EKONOMI

Më shumë inflacion në horizont, çmimet e prodhimit dhe të importit u rritën në tremujorin IV 2021

19:13 - 07.03.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Indeksi i çmimeve të prodhimit në tremujorin e katërt të vitit të kaluar zgjeroi më tej rritjen në 5.6% me bazë vjetore. Kjo rritje ndjek atë prej 4.3% të tremujorit të tretë 2021 dhe dëshmon një tendencë të qëndrueshme të rritjes së çmimeve të prodhimit në ekonomi. Rritja vjetore e çmimeve të prodhimit në ekonomi ka arritur ritmet më të larta prej të paktën 12 vjetësh, duke refektuar kryesisht shtrenjtimin e lëndëve të para në tregjet botërore.




Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit, ndaj ai shërben si një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje do të përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.
Çmimet e prodhimit u rritën për shumicën e grupmallrave kryesore dhe nivelin më të lartë të rritjes e shfaqi sektori i industrisë nxjerrëse. Kjo rritje i detyrohet kryesisht rritjes së shpejtë të çmimeve të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare. Në aktivitetin e nxjerrjes së naftës, rritja arriti nivelin 28.2%, ndërsa në industrinë e nxjerrjes së mineraleve metalore rritja arriti në 16.6%.
Sektori me peshën kryesore në formimin e indeksit të çmimeve të prodhimit, industria përpunuese, shënoi një rritje të çmimeve me 4.8%, shkallë kjo dy herë më e lartë krahasuar me tremujorin e tretë. Shtrenjtimi më i madh i çmimeve në hallkën e prodhimi u regjistrua në degën e metalurgjisë, me 9.1% ndërsa norma e dytë më e lartë e rritjes u shënua në industrinë ushqimore, me 7.1%. Veçanërisht shtrenjtimi i produkteve të përpunuara ushqimore pritet të përcillet gradualisht në një ndikim të lartë në inflacion.
Rritja ishte e ndjeshme edhe në sektorin energjisë elektrike, ku u raportua një rritje vjetore me çmimeve të prodhimit me 5.3%. Megjithëse qeveria ka vendosur të mos e përcjellë rritjen e çmimeve të energjisë tek konsumatorët familjarë, bizneset dhe në veçanti industria përpunuese po vuan një rritje të lartë të kostove të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të energjisë.
Edhe indeksi i çmimeve të importit shpejtoi më tej rritjen në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas Instat, rritja vjetore arriti në 4.9%, nga 3.3% që kishte qenë në tremujorin e tretë. Edhe për çmimet e importit rritja ka arritur nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit.
Norma më e lartë e rritjes u shënua në sektorin e energjisë elektrike, ku çmimet e importit u rritën me 56.3% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje reflekton shtrenjtimin e fortë të energjisë elektrike të importuar nga jashtë në tremujorin e fundit të vitit.
Megjithatë, energjia elektrike ka një peshë relativisht të ulët, në indeksin e çmimeve të importit, me 3.5% të peshës relative. Ndikimin dërrmues e japin produktet e industrisë përpunuese, me 94% të peshës në formimin e indeksit. Indeksi i çmimeve të importit për industrinë përpunuese u rrit me 3%, nga 2.1% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Ritmet më të larta të rritjes u shënuan në aktivitetin e përpunimit të nënprodukteve të naftës, me 7.4%, e ndjekur nga dega e prodhimit të pijeve me 5.3%.
Indeksi i Çmimeve të Importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për tu shitur në tregun vendas./ Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.