OPINION

Pse leku është i mbrojtur

10:21 - 07.03.22 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndikimet negative të situatës që ka krijuar lufta në tregjet botërore po ndihen akoma dhe më fort në kursin e këmbimit te monedhave te huaja edhe tek ne. Pas datës 24 shkurt të shpërthimit të agresionit të Putin mbi Ukrainën, Leku ynë humbi lehtë terren ndaj euros dhe dollarit amerikan. Në dhjetë ditë, humbi 1.9 përqind ndaj euros(nga121.5 lekë në 123.8 lekë më 5 mars) dhe 3.2 përqind ndaj dollarit(nga 109.1 lekë në 112.7 lekë më 5 mars). Euro preku kështu nivelin më të lartë të këmbimit që nga nëntori i vitit të kaluar. Mbi bazë ditore, kjo është rritja më e lartë e kursit të euros që nga shpërthimi i pandemisë. Nëse në nëntor 2021 euro u rrit nga importet e detyruara të energjisë elektrike me çmim tre herë më të lartë nga normalja e periudhës, tani rritja e monedhes evropiane dhe asaj amerikane për shkak të krizës nga lufta, është e vështirë të përcaktohet sa do të shkojë. Por, me vazhdimin e luftës në Ukrainë,  ajo do të vijojë. Në këto kushte, duhet që qytetarët dhe të gjithë veprimtarët e tregjeve financiare të kuptojnë se Leku ynë është i mbrojtur. Po përse? Së pari, ndoshta na kujtohet pak, por në fillim të pandemisë, në muajt mars-prill, qytetarët nisën të blinin me nxitim sasi të mëdha të mallrave të konsumit, duke boshatisur supermarketet dhe ushqimoret në çdo kënd të Shqipërisë. Kjo shtoi fort kërkesën dhe i shtyu tregtarët të importonin sasi të mëdha ushqimesh, produktesh farmaceutike, etj. Një veprim i tillë krijoi kërkesë dhe uri të madhe për valutë, sidomos euro. Monedha evropiane u rrit ndaj Lekut me 4 përqind brënda pak ditëve. Na ndihmoi menjëherë banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, duke shitur me dhjetëra milionë euro. Tani ngjitja e fortë e euros është e lidhur drejtpërsëdrejti me krizën botërore të çmimeve që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Duhet të kuptojmë dhe të përgatitemi që nafta mund të shkojë, nga 230 lekë litri që është tani, edhe në 250 lekë litri brenda marsit 2022. Rritja e çmimeve të lëndëve të para ka shtrenjtuar importet, ndërsa frika se ato mund të shtohen edhe më shumë në të ardhmen, po i shtyn qytetarët drejt blerjes së sasive më të mëdha të mallrave. Bankat tregtare bëjnë të ditur se ditët e fundit kompani të mëdha importuese të grurit, miellit, hekurit për ndërtim, etj. kanë kryer blerje të mëdha të euros. Ka dhe shumë kompani nga sektori energjetik, kompani të industrisë përpunuese, të sektorit farmaceutik, etj. Do të ndërhyjë sërisht Banka e Shqipërisë për ta qetësuar prapë gjendjen? Sigurisht, banka jonë qendrore është gati për të ndërhyrë, në momentin kur rritja e vlerës së këmbimit të euros dhe dollarit kap një nivel kritik që mund të dëmtojë ekuilibrat monetarë të ekonomisë sonë. E bëri këtë në qershor 2018, kur euro zbriti kërcënueshëm, duke dëmtuar eksportet tona dhe shumë ekuilibra të tjerë. Në atë kohë, bleu mbi 120 milionë euro. E bëri kur euro u rrit në nëntor 2021 nga importet tre herë më të shtrenjta të energjisë elektrike. Në atë kohë shiti euro me shumicë. Mund ta bëjë prapë në këto ditë tejet të vështira. Ka pozicionin drejtues më të mirë, me eksperiencë dhe të qetë tani, kur vijimësia e drejtimit të saj u sigurua edhe për shtatë vjet të ardhshëm. Pra, nëse situata e ngjashme me fillimin e pandemisë përsëritet dhe euro shtohet me 4 përqind brenda pak ditëve, të jemi të sigurtë se banka jonë qendrore do të ndërhyjë. Të jemi të qetë dhe të sigurtë, pse realisht nuk ka vend për panik. Sa herë të paraqitet nevoja, Banka e Shqipërisë mund të ndërhyjë sërish për të qetësuar kursin e këmbimit. Banka jonë qendrore disponon një rezervë valutore prej miliarda eurosh, edhe pse zakonisht shumat që nevojiten për të frenuar shqetësimet që mund të nxisin panik në tregun shqiptar të këmbimit nuk janë shumë të mëdha, në nivele disa dhjetëra milionë eurosh. Në mars 2020, Banka e Shqipërisë shiti 20.4 milionë euro gjatë dy ditëve dhe kjo mjaftoi për të ndalur rritjen e fortë të euros në tregun valutor. Edhe pse ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit, të përcaktuar nga raporti kërkesë-ofertë në treg, banka jonë mund të ndërhyjë në momente të caktuara, kur e vlerëson ndërhyrjen si instrument të nevojshëm dhe të domosdoshëm, në funksion të mbajtjes nën kontroll të inflacionit dhe të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare dhe monetare të vendit. Dhe ajo do të ndërhyjë në kohën e duhur, po të paraqitet nevoja! Ja përse Leku ynë është i mbrojtur dhe duhet të jemi të qetë, ndërsa qeveria duhet të shtojë kontrollet në tregjet më të prekura, si ai i grurit dhe miellit me shumicë e pakicë brenda vendit, për të evituar abuzimet e mundshme me këtë situatë të vështirë krize botërore.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.