DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Antimafia/ Arrestohet bosi i skafeve të Durrësit

07:00 - 23.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

23 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Antimafia /Operacioni në Itali, prodhonte mjete për kontrabandën

Arrestohet bosi i skafeve të Durrësit

DIA e Barit ka zbuluar llogaritë bankare në bakat e Zvicrës dhe Monakos, ku kishin derdhur paratë kontrabandistë të njohur italianë të cigareve në Greqi dhe Malin e Zi

Policia italiane arrestoi dje Corbellin dhe Pardinin, pronarë të “Regolo sh.p.k.” në Shkozet të Durrësit

Në pranga Corbelli, prodhonte në Durrës superskafet e kontrabandës

 

 

 

 

Tentuan të ngrinin në Durrës qendrën më të madhe të fabrikimit të skafeve të kontrabandës, por nuk arritën dot. Giancarlo Corbelli 52 vjeç, Graziano Pardini 52 vjeç dhe tre të tjerë janë vënë në pranga nga DIA e Barit me akuzën e furnizimit me skafe për kontrabandistët e cigareve në Greqi, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Kontrabanda

“Personat e arrestuar deklaruan,- deklaruan prokurorët,- kishin krijuar një strukturë që furnizonte kontrabandistët me skafe të shpejtë dhe merrej me mirëmbajtjen e lundruesve”. Sipas prokurorëve, Corbelli nga verifikimet e lëvizjeve financiare si dhe të sekuestrimeve të bëra në Durrës, kontrollonte zemrën e trafiqeve të paligjshme. Kështu, fillimisht krijon një shoqëri me qendër në provincën e Toscanës në Itali dhe pastaj e transferon në Shqipëri, ku blen në Durrës një ofiçinë, duke përfituar nga kushtet e favorshme gjeopolitike të Vendit të Shqiponjave, për ndërtimin e skafeve të destinuara në tregun e kontrabandës së Malit të Zi. Gjatë kësaj kohe skafet bliheshin nga një shoqëri inekzistente në Maltë, por pasi largoheshin nga brigjet shqiptare, superskafet nuk merrnin rrugën e Maltës, por atë të Malit të Zi. Hetuesit italianë kanë zbuluar dhe “mbretërinë financiare” të italianëve: bëhet fjalë për Principatën e Monakos. Nga verifikimet e bëra janë gjetur derdhje parash nga kontrabandistë të njohur italianë si Francesco Prudentino, Benedetto Stano, Gerardo Cuomo.

E arrestuara tjetër është Lucia Auricchio, 38 vjeç, gruaja e Corbelit, e cila kujdesej për marrëdhëniet mes Corbellit dhe blerësve të skafeve të tij. Në emër të Auricchios prokurorët barezë kanë gjetur disa llogari bankare.

Kantieri në Shkozet

Graziano Pardini, në pranga dhe ky, është ortaku i “përhershëm” i cili drejtonte dhe kantierin e Durrësit në emrin e shoqërisë “Regolo sh.p.k.”. Kjo e fundit, prej kohësh ka qenë nën vëzhgimin e rreptë të prokurorëve italianë dhe atyre vendas, pikërisht e dyshuar për furnizim të tregut të kontrabandës me superskafet “Corbelli”. Edhe pse pas sekuestrimeve të bujshme në vitin 1997, kantieri i hapur në Durrës ishte nën “vëzhgimin e rreptë” të prokurorëve italianë, një nga prokurorët shqiptarë, tashmë në burg nën akuzën e trafikut të kokainës, Sokol Koçiu, kishte mundur ta shfrytëzonte sërish kantierin e Shkozetit, për mbështetje të trafiqeve të paligjshme që lidheshin këtë herë jo me cigaret, por me drogën. Pas arrestimit të Koçiut, hetuesit italianë vazhduan të ndiqnin “fijet” që kalonin nga Durrësi e përhapeshin pastaj në Mal të Zi, Greqi e Itali duke zbërthyer përfundimisht, sipas tyre, tërë rrjetin e furnizimit me skafe.

Një tjetër kantier skafesh ka qenë mes polemikave muajt e fundit. Pas “mbylljes” së rubinetave nga Durrësi, në Vlorë do të zbulohej një tjetër punishte – këtë herë më artizanale – e cila riparonte skafet në avari. Hetuesit shqiptarë akuzuan pronarët shqiptarë dhe për prodhime lundruesish që transportonin klandestinë, por akuzat nuk u provuan dhe pronarët vlonjatë shpejt u lanë të lirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.