DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Burg për zyrtarin e parë të PS. Gjykata shpall fajtor Metën: 6 muaj në qeli

07:00 - 04.05.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

4 maj 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Shkëlqim Meta – Gjykata e shpall fajtor: Liroi të dënuarit

Burg për zyrtarin e parë socialist

Ish-kryetari i PS së Skraparit, anëtar i KPD dhe dy herë kandidat për Kryetar Partie e Kryeministër u dënua dje nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj qeli. Shpërdoroi detyrën kur drejtonte burgjet. Dëshmitë që e vunë në pranga dhe mungesa e djeshme në sallën e gjyqit. Për prangosjen pritet vendimi i Apelit.

 Ish-drejtori i burgjeve liroi dy të dënuar që u arratisën. Shpallet i pafajshëm kreu i qelive të Vaqarrit

Burg për zyrtarin e parë të PS

Gjykata shpall fajtor Metën: 6 muaj në qeli

Dënohet me burg zyrtari i parë i Partisë Socialiste. Dje Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, ka shpallur fajtor ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Shkëlqim Meta, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Përgjithshëm drejtues të Partisë Socialiste, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe e ka dënuar atë me 6 muaj burg.

Që nga 1997, kohë në të cilën socialistët morën pushtetin, shkëlqim Meta, është “kurbani” i parë nga kjo parti, i cili dënohet nga drejtësia shqiptare. Megjithëse Meta mbërriti në gjykatë për shkak të “arratisjes së dy të burgosurve, që i kishte dhënë leje për të kaluar festat e fundvitit në shtëpitë e tyre”, ai e komentoi gjyqin e tij “si një lojë politike”.

Socialisti nuk pranoi të ishte në seancën e djeshme gjyqësore kur trupi gjykues deklaroi vendimin. Ish-kreu i Burgjeve, Meta, preferoi të mësonte dënimin me burg, nëpërmjet telefonit celular të avokatit të tij, Gëzim Veleshnja.  Ndërsa nuk ka munguar në seancën e djeshme ish-drejtori i burgut të Vaqarrit, Shkëlqim Sokoli, i cili u deklarua i pafajshëm nga gjykata.

 

 

“Shkëlqim Meta ka shkelur rregulloren e burgjeve, kur i ka dhënë leje të veçantë dy të burgosurve, Aurel Telhaj dhe Bujar Memushi, të cilët kanë shfrytëzuar momentin për t’u arratisur”- shkruhet në vendimin e lexuar dje nga kryetari i trupit gjykues Gjin Gjoni. Sipas këtij vendimi vepra penale e “shpërdorimit të detyrës” nga i pandehuri Shkëlqim Meta, është kryer me dashje, pasi ai ka pasur të gjitha aftësitë mendore që të parashikonte rrezikun se dy të dënuarit nuk do të ktheheshin në vendin e vuajtjes së dënimit. “Asnjëri nga të burgosurit nuk ka dhënë garanci për kthimin e tyre”, – thuhet në vendim. Kreu i burgjeve ka shkelur rregulloren e burgjeve, duke i urdhëruar t’i jepej leje e veçantë dy të dënuarve për akuza të rënda si “vrasje”, “rrëmbim personi” dhe “armëmbajtje pa leje”. Kryetari i trupit gjykues ka hedhur poshtë pretendimin e mbrojtjes se ish-kreu i burgjeve, Meta, ka zbatuar vetëm ligjin. Sipas vendimit Meta nuk ka plotësuar dosjen e dhënies së lejes me dokumentet e duhura. Gjykata në arsyetimin e dënimit ka marrë parasysh edhe mospërfilljen e Metës ndaj gjykatës, mohimin që ai i ka bërë akuzës së ngritur dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprimit të tij.

Por, fati i ka buzëqeshur, ish-vartësit të Metës, Shkëlqim sokoli, ish-drejtorin e burgut të Vaqarrit, i cili ka fituar dje pafajësinë. “Ka zbatuar vetëm një urdhër ushtarak të eprorit të tij, pasi drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kishte të drejtë të jepte leje të veçantë”- thuhet në vendim. Më 16 prill të këtij viti prokurori i çështjes i kërkoi të shpallë fajtor Shkëlqim Metën për “shpërdorim detyre” dhe dënimin e tij me 6 muaj burg, ndërsa për Shkëlqim Sokolin kërkoi pushimin e çështjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.