DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Luftë në qytet/ Si arriti të shpëtojë super i kërkuari Riza Malaj. Arrestimi, pse dështuan specialistët në Tropojë

08:00 - 22.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

22 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Luftë në qytet/ Si arriti të shpëtojë super i kërkuari Riza Malaj

Arrestimi, pse dështuan specialistët në Tropojë

Njerëz të tjerë, mbështetës të Malajt, kanë hapur zjarr në drejtim të policisë, duke e kthyer kështu sheshin para lokalit në një arenë luftimi. Breshëritë nga të dy palët nuk kanë reshtur përreth 30 minuta

Plagoset një efektiv i Policisë Ushtarake. Malaj arrin të shpëtojë përsëri

Tropojë, luftë me specialët

Kërkonin Riza Malajn, vodhi Peshkëpinë

Tropoja buçet sërish nga krismat e armëve. Një përleshje e tiopit “western”, është zhvilluar përreth gjysmë ore në një prej lokaleve në qendër të Bajram Currit

Të vënë në kërkim Riza Malaj, personi që i rrëmbeu fuoristradën Ritvan Peshkëpisë, drejtues i PAD, specialet e ardhur nga Tirana, kanë shërbyer zjarr përreth 30 minuta me disa persona që ishin në lokalin e Arben Kërnajës. Në përfundim të betejës nga ngelur i plagosur brenda në lokal, vetëm një efektiv i policisë ushtarake, i cili sipas hetimeve, mendohet të ketë qëlluar ndaj policisë, duke mbështetur Malajn, me të cilin kishte dhe lidhje farefisnore.

“Kundërshtim me armë ndaj forcave të policisë” dhe “grabitje me armë” janë dy akuzat me të cilat forcat speciale nga Tirana, kanë shkuar për të vënë prangat mbi Riza Malajn, 35 vjeç. I njohur si një prej aktivistëve të Partisë Demokratike, Malaj që një vit më parë kishte kundërshtuar me armë forcat e policisë, duke i qëlluar me armë ato. Ndërsa tri javë më parë, Malaj, kishte hyrë me automatik në dorë në turizmin e Bajram Currit dhe i kishte marrë fuoristradën Ritvan Peshkëpisë. Pasi i ka marrë çelësat pa asnjë problem, ai është larguar sherbes-sherbes, përmes qytetit, i pa shqetësuar nga uniformat blu. Këto të fundit,. As nuk janë vënë në kërkim të tij, ndonëse Peshkëpia ka depozituar dhe kallëzimin penal ndaj Malajt.

Dje në mëngjes, një furgon i forcave speciale të ardhura nga Tirana, në bashkëpunim dhe me forcat e komisariatit të policisë së Tropojës, kanë rrethuar lokalin e Arben Kërnajës, ku kishin informacion se ndodhej Riza Malaj dhe i kanë bërë thirrje këtij të fundit për t’u dorëzuar. Si kundërpërgjigje nga brenda lokalit, kanë marrë një breshëri automatiku. Duke e parë situatën e ndezur, forcat e policisë nuk kanë nguruar t’i përgjigjen zjarrit me zjarr. Breshëri të zgjatura automatiku janë derdhur në drejtim të lokalit. Por dhe nga lokali nuk janë mjaftuar me aq. Njerëz të tjerë, mbështetës të Malajt, kanë hapur zjarr në drejtim të policisë, duke e kthyer kështu sheshin para lokalit në një arenë luftimi. Breshëritë nga të dy palët nuk kanë reshtur përreth 30 minuta. Njerëzit e mësuar me situata të tilla në qytetin e tyre, kanë nxituar të gjejnë ndonjë qoshe e të struken. Rreth orës 13.00, bataret kanë pushuar dhe forcat e policisë kanë mundur të hyjnë brenda në lokal. Por nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të Riza Malaj, i cili ia kishte mbathur. Të shtrirë përtokë, ata kanë gjetur vetëm Shkëlqen Latën, efektiv i policisë ushtarake, i cili ishte plagosur nga plumbat e policisë. Pasi është dërguar në spitalin e qytetit, ai është marrë në mbikqyrje nga ana e policisë. Sipas hetimeve, mendohet që Lata të ketë qëlluar me armën e tij me leje, ndaj uniformave blu, duke përkrahur kështu Riza Malaj. Një gjë të tillë, organet hetimore e mbështesin dhe në faktin se që të dy kishin lidhje farefisnore. Sapo ka marrë njoftim për ngjarjen, në drejtim të Tropojës është nisur dhe drejtori i policisë së Qarkut, Arben Keshi, ndërkohë që shefi i komisariatit të Tropojës Besnik Xhafa, ka qëndruar gjatë gjithë ditës në Tiranë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.