Kryesore

Tri kryeministra shqiptarë në rajon, Dritan Abazoviçi zgjidhet kreu i Malit të Zi

20:14 - 28.04.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dritan Abazoviçin është mandatuar si kryeministër i Malit të Zi, një risi kjo për qeverinë malazeze, tashmë të kryesuar nga një shqiptar.




Dritan Abazoviç u zgjodh sot kryeministër me 45 vota pro, ndërsa kundër votuan vetëm deputetët socialdemokrat. Nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, tre drejtohen nga shqiptarë.

Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviç, nga i cili përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, që iu votua mosbesimi më 4 shkurt.

Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjuroviçin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.

Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Për kabinetin e Abazoviçit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.

Pas lajmit të zgjedhjes si Kreu i qeverisë së Malit të Zi, Kryeministri Edi Rama e ka uruar Dritan Abazoviçin për zgjedhjen e tij si kryeministër përmes një postimi në rrjetin e tij social, Twitter.

“I lumtur që DritanAbazovic është nga sot kryeministri i Malit të Zi! Kush do ta kishte besuar dot deri dje se Ballkani me 6 shtete do të kishte 3 kryeministra shqiptarë. Na takon ne të japim provën si ndërtues të mirë urash për paqe mes të gjithëve e mirëqenie për të gjithë”, shkruan Rama në Twitter.

Kush është Dritan Abazovići?

Dritan Abazovic është politikan malazez, kryetar i partisë Aksioni i Bashkuar për Reforma që nga maji 2017, ka qenë deputet i Kuvendit të Malit të Zi, nga viti 2012 deri në vitin 2020, kur ka marrë detyrën e zëvendëskryeministrit për sigurinë kombëtare në kabinetin e Zdravkos. Krivokapiq.

Në janar të vitit 2022. Dr. Dritan Abazoviq, është emëruar anëtar i Bordit Këshillimor të Institutit për Lirinë e Besimit dhe Sigurisë në Evropë (IFFSE).

Ai lindi në Ulqin në një familje shqiptare. Pasi mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazovic u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, duke u bërë valektor dhe fitues i “Distinktivit të Artë” dhe “Kartës së Artë” të Universitetit të Sarajevës. Ai ka kryer magjistraturën në vitin 2008 në Fakultetin e Shkencave Politike, në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti i Malit të Zi. Ka përfunduar doktoraturën në vitin 2019, në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, disertacionin e doktoraturës me temë “Politika globale – Aspekte Etike të Globalizimit”.

Karriera politike

Abazovici ishte një nga themeluesit e partisë politike social liberale Mali i Zi Pozitiv në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, partia fitoi 7 nga 81 vende, duke bërë që Abazovic të bëhej anëtari më i ri i mbledhjes së re të Parlamentit të Malit të Zi. Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazovic u largua nga Mali i Zi Pozitiv, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Aksionit të Reformës së Bashkuar (URA) të sapothemeluar në vitin 2015. Ai është aktualisht president i URA dhe një nga katër përfaqësuesit e saj parlamentar.

Çështje të diskutueshme

Tri temat për të cilat palët në përbërje të Qeverisë kanë negociuar më së shumti janë regjistrimi i popullsisë, nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe iniciativa rajonale Ballkani i Hapur (Open Balkan).

Në ekspoze, Abazoviç ka komentuar shkurt për këto tema.

Ai tha se ligji për regjistrimin e popullsisë është duke u planifikuar në përputhje me standardet evropiane. Kjo çështje shkakton tensione në Mal të Zi sepse për një pjesë të opinionit politik nuk është çështje statistikore, por çështje të regjistrimit kombëtar dhe fetar.

Ndër prioritetet e programit të qeverisë së re është rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale me bashkësitë fetare në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi. Me marrëveshjen bazë, shteti i Malit të Zi duhet të saktësojë marrëdhëniet pronësore-juridike me kishën ortodokse serbe.

Edhe pse nuk e ka përmendur konkretisht Ballkanin e Hapur, Abazoviç ka thënë se Qeveria do të merret me shqyrtimin e iniciativave rajonale në kuadër të qëllimit kyç – anëtarësimit më të shpejtë të Malit të Zi në BE. Partitë pro-malazeze janë kundër Iniciativës për Ballkanin e Hapur, e cila e konsideron atë pjesë të projektit të “botës serbe”, qeverisë aktuale në Serbi.

Kush e përbën Qeverinë e pakicës?

Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.

Abazoviçi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviç, por pa pjesëmarrjen e saj.

Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.

URA e Abazoviçit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.

Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviç, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.

Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviç, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviç do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviçin.

Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore.

Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.

Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviç.

Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviçit janë Bilana Shqepanoviç në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviç në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.

Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviç, nga Partia Popullore Socialiste.

Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, më 4 shkurt.

Tre ditë më vonë, më 7 shkurt, është shkarkuar edhe kryetari i Kuvendit, Alleksa Beçiq, udhëheqës i Demokratëve.

Qeveria e Krivokapiçit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.

Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në e Gjukanoviçit në opozitë pas tri dekadash.

Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.