së Forcës Ajrore të Ballkanit të Shtabit Aleat të Mesdheut.
  2. Për mënyrën se si u thurën  e si u realizuan planet për asgjësimin e Mustafa Gjinishit e të Llazar Fundos.
  3. Për tentativat e hershme sovjetike për të dërguar përfaqësues në Shtabin e Përgjithshëm të UNÇl dhe për statusin dhe rolin e oficerit ndërlidhës sovjetik Ivanov.

XII. Për ekzistencën e projekteve britanike dhe amerikane për pushtimin e Shqipërisë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

XIII. Për mënyrën se si u trajtua Shqipëria në takimin Stalin-Çurçill në Kremlin në tetor 1944.

XIV. Për kërkesat për falje që disa udhëheqës të Ballit Kombëtar e nacionalistë të tjerë i bënë Enver Hoxhës në shtator –tetor 1944.

Enigmat

Në historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ka pasur e kanë mbetur shumë enigma ende për tu sqaruar. Për një kohë të gjatë mjaft ngjarje kanë mbetur në hije për arsye nga më të ndryshmet, që nga censurimi i dokumenteve arkivore shqiptare të cilësuara top sekret para vitit 1990 e deri te autocensura që kishin shumë protagonistë të Luftës për të folur e shkruar për çështje që konsideroheshin tabu. Pas vitit 1990 kur arkivat filluan të hapeshin e për të mos thënë e po shqyheshin u bë e mundur të gjendej një lëndë dokumentare e panjohur. Po kështu mjaft ish drejtues të formacioneve partizane, sidomos të dënuar filluan të shkruajnë kujtimet apo të botojnë shënimet e kohës së Luftës. Shfrytëzimi i arkivave të huaja nga studiuesit shqiptarë e pasuroi fondin dokumentar me fakte e informacione të reja. Të gjitha këto u dhanë mundësi studiuesve shqiptarë e të huaj që të nxirrnin në dritë elementë të panjohur të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Si një prej tyre e pas një investimi të gjatë hulumtues arkivor e studimor në librin që i paraqitet lexuesit janë sqaruar disa ngjarje që kishin mbetur enigma ose që nuk njiheshin fare. E disa prej tyre janë:

  1. Takimi i Enver Hoxhës me Safet Butkën, 12-13 gusht 1943 në Vithkuq.
  2. Identifikimi i personave përgjegjës që parapërgatitën Kompromisin e Beratit dhe që u ulën përballë gjeneralit nazist nga ana e qarkorit të PKSH e komandës partizane të qarkut në pasditen e 20 shtatorit 1943.Raportet personale të Gjin Markut me Enver Hoxhën.

III. Iniciativa britanike për të krijuar një Komitet Kombëtar Shqiptar në vjeshtë 1943 me pjesëmarrjen e PKSH –FNÇ e Ballit Kombëtar.

  1. Takimi i Enver Hoxhës me majorin gjerman Torrasini në 20 mars 1944 në Panarit.

V.Takimi i Mit’hat Frashërit dhe i delagacionit të Ballit Kombëtar me kryetarin e EDES, gjeneralin Napoleon Zervas në Voskop, 3 maj 1944.

  1. Tentativa të Napoleon Zervas-it për t’u lidhur me formacionet partizane që vepronin në Shqipërinë e Jugut, shtator 1944.

Portrete

Libri përmban një numër portretesh të veprimtarëve kryesorë të grupimeve politike dhe ushtarake shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Portretizimi i tyre është bërë mbështetur në kritere rigoroze shkencore, përmes fakteve e ngjarjeve të dokumentuara dhe pa asnjë paragjykim politik. Në këtë listë  janë përfshirë figura të tilla si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Mit’hat Frashëri, Ahmet Zogu, Mehdi Frashëri, Abas Kupi, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bahri Omari, Nako Spiru, Ymer Dishnica, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi, Llazar Fundo, Muharrem Bajraktari, vëllëzërit Kryeziu, etj.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.