AKTUALITET

Tkurrja e popullsisë/ Rrezikohet mbyllja e degëve të mësuesisë në Universitetin e Elbasanit

12:55 - 28.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ulja drastike e studentëve në degët e mësuesisë edhe në një qytet me traditë si Elbasani rrezikon të përfundojë me mbylljen e tyre. Ky fakt është pranuar sot edhe nga vetë Ministrja e Arsimit Evis Kushi. Gjatë një takimi në Universitetin e Elbasanit, Ministrja Kushi tha se ishte e vetëdijshme me atë se çfarë po ndodh në auditore dhe për këtë është mirë që të vërtetën ta shohim në sy.




Në vijim të fjalës së saj Znj. Kushi pohoi se për ti shpëtuar këto degë nuk mjaftojnë thjesht promovime, por hapa konkret. Sipas saj ata studentë që zgjedhin të studjojnë në degët e mësuesisë do të përjashtohen nga tarifat e studimit dhe do të përfitojnë bursë të konsiderueshme, gjë për të cilën mori dhe duartrokitjet e të pranishmëve.

Vendosja e mesatares në degët e mësuesisë ndikoi drejtpërsëdrejti në uljen e numrit të studentëve në auditore, aq sa një pjesë e tyre qëndrojnë të hapura thjesht në mënyrë formale. Në keto klasa numri i studentëve nuk arrin as 10-të .

Mbyllja e disa degëve problem edhe për Universiteitn e Tiranës

Përveç Universitetit të Elbasanit, i njëjti problem vihet re edhe tek Universiteti i Tiranës. Nga një trajektore gjithnjë në rritje, e tatëpjeta për UT nisi në 2018-ën, me arsyetimin e mungesës së kapaciteteve pritëse të fakulteteve e po ashtu edhe uljen e numrit të gjimnazistëve që kërkojnë të formohen.

Por tanimë mund të flitet edhe për ulje të kërkesës për të studiuar në universitetet tona. Jo pak të rinj kanë kthyer sytë nga universitetet e huaja, ndërsa vitet e fundit po shikohet një trend edhe drejt atyre private, të akredituar maksimalisht e me diplomë të njehsuar që iu hap dyert në shumë vende të botës.

Duke parë këtë orientim të të rinjve, vitin e fundit qeveria ka intensifikuar përpjekjet për të ashtuquajturin “ndërkombëtarizim” të IALve me qëllim që të frenojë ikjen e të rinjve në universitetet e huaja, por studimet, të dhënat eventuale thonë se do të duhen disa vite që të rikthehet besimi i të rinjve për të studiuar e punuar në Shqipëri.

Largimi i të rinjve shqiptar si pengesë për investimet e huaja

Shqipëria është në mes të një krize demografike, pasi dhjetëra mijëra njerëz largohen çdo vit, dhe popullsia që ka mbetur është e rrënuar nga plakja dhe një rënie e lindjeve. Rreth 42,000 njerëz emigrojnë çdo vit.

Studimi i kryer nga Fondacioni Europian i Trajnimit vë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Shqipëria, do të përballen me një krizë pune në rritje të shkaktuar nga emigracioni i të rinjve.

Ai zbuloi se, midis viteve 2020 dhe 2030, skenari bazë tregon se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të përballen me mungesë të fuqisë punëtore në grupet e aftësive të ulëta, të mesme, të larta dhe profesionale. Bosnja dhe Hercegovina do të përballet me mungesa të konsiderueshme, kryesisht në ato të ulëta dhe të mesme dhe nuk do të luftojë aq shumë me humbjen e atyre me nivele më të larta arsimore.

Në Shqipëri situata është veçanërisht e theksuar pasi studimi raportoi se rreth 40% e atyre me arsim të lartë, përfshirë mësuesit dhe stafin akademik, kanë emigruar.

Për më tepër, ka pasur një mungesë punonjësish në prodhim gjatë viteve të fundit, veçanërisht në fabrikat e veshjeve dhe tekstilit.

Nga ata që kanë emigruar nga Shqipëria në dy vitet e fundit, 15,000 ishin të moshës 20 deri në 24 vjeç, tre herë më shumë se grupmoshat e tjera. Norma e papunësisë në Shqipëri për vitin 2020 ishte 11.7%.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.